Epilogu

Huqja e Kurtit: Kërkon që Kosova të bëhet pjesë e organizatës ku anëtare është që nga viti 2015

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç duket nuk ia ka idenë për proceset që ka kaluar vendi para ardhjes së tij në pushtet dhe për anëtarësimet e Kosovës në organizata të rëndësishme.

Paaftësia e kësaj Qeveria ka arritur deri në pikën kur kryeministri Kurti po propozon që të ri-anëtarësohemi nëpër organizata që Kosova ka vite që është pjesë e tyre. Në mbledhjen e së shtunës, Kurti propozoi që të shqyrtohet nisma për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo Konventës së Parisit, raporton Demokracia.com.

Kryeministri i vendit duket se ka mungesë të informacioneve të shumta, përderisa nuk e di që Kosova është e anëtarësuar në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave që nga dhjetori i vitit 2015.

Dokumentet e anëtarësimit në këtë Byro ishin nënshkruar nga Hashim Thaçi.

Se Kosova është e anëtarësuar në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave e dëshmojnë edhe informacionet në faqen zyrtare të kësaj organizate, raporton Demokracia.com.

Për herë të parë, Kosova pas anëtarësimit në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave mori pjesë ne Ekspozitën Ndërkombëtare të Hortikulturës gjatë vitit 2016, “Expo 2016 Antalia”.

Memli Krasniqi, atë kohë Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte hapur pavijonin e Kosovës në ekspozitën ku pjesëmarrëse ishin edhe 50 shtete të tjera.

Këtë huqje të madhe që më së miri e shpërfaq paaftësinë qeverisëse, Kurti është përpjekur ta paraqesë si punë të madhe të Qeverisë së tij, duke thënë se “po ecin përpara me nisma që kanë për qëllim promovimin e Kosovës”, raporton Demokracia.com.

“Një të tillë do ta shqyrtojmë tani në mbledhjen e Qeverisë, atë për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo aderimin në Konventën e Parisit që ka për qëllim përfundimtar faktorizimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore, kulturore dhe potencialeve ekonomike si dhe avantazheve për investime në vendin tonë”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë që u mbajt sot.

Propozimi qesharak i Kurtit, i cili fillimisht u bë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është votuar me shumicë votash nga ministrat, që duket nuk se nuk janë të informuar as për organizatat ku bën pjesë Kosova./Demokracia.com/

Exit mobile version