Epilogu

Hydajet Hyseni kritikon partinë e tij për nxitje të frymës përçarëse në skenën politike në vend

Hydajet Hyseni është një ndër deputetët më me përvojë të Vetëvendosjes, por kontributi i tij në debatin publik është shumë modest. Ai është eklipsuar nga deputetë shumë më të zëshëm si Dimal Basha, Mefail Bajqinovci, Fitore Pacolli etj. Por, ky ‘eklipsim’ mund të ketë ardhur – ndoshta – edhe sepse nuk ka pasur qëndrime ‘joabstenuese’ për të ofruar. Megjithatë, papritmash ai u bë pjesë e vëmendjes sërish.

Hydajet Hyseni njihet si simboli i abstenimit, përkundër veprimtarisë së gjatë në shërbim të kauzave për lirinë e Kosovës. Ai raportohet se kishte qenë abstenues edhe sa kishte qenë në PDK, dhe ka mbetur i tillë edhe tash në Vetëvendosje.

Vetëvendosje ka 59 deputetë në Grupin e saj Parlamentar. Shumë prej këtyre deputetëve kanë shprehur mospajtime të ndryshme me Qeverinë Kurti apo me shefen e tyre, Mimoza Kusari Lilën.

Mes këtyre deputetëve është Haki Abazi, Eman Rrahmani, Alban Bajrami, Visar Korenica, Fatmir Humolli e shumë të tjerë. Megjithatë, deri tash nuk kishte pasur asnjë pakënaqësi të shprehur nga deputeti Hydajet Hyseni.

Hyseni kishte kryesuar edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, dhe e cila ishte përshkuar nga një atmosferë e zymtë dhe me kritika të Kurtit ndaj vartësve të tij.

Por, tash së fundi diçka duket se e ka penguar.

Çka tha tash Hyseni?

Hydajet Hyseni nuk ishte i rezervuar si zakonisht në paraqitjen e fundit mediale.

Siç raporton Tëvë1, gazetari 68 vjeçar nga Gjilani, kësaj here kishte kritika ndaj partisë së tij për nxitje të frymës përçarëse në skenën politike në vend.

“Për fat të keq mund t’i bëhen vërejtje të dyja palëve. Ndonjëherë edhe ua kam thënë ndonjë fajlë edhe bashkëpveprimtarëve.” – nisi fjalën e tij Hyseni për dy videot e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Por jo me atë gjuhë jo me atë qasje rrënuese që mbyllë derën e çfarëdo afrimi e bashkimi. Sinqerisht mua më bëhet e pamundur të marr pjesë në diskutimet për shkak të mënyrës si zhvillohen ato,” – vazhdoi fjalën e tij Hyseni.

Denoncimet e gjuhës së urrejtjes dhe mosdurimit kanë qenë të rralla në Lëvizjen Vetëvendosje, parti e shquar për një gjuhë të papranueshme në sferën publike.

Por, shihni argumentet e reja të z. Hyseni që krahason Kosovën me Ukrainën, por më pas tërheq krahasimin dhe më pas rivendos krahasimin sërish:

“Dhe ndodh pastaj që edhe nga ana tjetër të ketë qasje të tilla dhe vërtetë bëhet kjo në një kohë kur nuk do të duhej. A ndodhin këto në Ukrainë dhe në shumë vende të tjera. Por ne nuk jemi si në Ukrainë, po nuk jemi edhe larg situatës së tillë. Prandaj, si thonë të keqes duhet prerë rruga para se të ndodhë dhe i prehet me bashkim,” – u shpreh Hyseni.

Relativizues i përplasjeve në VV

Hydajet Hyseni i njohur me nofkën Kaloshi foli edhe për përplasjet në Vetëvendosje, e të cilat u mundua t’i relativizonte.

“Nuk ka në Vetëvendosje siç theksohet, mendohet dhe dëshirohet përplasje të mëdha. Ka nuanca, dallime debate a më besoni që Vetëvendosje prej fillimit në të cilën kam qenë pjesë e saj më ka habitur me lirinë e debatimit…” – u shpreh z. Hyseni.

Por, megjithatë pak e hiç dihet në lidhje me kontributin e Hysenit në debatet partiake për të cilat foli. Hyseni nuk përmendi sa eliminimet nga gara e brendshme partiak të kandidatëve të cilët janë kundër Projekt-Kodit Civil.

Megjithatë, dalja e Hysenit në këtë moment në dritë si një kritik fragmentar i Vetëvendosjes mund të jetë domethënës në kuadër të zhvillimeve të partisë. Posaçërisht kur dihet se videot e fundit të kësaj partie u postuan pas konsolidimit të radhëve me strukturat e reja që dolën nga zgjedhjet e fundit.

Exit mobile version