Epilogu

Hevzi Islami: Bakalli në shtëpinë e tij më tha se Qosja më ka mashtruar për Rugovën

U mbushën tri dekada të plota nga takimi i partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, të mbajtur në Stubiçke Toplice (një vend balneoturistik afër Zagrebit), më 19-20 janar 1991. Pas kaq vitesh, sot në disa qarqe po debatohet për këtë takim, me vlerësime pro dhe contra rreth shumë çështjeve. E posedoj blokun me shënime që i kisha mbajtur në atë takim, në bazë të të cilit mund të rrëfej për ngjarjen, sikundër kam rrëfyer para disa viteve, por disa çështje edhe i mbaj në mend mirë si pjesëmarrës dhe si përfaqësues i një partie politike. Shënimet në bllok ishin si një lloj procesverbali për nevojat e mia. Ndërkaq, tezat për diskutim për synimet e lëvizjes shqiptare, strategjinë e veprimit dhe format e organizimit të përbashkët të subjekteve politike shqiptare në ish-Jugosllavi u ishin shpërndarë pjesëmarrësve të këtij takimi.

Ishte folur një kohë relativisht të gjatë në Kosovë se po kërkohej të mbahej një takim i përbashkët i përfaqësuesve të të gjitha partive politike shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi. Kërkohej që takimi të mbahej në Zagreb dhe atë do ta organizonte Tomë Berisha, kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci. Flitej se ishin ftuar Ibrahim Rugova dhe disa veta nga LDK-ja, Veton Surroi nga Partia Parlamentare, Luljeta Pula nga Partia Socialdemokrate, Lazër Krasniqi nga Partia Demokristiane, Hivzi Islami nga Partia Fshatare, Burhan Kavaja dhe Hajrullah Gorani nga sindikatat, pastaj individët Adem Demaçi, Mark Krasniqi, Rexhep Qosja, Iljaz Kurteshi, Mahmut Bakalli, Shkëlzen Maliqi, ndoshta edhe ndonjë tjetër. Në Prishtinë kishte hezitime për atë takim nga I. Rugova e të tjerë, por kishte edhe të tillë që e kërkonin me ngulm takimin. Këta që ishin pro, në fakt ishin pjesë e frontit kundër Rugovës (A. Demaçi, R. Qosja, Sh. Maliqi, V. Surroi, M. Bakalli, B. Kavaja, L. Krasniqi, L. Pula dhe ndonjë tjetër).

Pa LDK-në dhe Ibrahim Rugovën nuk mund të mbahej takimi. Pasi Rugova dhe LDK-ja e pranuan kërkesën për të shkuar, u caktua edhe data e mbajtjes së takimit; me sa më kujtohet Rugova erdhi në takim nga Evropa. Dy ditë para mbajtjes së mbledhjes Ali Aliu, Mehmet Kraja dhe unë u nisëm me një veturë të marrë me qira nga kompania “Kompas” e Lubjanës. Shkuam më herët sepse Kraja donte ta regjistronte revistën “Ora” të LDK-së te Ministria e Informimit e Kroacisë. Në takimin e parë që patëm Aliu dhe unë me Tomë Berishën në një restoran të Zagrebit e hetuam qartë se ku do të na shpiente loja që ishte përgatitur. Që në minutat e para nuk u pajtuam me Tomë Berishën rreth emërtimit të takimit. Ai insistonte të quhej “Kuvend gjithëkombëtar shqiptar” apo “Kuvend historik gjithëshqiptar”. Ne e kundërshtuan dhe i thamë se kjo është shumë pretencioze dhe mund të quhet vetëm takim apo mbledhje konsultative e përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare në Jugosllavi.

