Zëvendësministri, Hysen Durmishi po udhëheqë me çështjet e infrastrukturës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pas bashkimit të dy ministrive. Pas shumë raportimeve për keqpërdorime në tender nga MMPHI nga Periskopi, z Durmishi ka vendosur që të bëjë një denoncim korrupstiv në ministrinë e tij, i cili lidhet me një rast të qeverisë së kaluar. Periskopi ka gjetur se pikërisht në atë tender që zëvendësministri e ka denoncuar në rrjetin social, një skandal lidhet edhe me qeverisjen e tij.
Në Facebook zv. Minsitri Dumrishi ka shkruar se buxheti i shtetit është dëmtuar për qindra mijëra- euro nga një pozicion i kontratës për mirëmbajtën e rrugëve që ka qenë gati i panevojshëm të aplikohet.
“Kërkim falje. Para disa ditëve kam deklaruar se një Pick – up (automjet) i cili lëvizte në rrugë për të bërë inspektime se ku ka nevojë të intervenohet me kontratën e mirëmbajtjes është paguar në vlerë 850 mijë euro. Në fakt ky pozicion nuk i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 850 mijë euro por 900 mijë euro. Sulmet që na bëhen vazhdimisht janë edhe për shkak se nuk ka më pozicione të tilla. Nga 57 milion sa ka kushtuar mirëmbajtja në të kaluarën për tri vite ne e kemi zbritur në 30 milion euro. Vazhdojmë dhe nuk ndalemi asnjëherë”, ka shkruar Durmishi.
Për çka e ka fjalën z.Durmishi, dhe pse është në panik?
Fillimisht, në korrik të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqej nga Pal Lekaj kishte nënshkruar një kontratë që quhej “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore të autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri në kyçjen në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9”.
Kontrata ka qenë e ndarë në 2 lote (pjesë).
Lot 1 e kishte fituar kompania “Famis Co –HC” SHA në vlerë të përgjithshme 4,276,744,89 euro dhe kishte të bënte me mirëmbajtjen e autoudhës R7 (Morinë -Gjurgjicë), segmenti 1-5, kyçja dhe dalja në autoudhë.
Pjesën e dytë e kishte fituar grupi i kompanive “Damstation Project & Via Engantia& Urban” në vlerë prej 3,500,654,70 euro, dhe kishte të bënte me mirëmbajtjen: Segmenti Besi -Gjurgjicë, udhëkryqit të autoudhës A7/A6 – deri në Konjuh dhe kyçja me rrugën nacionale N2.
Kontratat kanë skaduar në korrik të vitit 2022, në qeverisjen e Durmishit.
Kontratat janë të përbëra nga disa porcione, p.sh, hedhja e kripës, heqja e borës, mirëmbajta e trupit të rrugës, mirëmbajta e objekteve për largimin e ujërave, mirëmbajta e shtresave të asfaltit, sinjalistika dhe pajisjet e rrugës e të tjera.
Nga ky tender, z Durmishi i është referuar lotit 1 mirëmbajtës (Morinë -Gjurgjicë), segmenti 1-5, kyçja dhe dalja në autoudhë. Ai ka publikuar një pozicion të kontratës për të cilin duket qartë se është bërë një pagesë marramendëse në krahasim me nevojën për të.
Bëhet fjalë për pozicioin e kontratës 1.2 që quhet “Inspektimet ditore të rregullta të autoudhës duke përfshirë edhe strukturat dhe objektet për largimin e ujërave”. Pagesa për të, sipas Durmishit është bërë 900 mijë euro, ndërsa e gjithë kontrata ka qenë 4.2 milionë euro.
Konkretisht, është angazhuar një veturë e cila ka inspektuar punimet, dhe siç e di Periskopi, këto inspektime janë bërë disa hërë në vit e për cilën është paguar një shumë marramendëse e parave.
Por ky nuk është ‘krimi’ vetëm që është bërë në këtë kontratë. Nga disa raportime të më hershme që ka bërë Periskopi, shihet që Durmishi po mundohet të mbulojë një skandal të kontratës tjetër të këtij tenderi, lotin 2 që ka të bëjë me segmentin Besi -Gjurgjicë, udhëkryqit të autoudhës A7/A6 – deri në Konjuh dhe kyçja me rrugën nacionale N2.
Çka ka gjetur Periskopi në këtë kontratë?
Kompania për lot 2, kishte nënshkruar kontratë me ministrinë në 2019, tek pozicioni i asfaltimit, kishte ofertuar me 0.5 centë për m2, ani pse çmimi i tregut ishte rreth 5 euro.
Kjo është bërë me qëllim që ofertuesi të dalë me çmimin më të lirë.
Decitivisht bëhët fjalë për pozicionin 5.5 që ka paraparë pozicionin “Shtesa e re qarkulluese SMA, 11 me trashësi mesatare prej 4 cm me gërryerje”. Në këtë kontratë, për tri vite, për këtë pozicion kanë qenë të parapara të asfaltohenj 210, 600. 00 m2, në një vlerë prej 0,5 cent për m2. Totali i saj i bie vetëm 10 mijë e 530 euro. Ky pozicion do të aplikohej veç nëse do të ishte e nevojshme.
