Hoti flet si Kryeministër në ardhje, akuzon Kurtin se propozoi masa gjysmake ndaj COVID-19
I
sh-Zëvendëskryeministri i Parë, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë e Albin Kurtit se propozoi masa gjysmake për të dalë nga kriza që ka prekur Kosovën si pasojë e koronavirusit.
Ai ka thënë se masat e propozuara janë të pazbatueshme pasi duhen ndryshime ligjore për të vënë në jetë pakon e propozuar prej 170 milionë eurosh.
“Masat e propozuara nga Qeveria në detyrë janë jo komplete dhe të pazbatueshme në praktikë. Ato masa kërkojnë ndryshimin e Ligjit të Buxhetit për 2020, e cila gjë nuk mund të bëhet me një Qeveri në detyrë”, ka shkruar Hoti, në një postim në Fb, pas takimit që ka pasur me udhëheqësit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odëës Ekonomike Amerikane bashkë me disa biznese.
“Shprehëm qëndrimin tonë se bizneset duhet të kenë mbështetje të menjëhershme, për të parandaluar mbylljen e tyre dhe humbjet e vendeve ekzistuese të punës, si dhe mbështetje afatgjate për investime të reja dhe zgjerim të punësimit”, ka shtuar ai.
Anëtari i Kryesisë së LDK’së ka thënë se masat afatgjate duhet të sigurojnë rimëkëmbje ekonomike në pjesën e këtij viti dhe në vitin e ardhshme duke i vënë në funksion të gjitha burimet e financimit për bizneset.
“ Sa i përket mbështetjes së menjëhershme, duhet masa të shpejta për të parandaluar daljen e firmave nga tregu dhe mbylljen e tyre. Nëse firmat mbyllen tani për shkak të krizës, do të jetë shumë më e kushtueshme për shtetin të kthejë prapë ato në treg”, ka shtuar ai.
Ai ka dhënë edhe propozime se do të dilet nga kjo krizë.
““ (a) Për bizneset e mëdha, mbështetja mund të jetë përmes kredive me greis periudhë të gjatë dhe me normë shumë të ultë të interesit, si dhe duke parë mundësinë e aranzhimit të kohës së pagesës së obligimeve tatimore. (b) Për ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet, mbështetja duhet të jetë e drejtpërdrejt duke financuar kapitalin fizik dhe kostot operative afatshkurtra. (c) Për bizneset bujqësore, përpunuese të produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe për bujqit, mbështetja duhet të jetë masive, e menjëhershme dhe e drejtpërdrejt, e targetuar në produkte me produktivitet më të lartë, e cila mbështetje siguron që të zvogëlojmë brenda dy viteve varësinë nga importi i produkteve bujqësore. Kjo është gjithashtu me rëndësi sepse bujqësia dhe zinxhiri prodhues e përpunues bujqësor është intensiv në faktorin punë, pra angazhon mjaft fuqi punëtore. Investimet kapitale në bujqësi duhet koncentruar urgjent në rritjen e sipërfaqeve nën ujitje, e cila e rrit produktivitetin shumëfish”, ka propozuar ai.