Morëm vesh se edhe Veton Surroi kishte arritur në Zagreb dhe në mbrëmje u takuam Ali Aliu, Veton Surroi, Mehmet Kraja, Tomë Berisha dhe unë, ku i hartuam tezat e mbledhjes (synimet e lëvizjes shqiptare, strategjia e veprimit dhe format e organizimit të përbashkët të subjekteve politike shqiptare në Jugosllavi). Tomë Berisha vërtitej aty-pari, bënte telefonata te recepcioni, vendi-vend nuk i zihej. Dëgjuam gjithashtu se edhe Mahmut Bakalli ishte tashmë në Zagreb, por një kohë relativisht të gjatë, i vendosur në një hotel luksoz në qendër të Zagrebit; gjatë gjithë kohës kishte pasur në dispozicion edhe një mercedes për të shëtitur gjithandej nëpër Kroaci. Edhe pse Bakalli përfaqësonte vetëm vetveten, kishte marrë guximin që të dilte me “Kushtrimin“ për kryengritje të përgjithshme të armatosur në Kosovë, të cilin do ta quante “Kushtrim i Këshillit të Qëndresës Popullore të Kosovës”! Tekstin e kishte të përgatitur me makinë shkrimi.

Ky takim mbahej në një situatë tepër të tensionuar në Kroaci dhe në gjithë ish-Jugosllavinë. Ende ishte në fuqi urdhëresa e Kryesisë së RSFJ-së për çarmatosjen e formacioneve paraushtarake në Kroaci dhe skadonte pikërisht më 20 janar 1991, ndërsa Stipe Mesiqi, si kryetar i kësaj Kryesie nga Kroacia, kishte kërkuar edhe disa ditë të shtyhej afati i realizimit të kësaj urdhërese. Me siguri se kjo shtyrje kishte lidhje edhe me këtë takim. Tomë Berisha dhe Vetoni kërkuan që në takim të merrnin pjesë delegatët tanë të Kuvendit në ekzil. U morëm vesh që të vinin disa delegatë, me Ilaz Ramajlin në krye. Në takim nuk erdhën të ftuarit A. Demaçi, R. Qosja, M. Krasniqi, I. Kurteshi, L. Pula-Beqiri, Sh. Maliqi, H. Gorani dhe ndonjë tjetër. Arsyet nuk i mësuam.

Takimin e hapi Tomë Berisha, kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Kroaci, si nikoqir. Në Kryesi të punës ishin edhe Ibrahim Rugova, Veton Surroi dhe Ali Aliu. Ibrahim Rugova si përfaqësues i partisë më të madhe shqiptare foli pas Tomës, duke propozuar nga duhet të shkojë diskutimi. Nga regjistri i diskutantëve, rezulton se në takim erdhën: I. Rugova, F. Agani, A. Aliu dhe M. Kraja nga LDK-ja; H. Islami nga Partia Fshatare; V. Surroi nga Partia Parlamentare; L. Krasniqi nga Partia Demokristiane; B. Kavaja nga sindikatat e Kosovës; Shukri Rrahimi dhe Sami Ibrahimi nga Partia e Prosperiteti Demokratik të Maqedonisë (deputetë) dhe Hysen Ramadani, këshillëtar i kësaj partie; Iliaz Halimi nga Partia Demokratike Popullore e Maqedonisë; Riza Halimi dhe R. Hasani nga Partia për Veprim Demokratik të Luginës së Preshevës; Lekë Lulgjuraj nga një parti shqiptare në Mal të Zi dhe dikush tjetër. Mahmut Bakalli nuk e përfaqësonte askend, sikundër dhe Fran Berisha, për të cilin ne në fillim mendonin se kishte ardhur si përfaqësues i ndonjë partie shqiptare nga Mali i Zi, por doli se ai ishte aty vetëm si vëlla i T. Berishës dhe me detyra të posaçme; Frani ishte më i zëshmi në atë takim për hapjen e “Frontit të Jugut” (diskutoi shumë herë, me shumë ndërhyrje e ofendime ndaj Rugovës). Ishin të pranishëm edhe Muharrem Nexhipi (nga Maqedonia) nga Lidhja Demokratike e Shqiptarëve të Kroacisë, specializant në stomatologji në Zagreb (anonte nga T. Berisha), Harun Miniri, më vonë pronar i hotelit “Miniri” në Tiranë, Zef e Tomë Marku nga LDSH të Kroacisë. Nga Kranji i Sllovenisë kishte ardhur biznismeni nga Maqedonia Isak Ramadani, i cili i kishte ndihmuar shumë ushtarët shqiptarë të ikur nga ushtria; me sa shihet nga “stenogrami” im, nuk kishte marrë pjesë në diskutim. Nga delegatët e Kuvendit të Kosovës morën pjesë I. Ramajli, S. Hashani, B. Gjurgjeallo, M. Shabani, S. Skenderi, N. Hoxha dhe H. Muharremi. Sigurisht ka pasur edhe pjesëmarrës tjerë, që nuk i kam në bllok.

