Epilogu

Historiani britanik: Projektet e Hoxhës dhe Shehut për një ushtri të rezistencës në Kosovë

Historiani dhe publicisti, James Pettifer zbulon detaje deri më tani të panjohura të nxjerra nga arkivat ruse, amerikane, serbe, zvicerane. Projektet e para të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për krijimin e një grupi rezistencë në Kosovë

Projektet e Hoxhës dhe Shehut për një ushtri të rezistencës në Kosovë

Në Shqipëri, pas prishjes me Titon dhe pas lëvizjes ndërkombëtare komuniste të vitit 1948, Enver Hoxha nuk i kishte braktisur krejtësisht kosovarët në mëshirë të fatit, siç kanë deklaruar shpesh kritikët e tij në botën shqiptare. Për të, problemi i Kosovës ishte një mënyrë për të filluar përkufizimin e Shqipërisë së re kundër Jugosllavisë dhe rrëshqitjes së kësaj të fundit në teorinë dhe praktikën kapitaliste.
Aktiviteti subversiv i udhëhequr nga shërbimet sekrete ishte taktika e tij e preferuar, me anë të së cilës pjesa më e madhe, për të mos thënë krejt aktiviteti i mbështetur nga Tirana ishte i mohueshëm dhe Hoxha mund të fillonte të ushtronte të paktën njëfarë trysnie të vogël mbi Beogradin duke përdorur burimet tepër të kufizuara të Shqipërisë. Për sa i përket kësaj, pas vitit 1948, ka shumë mundësi që ai të paktën të jetë këshilluar me burimet sovjetike. Hoxha kishte një marrëdhënie të ngushtë me ambasadorin sovjetik në Shqipëri, Dimitri Çuvahin, i cili ishte një nga figurat kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Moskës, me përvojë në shërbimet sekrete dhe me mundësinë për t’u takuar drejtpërdrejt me Stalinin Në vitin 1949, Enver Hoxha dhe komandanti ushtarak, Mehmet Shehu, kishin pasur komunikim me Stalinin për mundësinë e krijimit të një force të armatosur për të përmbysur qeverinë e Titos në Beograd, duke filluar me një kryengritje të armatosur në Kosovë. Në ditarin e tij të 5 korrikut të vitit 1949, Çuvahini përmend një diskutim që kishte pasur me Shehun për mundësitë ushtarake për të luftuar kundër regjimit “revizionist” brenda Jugosllavisë Jugore, edhe pse nuk kishte një tablo të qartë të strategjisë së Moskës, transmeton “Express”.
Ai shkruan: Midis nesh është shtruar çështja se si të organizojmë luftën kundër titistëve në Jugosllavi. Nuk e dimë se cila mënyrë është më e mirë, që çdo republikë në Federatën Jugosllave të luftojë kundër klikës së Titos në mënyrë të pavarur dhe, në një rast të tillë, lufta mund të caktohet në krahinën autonome të Kosovës dhe të Metohisë, apo që lufta kundër trockistëve jugosllavë nga klika e Titos duhet të zhvillohet nga një qendër e vetme…

Duke pasur parasysh dëmin që kishte shkaktuar komanda ushtarake staliniste ndaj kauzës republikane në Luftën Civile Spanjolle, gjë që Mehmet Shehu e kishte parë personalisht, kuptohet që opsioni i dytë nuk i pëlqeu shumë dhe e kundërshtoi idenë, duke u përgjigjur, sipas Çuvahinit: “Për mua personalisht kjo çështje është shumë e qartë, në kuptimin që klika e Titos mund të përmbyset vetëm me anë të një lufte të armatosur kundër saj dhe kjo luftë e armatosur duhet të fillojë në Kosovë dhe Metohi, ku është më e lehtë ta nxisësh popullsinë kundër klikës së Titos”. Për Çuvahinin kjo do të thoshte se Shehu ishte në favor të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, dhe ai thekson:

të Kosovës dhe të Metohisë çështja nëse rajoni duhet të bashkohet ose jo me Shqipërinë është e vendosur, domethënë, K dhe M duhet të bashkohen me çdo kusht me Shqipërinë. Çështja e vetme që shtrohet është se kur do të jetë më e përshtatshme të angazhohemi me këtë slogan ndër popullatën shqiptare të K dhe M: pas fundit të luftës me klikën e Titos apo gjatë rrjedhës së luftës…

Në këtë atmosferë, Hoxha filloi të organizonte infiltrimin e Kosovës me militantë të trajnuar, të cilët kishin si detyrë krijimin e celulave të fshehta të “spiunëve të fjetur” për të qenë gati për të luftuar kundër kontrollit të Beogradit në të ardhmen afatgjatë dhe për të siguruar informata sekrete për Tiranën dhe Moskën në planin afatshkurtër. Shpesh, këto rezultuan në objektiva kontradiktorë….. Me kalimin e viteve ’50 pati një ndryshim të theksit, me prioritetet e spiunazhit të Tiranës për llogari të Moskës që po i prishnin të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një ushtri të rezistencës. Megjithatë, ideali i një ushtrie kosovare nuk u shua asnjëherë. Gjyqi i vitit 1956 për spiunazh në Prishtinë hyn në këtë paradigmë, edhe pse është e dyshimtë nëse Noel Malcolm ka të drejtë kur thotë se kishte pak prova për aktivitet hoxhist në këtë ngjarje.

Exit mobile version