Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka komentuar kërcënimin që Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka njoftuar se i është bërë nga “Garda Vullnetare Shqiptare”.
Sipas Haradinajt, denocimi i Kurtit është një “axhamillëk” i tij.
“Është një axhamillëk i Kurtit me dalë me postim për këtë. Ka pasur raste kur m’u ka shtuar siguria, sepse më është bërë ndonjë kërcënim, ekziston një rrezik. Kryeministri që e mbron krejt vendin, nuk duhet të veprojë kështu”, tha Haradinaj për Reporterin.
Haradinaj theksoi se sjellja e Kurtit iu duk qesharake. Ai tha se kryeministri mbron popullin dhe nuk duhet të bëhet viktimë, është shprehur Haradinaj.
“M’u duk qesharake kjo gjë. Kryeministri duhet ta ruajtë integritetin e institucionit. Nuk duhet të dalë kryeministri me postime të tilla, e pastaj ta ndërlidhë me Gjykatën Kushtetuese. Në kohën e internetit këto gjëra janë bërë të lehta. Duke qëndruar pas koftorit, lehtë është të luftosh, thoshim ne në luftë”.