Një ditë para takimit Kraja dhe unë shkuam në selinë e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve të Kroacisë, ku ishin dhe selitë e disa partive tjera të Kroacisë, na dhanë një makinë të shkrimit dhe i shtypëm tezat orientuese, duke i sistemuar dhe plotësuar ku na dukej e nevojshme. Dikush na shërbente, na sillte ujë dhe kafe, një tjetër na bënte fotografi, të cilat kurrë nuk i pamë. Mendonim se takimi do të mbahej diku në Zagreb, por në mbrëmje na thanë se do të shkojmë në një banjë, në Stubiçke Toplice, afër 40 km larg Zagrebit, të cilën unë e dija, sepse kisha qenë dy herë kur isha student i shkallës së tretë në Zagreb. Me të arritur atje në mbrëmje, i morëm dhomat, pritnim të shkonim në darkë. Darka ishte “galla”; duket që regjimi i Tugjmanit, bashkë me T. Berishën, ishin përkujdesur mirë, sepse shpresonin se do ta pranonim kërkesën për hapjen e “Frontit të Jugut”. Në hotelin e banjës pamë se po defilonin disa shqiptarë të armatosur, nuk e njihja asnjërin. Thanë se janë ushtarakët e Tomës. Rugovën e ruanin natën para derës me pushka të gjata! Nuk e dinin apo e dinin se Rugova dhe ne të tjerët (Aliu, Kraja, Vetoni dhe unë) do të ktheheshim në Prishtinë me makinë nëpër gjithë Kroacinë dhe Serbinë.

Më 19 janar para dite filloi takimi në një sallë të bukur. Takimin e hapi Tomë Berisha, dukshëm i pakëkënaqur nga se e nuhati tashmë që ne nuk jemi për ta plotësuar kërkesën e Tugjmanit. Nuk foli gjatë, duke propozuar, sipas shënimeve të mia, formimin e një ”Këshilli për Vetëndihmë dhe Vetëmbrojtje pa dhunë”, me kërkesën që aktivitetet të bashkërendoheshin me Kuvendin e drejtuar nga Ilaz Ramajli dhe Qeverinë e Kosovës, të drejtuar nga Jusuf Zejnullahu. Në fakt nën petkun e këtij ”Këshilli” T. Berisha kishte mision krejt tjetër, që e shpalosi ditën e nesërme, duke deklaruar se opcioni ”i luftës gandiane është shterrur”, prandaj duhet të kalohet në variantin tjetër, që ishte lufta e armatosur! Pas fjalës së T. Berishës filloi diskutimi. Sipas shënimeve të mia, diskutuan gjithsej 22 veta, por pati gjithsej 49 diskutime, përfshirë këtu diskutimet nga disa herë nga të njëjtit diskutantë, por edhe ndërhyrjet. Rekordin për diskutime dhe ndërhyrje e mbante Fran Berisha, i cili  bënte vetëm avokatinë e Tugjmanit dhe kërkesës së tij për hapjen e ”Frontit të Jugut”. Diskutuan: Ibrahim Rugova, Veton Surroi, Mahmut Bakalli, Ali Aliu, Shukri Rahimi, Fran Berisha, Hivzi Islami, Burhan Kavaja, Hysen Ramadani, Tomë Berisha, Riza Halimi, Lazër Krasniqi, Iljaz Ramajli, Lekë Lulgjuraj, Iljaz Halimi, Sami Ibrahimi, Bujar Gjurgjeallo, Muharrem Nexhipi, Fehmi Agani, Halit Muharremi, Mehmet Kraja.

