Duke folur për demarkacionin me Malin e Zi, Haradinaj ka thënë se ekziston kujdesi që mos të kalohet nëpër rrugë të dhimbshme për të arritur deri te liberalizimi i vizave.
“Ajo që mundem me ju siguruar dhe që jemi shumë serioz që me arrit te lëvizja e lirë e qytetarëve të vendit. Pra, të gjitha veprimet që kemi ndërmarrë deri sot e kanë parasysh këtë, por jo në kompromis ose në dëm të temave të interesit nacional. Pra, jemi të kujdesshëm që mos të kalojmë nëpër rrugë të dhimbshme deri te liberalizimi i vizave, por nëpër rrugë që na bëjnë nder gjithë jetën”, theksoi Haradinaj sot në Mitrovicë gjatë një vizite që i ka bërë Akademisë Kosovare për Lidership.
Haradinaj me këtë rast është shprehur jashtëzakonisht i kënaqur me atë çka ka parë në këtë akademi, duke thënë se ky është një projekt i vlefshëm për Kosovën të cilin duhet shpërndarë në mbarë vendin.
“E para më lejoni me shpreh një ndjenjë kënaqësie që jam sot në Mitrovicë në Akademinë e Lidershipit. Vërtet, ky është një projekt i vlefshëm për Kosovën dhe kam dëshirë që këtë projekt ta shpërndajmë në gjithë vendin, prandaj edhe kam ardhur këtu. Imagjinoni ka fëmijë, të cilët janë në klasën e pestë ose të gjashtë dhe flasin anglishten prefekt, e shkruajnë, kanë dituri të kurrikulumit të Kosovës, por edhe të kurrikulumeve të avancuara të Amerikës. Ata dalin sot si liderë në çdo aspekt të jetës dhe ky është një shembull i mirë”, ka thënë Haradinaj.