Epilogu

Haradinaj: VV mund të garojë në zgjedhjet në Shqipëri, por mos të keqpërdorë situatën

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë sot se Lëvizja Vetëvendosje mund të garojë në zgjedhjet në Shqipëri, por mos të keqpërdorë situatën dhe të ardhurit nga Shqipëria si pasojë e tërmetit atje.

Haradinaj këto komente i bëri pas vendosjes së kurorave me lule te shtatorja e ish-presidentit Rugova në 75 vjetorin e lindjes së presidentit të ndjerë.

“E lus Vetëvendosjen që po kanë mobilizim të madh le të garojnë në zgjedhje në Shqipëri, le të garojnë me Edi Ramën, Metën, e Lulzim Bashën po mos të bëjnë keqpërdorim të të ardhurve se nuk është në rregull”, tha ai.

Kryeministri në detyrë tha se fushata zgjedhore në Kosovë ka përfunduar dhe Vetëvendosje nuk duhet t’i ngatërrojë temat.

“…E dimë që në Shqipëri do të ketë zgjedhje së shpejti dhe e dimë që Vetëvendosje e ka në plan me garu në zgjedhje atje. Por nuk duhet me i përzi temat e punës institucionale…Shikoni këtë listë të veprimeve që i kanë ndërmarrë institucionet e vendit dhe të marrin t’i lexojnë shoqëria civile, ‘shoë-bizi’, partitë politike etj”, u shpreh Haradinaj, duke thënë se për tërmetin në Shqipëri ka pasur edhe kujdestari institucionale në Kosovë.

“…E shoh se janë kyçur të tjerët, e kisha lut sidomos Vetëvendosjen të garojnë në zgjedhje në Shqipëri se nuk jam kundër kësaj, është e drejtë e tyre po mos t’i përziejnë temat… Mos të mendojnë të fitojnë poenë me njerëz të zhvendosur se është rrezik dhe precedent i keq”, tha ai, duke shtuar se nuk është në rregull një zhvendosje e njerëzve që nuk vijnë prej zonave të prekura nga tërmeti.

“Dikush po i mashtron njerëzit… Keqpërdorimi i kësaj gjendjeje nuk është rregull”, tha ai.

Sipas kryeministrit në detyrë ai ka qenë në vendngjarje dhe Kosova ka qenë vendi i parë që ka reaguar duke i dërguar FSK-në dhe Policinë.

Ai ka lutur qytetarët e Shqipërisë që nuk janë të prekur nga tërmeti të mos vijnë në Kosovë pasi nuk është e vërtetë që ata të që vendosen në Parkun inovativ gjerman në Prizren do të dërgohen në Gjermani.

Exit mobile version