“Dasmën do ta bëjmë me flamur dhe flamurin nuk e japim”. Fehmi Lladrovci, 2 shtator 1990, Shkabaj
Kishte ndodhë në ato ditë që disa dasma ishin prishë. Rrugës për në Pejë, dasmorëve u kishte dalë përpara policia serbe, u kishte marrë flamurin dhe i kishin futë ta shkelnin atë. Disa e kishin bërë, të tjerët, që nuk kishin pranuar, ishin rrahur. Çfarë do të bëhej në këtë dasmë? Nuk kishte asnjë dilemë.
Tregimin e dasmës me flamur e kam dëgjuar të njëjtë deri në imtësi, nga shumë shokë të Fehmiut. E kam dëgjuar nga Nuhi Ahmeti, Ramadan Avdiu, Abdulla Dërguti, Idriz Hyseni, Fatmir Istogu, nga baca Tush, nga shumë prej atyre që kanë qenë në këtë dasmë. Unë do të sjell vetëm njërin prej tyre:
Rrëfimi i njërit prej pjesëtarëve të shtëpisë Lladrovci:
“Vendosëm me shkue në dasëm me flamur kombëtar, flamurin e shtetit amë, sepse Azemi Vllasi e kishte ndërruar flamurin në vitin 1987, i kishte vënë yllin e Serbisë. U vendos familjarisht. Feha foli me dasmorët: “Ne do të shkojmë në dasëm me Flamur Kombëtar. Askush të mos e ketë ndryshe në mendje. Nuk do të shkojmë me flamur të ndryshuar, do të shkojmë me flamur kombëtar dhe flamurin do e mbrojmë. Nuk do e japim për të gjallë. Do të shkojmë të armatosur, kush është i gatshëm le të vijë, kush është me dy mendje të mos vijë. Sepse sot do të japim edhe jetën e flamurin nuk e japim.
Shumica ishin të një mendjeje. Meqenëse kishte të paarmatosur, nga disa u tha se nuk kemi armë, por Feha i qetësoi se e rregullojmë atë punë. Adem Jashari, si shok i Ramizit dhe i organizuar, ka qenë i ftuar në dasmë, mirëpo kishte pasë një dasmë në lagjen e tij dhe nuk kishte ardhë. Biseduam me Fehmiun dhe ramë dakord që të shkohej dhe të bisedohej me Adem Jasharin. Pse pikërisht tek Ademi? Sepse ishte shok i vendosur, kishte armë, ishte i besueshëm, e donte flamurin dhe nuk kishte burrë t’ia hiqte.
Ramizi, së bashku me Fatmir Istogun, shkuan tek Ademi dhe biseduan me të. Ademi tha se “Jam i gatshëm, edhe pse kam dasmë në familje, do t’i lë të gjitha e do të vij me ju. Veç prisni pesë minuta, sa t’i marr armët dhe municionin”. Ishte e diel paradite.
Ademi mori armët. Kishte një automatik, revole pesëmbëdhjetëshe, bomba dhe municion. Bashkë me të ka ardhë dhe Jakup Nura. Më përpara, Ramizi dhe Fatmiri ishin ndalë tek Jakup Nura në Prellovc. Jakupi ishte po ashtu dakord, ka marrë automatikun dhe revolen. Jakupi ishte i organizuar në LPK. Kur Ramizi kishte njohur Adem Jasharin, në vitin 1987, Jakupi ishte i organizuar.
Adem Jashari, Jakup Nura dhe shokët e tjerë erdhën në shtëpi. Jemi nisur për dasmë, morëm armët tona dhe të lagjes dhe disa që i kishte sjellë Shaban Zymberi, mik i yni dhe shok i organizuar në LPK, njeri shumë besnik dhe i devotshëm, dhe filluam me i shpërnda në fushë, haptas për çdo makinë. Makinat ishin rreshtue dhe bëhej ndarja e armëve. Nuk thoshte kush se nuk e dua, se ai që nuk e kishte dashur, nuk futej në makinë; dikujt revole, dikujt pushkë, dikujt bomba. Dhëndrri rrinte në shtëpi, sepse nuk e morëm, ishte mendimi se po krisi, mund të sulmohej shtëpia, Ramizit i lamë një pushkë snajperkë. Prej familjes shkoi Feha, Meti, baba, Ymeri, Sabiti, të gjithë të armatosur.