Rugova foli për luftën politike, format e rezistencës paqësore dhe ndërkombetarizimin e çështjes, duke theksuar qartë se luftë të armatosur nuk mund të shpallim, sepse nuk kemi as fuqi e as përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA-ja. Numri i ithtarëve të opcionit të luftës në fillim dukej se nuk ishte i madh, por nga frika se do të dominojë opcioni i luftës politike për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për t’u siguruar përkrahja më e gjerë për ”Frontin e Jugut”, Bakalli doli me kushtrimin për ”luftë aktive”, që nënkuptonte luftën e armatosur! Disa filluan të trimëroheshin  dhe në momente situata edhe ashtu polarizuese tensionohej. Duke lexuar Bakalli kushtrimin, F. Agani më tha te veshi “ja çka bën pleqëria”. Ia ktheva: nuk është punë pleqërie, por papërgjegjësie dhe idiotizmi; Bakalli atëherë i kishte vetëm 55 vjet! Përveç Tomë Berishës dhe Mahmut Bakallit, që tashmë kishin marrë obligimet nga pushteti i Tugjmanit, Fran Berisha ishte më agresivi: i ofendonte kundërshtarët e luftës së armatosur, sidomos Rugovën, duke e quajtur “dezinformues, mjegullues, të paperspektivë, frikacak, mjeran, tradhëtar” e çka jo tjetër. 

Ditën e parë shqiptarët e Maqedonisë, disa prej të cilëve ishin edhe deputetë në Parlamentin e atjeshëm meqenëse ishin mbajtuar tashmë zgjedhjet parlamentare, nuk ishin për rrezistencë të armatosur. Shukri Rrahimi vetëm tha atë ditë se bashkimi kombëtar të mos shtrohet pa pëlqimin e Shqipërisë. Por gjatë natës i kishin përpunuar: morëm vesh se Mahmut Bakalli përmes Hysen Ramadanit (funksionar i lartë në ish-Federatën nga Maqedonia) kishte ndikuar të ndërronin mendimin. Dhe të nesërmen deputeti Shukri Rrahimi kërkoi që edhe shqiptarët e Kosovës t’ua tregojnë thikat regjimit serb dhe të formojnë shtabet e luftës, me çka u rreshtua në anën e Tomës, Bakallit dhe Franit, ndërsa deputeti Sami Ibrahimi klithte “luftë dhe luftë…”! 

Pjesë e bllokut anti-Rugovë ishte edhe Veton Surroi, bashkë me Tomën, Franin, Mahmutin, Burhanin, Lazërin dhe shqiptarët e Maqedonisë të nesërmen. Megjithatë, Vetoni e kuptoi shpejt nga po shpie qëllimi i akterëve të “Frontit të Jugut” (Toma,  Bakalli dhe Frani) dhe u tërhoq, duke kërkuar që të respektohej rendi i ditës. E kundërshtoi Shukri Rrahimin dhe tha se të zbresim në nivel të thikave e shtabeve të luftës është e rrezikshme. Në një moment të tensionimit të situatës e kundërshtova rreptë Shukri Rrahimin, duke i thënë kush do të luftoj, kur ju të gjithë do të ktheheni në vendet tuaja, ju bile drejt në Parlament të Maqedonisë, meqë ishte deputet. Shtrova nevojën e një qëndrimi unik të shqiptarëve rreth regjistrimit të popullsisë dhe braktisjes së APJ-së nga ana e ushtarëve shqiptarë. Vetoni angazhohej për rrugën e një rrezistence aktive, por as paqësore e as të armatosur, siç thoshte, sikundër që nuk e preferonte as aventurizmin politik, por as oportunizmin politik. E kërkonte një këshill apo komitet të rrezistencës apo qëndresës jashtë partive dhe jashtë Kuvendit, por kërkonte që të përkrahen nga partitë dhe Kuvendi. Në këtë drejtim, e lexoi një proklamatë, me disa pika. Në “stenogramin” tim nuk është e përfshirë proklamata dhe nuk mund ta parafrazoj.

