Epilogu

Humb Ramë Vataj, Ismet Temaj, zgjedhet rektor i UPZ-së

Ismet Temaj, profesor i matematikës është zgjedhur sot rektor i Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”, por ligjshmërinë e procesit e ka kontestuar Artan Nimani, anëtari i Këshillit Drejtues të këtij universiteti.

Zgjedhja e tij është bërë në rrethin e dytë të votimit, në Këshillin Drejtues të Universitetit, ku Temaj mori 4 vota, ndërsa rektori aktual Ramë Vataj, asnjë votë, pasi tre nga anëtarët e KD nuk morën pjesë në këtë rreth votues.

Në konkurrencë kanë qenë 4 kandidatë: Ramë Vataj, Ismet Temaj, Bekim Berisha dhe Shkëlqim Millaku.

Kryetari i KD të Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Bedri Muhadri ka thënë për “Gazeta e Prizrenit.net” se procesi ka qenë i rregullt, pasi intervistimi i kandidatëve është bërë në bazë të dinamikes dhe të gjithë morën pjesë në intervistë duke shpalosur programet e tyre, të cilat dëshmuan se ky universitet ka perspektivë.

“Ka qenë një garë e dinitetshme. Kemi respektuar statutin. Fillimisht jemi marrë vesh që në rastin e votimit nuk do të bëhet pauzë midis rretheve votuese, por ndonjë pauze të vogël për relaks. Për këtë kemi shkuar në votim pa ndonjë pauzë, por në rrethin e dytë votues nuk morën pjesë tre anëtarë të KD-së”, ka thënë ai.

Në rrethin e parë ishte ku rezultat: për Vatajn ishin 3 vota, Temajn 4, derisa Berisha e Millaku nuk morën asnjë votë.

Pasi asnjëri i konkurrentëve nuk mori 2/3 e votave të nevojshme u dashtë të zhvillohet edhe rrethi i dytë, që rezultoi me fitoren e Temajt, për një mandat 4 vjeçar.

Në mbledhjen në të cilën u bë intervistimi, ndër tjerë si vëzhgues ishin edhe përfaqësuesi i studentëve si dhe ai MASHT-it.

Exit mobile version