Kur janë nisë prej shtëpisë, si zakon, kanë qitë me armë. Kur kanë shkuar tek miqtë në Polluzhë, rrugës, nën një lis, ka qenë një pizgauer dhe një autoblindë. Nuk kanë tentuar me i ndalë, është pa flamuri, ka qenë edhe një polic shqiptar me ta, njëfarë Arsimi i Prekazit. Duke u treguar flamurin, u ka thënë diçka policëve serbë. Dasmorët kanë pritë fillimin e zjarrit. Kanë menduar se do t’i ndalojnë për t’ua hequr flamurin. Nuk ka ndodhë. Ka mundësi që të kenë pasë informacione se njerëzit janë të armatosur.
Pas postbllokut të rojeve, as 500 metra, ishte shtëpia e miqve. Aty kanë qitë pushkë, kanë bisedue me miqtë dhe u ka thënë Feha, se ne kemi vendosë me e mbrojtë flamurin, dhe në rast se na del dikush prej policisë, kemi vendosur të luftojmë. Miqtë kanë thënë se gjaku dhe flamuri është i përbashkët dhe se do të luftojmë bashkë me ju.
Miqtë kanë marrë armët e veta dhe janë nisë me një makinë. U kanë prirë dasmorëve, për të qenë edhe ata gati për luftë. Kur është bërë “për hajr”, para se me u nisë, kanë qëllue ndoshta të gjithë. Si duket nga krismat e armëve aq të shumta, postblloku kishte ikë dhe nuk dukej.
Miqtë janë Rrahman Istogu; vëllai i tij, Ismet Istogu ka qenë i organizuar në LPK.
Miqtë i kanë përcjellë deri në hyrje të fshatit.
Kur kanë ardhë krushqët në shtëpi, meqë ishim të njohur, Adem Jashari i ka thënë “mixha Tush, a ban nja dy a tri herë me ja krisë”. Baci Tush i ka thënë po, atëherë i ka shprazë dy karikatorë deri në fund, nuk i ka mjaftuar vetëm një. E ka vazhdue Jakup Nura. Pastaj edhe të tjerët, gjithë vendi është mbushë me krisma. Luftë thue, jo se po martohet një djalë. Është ngritë katundi në këmbë, kanë menduar se policia u ra Lladrovcëve dhe kanë ardhur burrat me luftue. I kanë pa njerëzit të qeshur dhe të qetë… dasma kishte filluar.
Nuhi Ahmeti:
“Në makinën time ka qenë një moment më i veçantë. Është futur aty Adem Jashari, Abdulla Dërguti dhe Jakup Nura. Jakupi ishte para, Adem Jashari dhe Abdullahu ishin prapa. Kur hinë, e dinim se do të ishin të armatosur. Kishte dy automatikë, një çantë plot me fishekë, kur i kemi vue prapa, është ulë pak makina. Makina jonë ka qenë e fundit, si në përcjellje të dasmorëve. Është vendosë të mos dorëzohet flamuri. Thuajse të gjithë kemi qenë të armatosur. Krisën automatikët në dasmë, miqtë u përgjegjën pushkë për pushkë.
Kur u kthyem, kanë marrë armët, municionin, duke e heqë i kanë rënë disa fishekë. Nuk i pashë. Kryem dasmën. Një pjesë e municionit mbeti tek unë. Kur u kthyem me Dulin (Abdulla Dërguti), nuk e dinim se çfarë kishim. Kur mbërritëm, më mori Fehmiu në telefon dhe më pyeti si shkuat. Mirë, i them. A kishit problem, pyeti përsëri. Jo, i thashë. A keni pa prapa se çfarë ka mbetë? Shkova dhe i gjeta. Nuk e kam ditë, deri sa është vrarë Adem Jashari, se e kam pasur në makinë. Kur shkuam ta shihnim, pasi u kthye Fehmiu, në Abri, me Idriz Hysenin, Shaban Shalën, Hafir Shalën dhe Hilmi Reçicën, tue bisedue ra fjala tek familja e Ademit. Më tha se ti e ke njohur, se ka qenë në makinën tënde tek dasma e Ramizit. Atëherë më janë kujtuar fishekët…”.