Pasi u shterrën diskutimet, në fund të ditës së dytë, u bë një rezyme e pikave koncensuale të partive politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Dhe krejt në fund, u formua komisioni për të përgatitur një komunikatë për opinion në përbërje: Veton Surroi, Mehmet Kraja dhe Riza Halimi. Komunikata e shkurtër, pak e ndryshuar, nuk e dinim nga kush, u emitua në Radio-Zagreb, e vetmja dritare e shqiptarëve në kohëzgjatje prej 5 minutave në ora 22,30 minuta. Nuk zgjati as disa ditë, Tugjmani, i pakënaqur me përfundimin e takimit, e çoi këtë emision në ora 1,30 pas mesnatës dhe vetëm pas disa ditëve e mbylli krejtësisht.

Ne nuk ishim në dijeni se zhvillimi i punimeve po inçizohej. Me faktin se më vonë qarkullonin disa versione të inçizimeve të takimit, tregon se është përgjuar nga disa shërbime. Takimin kanë mundur ta inçizonin KOS-i i APJ-së, sigurimi shtetëror jugosllav, sigurimi serb, shërbimet e pushtetit të Tugjmanit apo edhe shërbimet e huaja.

Pas përfundimit të takimit të përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Jugosllavi, u mbajt një takim në vete i të gjithë përfaqësuesve nga Kosova aty në Banjë me delegatët e Kuvendit të Kosovës. Diskutuan sipas radhës: I. Rugova, I. Ramajli, S. Hashani, B. Gjurgjeallo, M. Shabani, S. Skenderi, N. Hoxha, B. Kavaja, H. Muharremi, F. Agani, A. Aliu, H. Islami, I. Ramajli. U bisedua për gjendjen në Kosovë dhe mundësitë e kapërcimit të saj dhe pozitën e delegatëve, e cila njëmend ishte shumë e vështirë; ndjeheshin si të braktisur nga ana e institucioneve të kohës në Kosovë, veçanërisht nga Qeveria.

Rugova, Surroi, Aliu, Kraja dhe unë do të ktheheshim me veturën me të cilën kishim shkuar, të “Kompasit”; pra do të na bashkoheshin në udhëtim Rugova dhe Surroi, që e kishin të aranzhuar një takim në Ambasadën Frënge në Beograd. Pasi mbaruan punë në Ambasadë, ku edhe kishin drekuar, morëm rrugën për në Prishtinë, ku arritëm pas mesnatës. Disa herë patrullat e policisë na ndalën rrugës. ”Kapllarët” e Tomës, që e ruanin me pushka Rugovën në hotel në Stubiçke Toplice derisa flente, mbetën në Zagreb, ndërsa Rugova bashkë me ne erdhi nëpër Kroaci, ku u vinte era luftë, dhe pastaj nëpër Serbi deri në Prishtinë.   

Aventurierët e kohës, çfarë ishin Tomë Berisha dhe Mahmut Bakalli, dy ish-udhëheqësit ushtarako-partiakë në Jugosllavinë komuniste, ishin zotuar te regjimi i Tugjmanit se do t’i fusnin shqiptarët e Kosovës dhe rrjedhimisht gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi në një luftë krejtësisht ta pabarabartë, kur shqiptarët do të bëheshin “kurban” për interesat e këtij regjimi. Angazhimi i tyre për luftë të armatosur vinte madje në kohën kur bashkësia ndërkombëtare në krye me SHBA-të përmes ambasadorit në Beograd, W. Zimmermann, bënte apel çdo ditë që shqiptarët të mos e pranojnë provokacionin që po u përgatitej nga të gjitha anët në ish-Jugosllavi; atëherë Amerika ishte e zënë me luftën e Gjirit. Kur erdhi njëherë ambasadori amerikan në Prishtinë, u shtrua çështja e përjashtimit të punëtorëve nga puna, që kishte arritur shifrën afër 100.000. Burhan Kavaja nga BSP tha se kemi përgatitur një plan për t’i kthyer punëtorët në punë. Përgjigja decidive e ambasadorit Zimmermann ishte: mbështetjen e Amerikës këtu nuk e keni, sepse kjo do të thotë luftë, ndërsa Amerika nuk e përkrah luftën.

