Pas raportimit të komisionit për Shënjimin e Vijës Kufitare Shtetërore para Qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se këtë raport ata do e dërgojnë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, aty pret të arrihet një gjuhë e përbashkët.
Megjithatë, ai ka parashtruar disa pyetje në drejtim të komisionit duke thënë se si ka mundësi që për shënimin e dy pikave kufitare, janë përdorur kritere të ndryshme.
“Nuk mundet një anëtar i komisionit një metodë tjetër dhe të tjerët të përdorin një metodë tjetër. Kur pash hartën dhe kur dëgjova shpjegimin prej pikës kufitare të trekëndëshit Kosovë-Shqipëri dhe Mali i Zi, përdoret kriteri kadastal, por për pikën kufitare me Kosovën dhe Malin e Zi, te Kulla përdoret kriteri topografik. Pra, si mund të shënoni kufirin me Malin e Zi në dy pika të ndryshme me dy kritere të ndryshme.
Në anën tjetër kur kemi shënuar kufirin me Maqedoninë kemi përdorur kriteret kadastrale. Nëse i ikim kriterit kadastral, çfarë pasoja do të kemi në kufijtë tjerë? Çka nënkupton kjo për situatën që do ta kemi në të ardhmen?”, kanë qenë disa nga pyetjet e Hoxhajt që i ka drejtuar komisionit.