Problemi tjetër për ithtarët e luftës ishte se kush do ta organizonte dhe kush do ta bënte luftën në terren? Kush do ta mbështeste “Këshillin e Qëndresës Popullore të Kosovës”, prapa të cilit ishte M. Bakalli and company? Pa mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk mund të bëhej asgjë, sepse ajo e kontrollonte gjithë situatën në terren. Përfaqësuesit e LDK-së (Rugova, Agani, Aliu, Kraja), H. Islami, R. Halimi, V. Surroi dhe pjesëmarrës të tjerë e kundërshtuan opcionin e luftës së armatosur, disa mbetën neutralë. Nervoza dhe sjellja arrogante e obliguesve të luftës sa vinte e shtohej. Lazër Krasniqi, që ishte në anën e këtyre obliguesve, pyeti disa herë se çka jemi ne këtu, ne jemi për të sjellë vendime etj., dhe insistonte sikurse edhe mbështetësit e luftës të formohej një instancë “demokratike” shqiptare. Mirëpo, “Këshilli i Qëndresës Popullore të Kosovës” do të mbetej në Zagreb në krye me Bakallin dhe Tomë e Fran Berishën! Mbetej të futej në obligime të luftës së armatosur Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Rugovën. Pas ngritjes së emocioneve, madje edhe ofendimeve të ndryshme, kundërshtimit të rrepët të Rugovës dhe përfaqësuesve të LDK-së dhe të tjerëve, mbisundoj arsyeja dhe opcioni i luftës nuk u pranua.

Sipas “heronjëve të luftës”, lufta do të hapej në Kosovë, ndërsa disa nga “heronjtë” do të qëndronin në Zagreb (Tomë e Fran Berisha, Mahmut Bakalli, Muharrem Nexhipi, Zef e Tomë Marku etj.), disa do të aterronin me avion në Shkup për të vazhduar luftën politike në institucionet e Maqedonisë (Hysen Ramadani, Shukri Rahimi, Sami Ibrahimi, Ilaz Halimi); Lekë Lulgjuraj nga Mali i Zi do të zbarkonte në Podgoricë. Luftën do ta bënin shqiptarët e Kosovës, ndërsa do të përfitonin regjimi i Tugjmanit dhe “heronjtë e luftës”. Në qoftë se lëvizja e atëhershme politike në Kosovë, që quhej “Alternativa Kosovare”, ndonëse pa eksperiencë politike, ka bërë diçka për ta vlerësuar në atë kohë për Kosovën dhe shqiptarët (evitimi i gjakderdhjes dhe i eksodit masiv), atëherë ishte pikërisht kundërshtimi i opcionit të luftës në Stubiçke Toplice dhe përqafimi i opcionit të rezistencës paqësore, që haste në simpati te perëndimorët dhe në veçanti te amerikanët.

Vështruar nga perspektiva e sotme, duket joshëse kërkesa për luftë të armatosur kundër Armatës Jugosllave në fillim të vitit 1991, kur luftërat e armatosura të Serbisë së bashku me APJ-në kundër popujve joserbë, në radhë ta parë kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, ishin në prag të shpërthimit. Nga kjo distancë, ata që e kërkonin luftën e armatosur në atë kohë nga radhët e shqiptarëve, sot fare lehtë mund të na dalim “trima” dhe “patriotë”, ndërkaq ata që e kundërshtuan këtë luftë edhe më lehtë mund të cilësohen si “tradhëtarë”, sikundër e cilësuan Rugovën (F. Berisha), por edhe prof. Aganin (H. Muharremi) nga se kishte një mendim të tij që ndërlidhej me daljen ose jo në zgjedhje në nivel të Kosovës sipas Kushtetutës sonë (të nxjerrë në Kaçanik më 7.09.1990), por ditën që i shpallë Serbia;  profesori mendonte se dalja në zgjedhje do të ishte në funksion të mbajtjes së çështjes së Kosovës të hapur nga se supozonte se regjimi serb do t’i pengonte kandidatët shqiptarë dhe për këtë bota do të merrte vesh!

Sigurisht se shqiptarët nuk ishin ata që do ta pengonin luftën në Kosovë. A do të kishte luftë varej nga vlerësimi i Serbisë dhe i APJ-së. Mirëpo, hyrja në një aventurë në të cilën ishin zhytur Tomë Berisha dhe Mahmut Bakalli, ishte rrezik shumë i madh për gjithë shqiptarët, deri në fshirjen e tyre nga faqja e dheut. Çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve do të ishte harruar, sikundër u harrua problemi i Krajinës së Kninit dhe i serbëve në Kroaci, madje në vitin 1995, pas shumë viktimave në Kroaci dhe BeH që ndodhën në sytë e gjithë botës dhe në prag të Marrëveshjes së Dejtonit (1995). Kur u poqën kushtet, të brendshme dhe të jashtme, shqiptarët e kapën pushkën dhe lufta e tyre në Kosovë (UÇK), në Luginën e Preshevës (UÇPMB) dhe në Maqedoni (UÇKSH) solli rezultate pozitive. Por kjo ndodhi 8-10 vjet më vonë, kur u mor mbështetja e faktorit ndërkombëtar dhe Serbia u akuzua nga bashkësia ndërkombëtare si shkaktare dhe fajtore e luftërave dhe e tragjedive njerëzore dhe materiale. Tomë Berisha atëbotë bënte jetën e tij në Zagreb, ndërsa në prag të luftës së Kosovës Bakalli me Baton Haxhiun tinëzisht, pa i autorizuar askush, takoheshin me pjesëtarët e sigurimit serb (J. Stanishiqi i Millosheviqit etj.)! Pra nuk e kapën këta pushkën dhe nuk e bënë organizimin e luftës në Kosovë!

Në qershor të vitit 1993, pasi pëlciti lufta në Kroaci dhe BeH dhe u pa se çka ndodhi dhe çka po ndodhte, i takova para hotelit “Dajti” në Tiranë Tomë Berishën dhe Zef Markun. Toma më tha ju kosovarët dolët të mençur, duke aluduar në takimin e Stubiçke Toplicës, por nuk deshi të bisedoj më gjatë, bëhej sikur nuk ka kohë. T. Berisha edhe një udhëheqësi të lartë të LDK-së atëherë i kishte kërkuar falje për qëndrimin në Stubiçke Toplice.

Gjykuar nga ky takim, Mahmut Bakalli ishte një njeri tejet i papërgjegjshëm dhe aventurier. Në dimrin e vitit 1996 kur Demaçi, Qosja dhe Bakalli kishin hapur një fushatë të tërbuar kundër Rugovës, më thirri Iljaz Kurteshi dhe më tha se a mund të takohemi me Bakallin. Dakord, zhvilluam një bisedë të gjatë në shtëpinë e Bakallit. Hera e parë që hyra në shtëpinë e tij, por edhe nuk e njihja mirë. U ankua se e ka mashtruar Qosja: në ”Zëri” ka bërë një shkrim kundër tij, por kur e ka bërë Bakalli përgjigjen, ai i ka thënë të lutem mos e boto, sepse në numrin e ardhshëm do ta korrigjoj. Kurrë nuk e bëri korrigjimin; mashtrimi ishte stili i tij! Me atë rast, në prani të I. Kurteshit, që angazhohej sinqerisht për çështjen, ia përmenda Bakallit mbledhjen në Stubiçke Toplice dhe kushtrimin e tij për kryengritje dhe nga ai mora përgjigjen: krejt kishte qenë gabim! Ta quajsh vetëm gabim një sjellje të tillë që do t’i çonte shqiptarët në masakra dhe deportim masiv për vetëm disa ditë ishte në anën tjetër të arsyes. Ndërkaq, në qershor të vitit 2003 në Tiranë njëri nga pjesëmarrësit e takimit në Stubiçke Toplice (një delegat i Kuvendit) më tha se pas refuzimit të kërkesës për hapjen e luftës së armatosur në Kosovë në kuadër të ”Frontit të Jugut”, ka ekzistuar plani që të gjithë kundërshtarët e kësaj kërkese në Stubiçke Toplice të likuidoheshin! Për këtë kishim dëgjuar edhe më parë.

Mund të kuptohet në një mënyrë sjellja e Tomë Berishës nga se logjika e ushtarakut e parapëlqen luftën,  por një politikan me përvojë, çfarë ishte Bakalli, nuk guxonte të binte në ato kurtha vetëvrasëse. Pas takimit në Stubiçke Toplice, sipas informatave që mora më vonë nga disa udhëheqës të ish-Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD), emisarët e Tugjmanit apo të vetë Millosheviqit (një emisar me emrin serb Nikoliq) kishin ardhur te drejtuesit e kësaj partie për t’i bindur që edhe shqiptarët e Maqedonisë, bashkë me VMRO-n e atëhershme, të futeshin në luftë kundër JNA-së (APJ-së – Armatës Popullore të Jugosllavisë), të cilët do të bashkoheshin me shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërinë në hapjen e “Frontit e Jugut”. Udhëheqja e PPD-së, e shqetësuar, pa u vonuar e kishte ftuar Presedentin Rugova për të marrë informacionet e duhura dhe mendimin e tij. Rugova vendosmërisht e kishte shprehur mendimin negativ, duke thënë se kjo është një aventurë katastrofike për të gjithë shqiptarët në Ballkan. Po ta pranonim këtë provokacion, kishte theksuar ai, do ta pësonim shumë rëndë ne shqiptarët, por do t’i humbnim edhe aleatët tanë më të sinqertë, SHBA-të dhe NATO-on, që sygjeronin atëherë që të ndiqej rruga paqësore në zgjidhjen e çështjes sonë. Gjithashtu, më vonë u mor vesh nga disa burime që me kërkesë të Tugjmanit, Tomë Berisha kishte shkuar edhe te kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili në vitin 1992 u zgjodhë President i Shqipërisë, për të kërkuar që të futej edhe Shqipëria në “Frontin e Jugut”! Por Berisha e kishte refuzuar kategorikisht këtë kërkesë. Këto pohime u dhanë në disa qarqe mediatike, por ato kurrë nuk u demantuan!

Në atë kohë (fillimi i vitit 1991), kaptinë në vete ishte futja e ushtarëve shqiptarë në Gardën Kroate, që ende shërbenin në APJ. Forcat politike shqiptare të asaj kohe në Kosovë angazhoheshin që kjo armatë të braktisej, gjë që edhe ndodhi, por me shumë probleme dhe rreziqe. Edhe këtu roli i Tomë Berishës me “kapllarët” e tij ishte i papërgjegjshëm dhe tejet i rrezikshëm. Në këtë lojë të ndyrë ishte implikuar mjerisht edhe Zekeria Cana, atëherë veprimtar aktiv i KMLDNJ me seli në Prishtinë; me revole në dorë i kërcënonte ushtarët shqiptarë: “në Gardë, në Gardë”! Ai atëherë sillej në Kroaci dhe kishte kontakte të shpeshta me Dobrosllav Paragën, kryetar i Partisë së Drejtësisë, dhe disa qarqe të pushtetit kroat!

Shkruar nga: Akademik, Hevzi Islami- Prishtinë

Exit mobile version