Më të ardhur në pushtet LDK-LVV, faktikisht pas prishjes së koalicionit, ish- ministri Infrastrukturës, Arban Abrashi, e kishte gjetur valide këtë kontratë. Ai kishte vendosur që të aplikojë edhe këtë pozicion të kontratës. E kishte urdhëruar kontraktorin që të bëjë gërryerjen e rrugës ne nivel prej 4 cm dhe më pastaj shtrimin e asfaltit prej 210, 600. 00 m2. Bëhet fjalë për vendin ndërmjet Komaranit dhe Korroticës së Drenasit, në të dy anët e trupit të rrugës. Kompania kishte bërë gërryerjen e rrugës, por nuk e kishte shtruar atë, me arsyetimin se asfalti ishte shtrenjtuar shumë, dhe se do t’i kushtone rreth 2 milionë euro, ai pozicion për të cilin kishte vendosur çmime prej 10 mijë euro. Ministria e udhëhequr nga Abrashi nuk e kishte detyruar kompaninë të shtronte asfaltin në atë pjesë, por e kishte detyruar kompaninë tjetër (lot 1) që të bënte një asfaltim të rrugës e cila po ashtu kishte ofertuar me një çmim “për toke” për asfalt.
Meqenëse kontrata ka pasur validitet 3 vite, kontratën mbi tavolinë e kishte gjetur edhe Hysen Dumrishi. Rruga ishte akoma e gërryer, ndërsa kontraktori nuk e asfaltonte ani pse e kishte të paraparë me kontratë. Nuk e detyronte as Dumrishi.
Siç e kemi cekur më lartë, kontraktorët e saj kanë qenë konzorciumi i kompanive “Damstation Project & Via Engantia& Urban”. Pra linder i grupit ka qenë “Damstation Project”. Meqenëse rruga nuk po asfaltohej, Periskopi kishte publikuar një shkrim se kompania e njëjtë kishte arritur të fitonte një tender për mirëmbajte të rrugëve, ani pse nuk e kishte përfunduar kontratën paraprake.
Për më keq, menaxhmenti i udhëhequr nga z Dumrishi, ka bërë pranimin teknik të rrugës, pa përfunduar ai pozicion, madje paraprakisht kishte lëshuar referenca për kompaninë, në mënyrë që ajo të mund të fitonte përsëri tender.
Periskopi ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga zëvendësministri, Hysen Dumrishi ka lëshuar referenca për punët e kryera, për kompaninë “Damastion Project” më datë 03.03.2022 , për kryerje të punimeve, ende pa përfunduar kontrata dhe pa u përfunduar disa pozicione të kontratës.
Po ashtu, pos që është lëshuar referencë për kontratën që nuk ka përfunduar, Periskopi, posedon edhe dy procesverbalet për pranimin teknik të punimeve në këtë rrugë.
Bile, përveç që nuk është realizuar pozicioni 5.5 i kontratës për të cilin janë paraqitur punë në terren, tek pranimi teknik i punëve shihet që nuk janë realizuar edhe disa pozicione tjera, të cilat ministria mund të mos i është paraqitur nevoja për porosi të tyre, ani pse vet i ka vendosur si artikuj. Por, po të shihet çmimi i ofertës së kompanisë të këto pozicione që kanë zero realizmi, kuptohet se ato kanë qenë fiktive, pasi oferta në shumë prej tyre ka qenë vetëm 10 centë, ndërsa për ato të kryerat janë shumë të fyera.
Ligji nuk njeh “Referenca”, por certifikatë për punët e kryera
Referuar Ligjit të Prokurimit Publik -LPP mbi të cilin edhe realizohen kontratat publike, ministria ka vendosur kriter fiktiv, në kundërshtim me LPP-në, kur ka përmendur termin ‘Referencat’.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e ka sqaruar këtë para pak ditëve tek rubrika Pyetje dhe Pergjigje, ku palët e ndryshme kërkojnë interpretim të LPP-së, ky institucion u përgjigjet.
“Në asnjë nga dispozitat 65-70 të LPP-së nuk përmendet termi ”Referencë” në kuptim të dëshmisë që një operatorë ka kryer në mënyrë të knaqshme një kontratë. Kjo mund të dëshmohet me Raportin përfundimtar të kryerjes së punimeve apo me certifikata për kryerje dhe/ose përfundim te knaqshem te projekteve, e cila dëshmi përmendet ne nenin 69- te LPP-së. Megjithatë , nëse Autoriteti Kontraktues kërkon referenca për realizim te knaqshem te kontratave, duke specifikuar minimumin e numrit te referencave ne Dosjen e tenderit , dhe ne Njoftimin për Kontrate, referencat duhet te jene per kontratat e specifikuara ne Listën e kontratave dhe duhet te sillen nga anetari i grupit , nëse i njëjti ka qene ekzekutues i kontratave përkatëse, ne mënyrë që të konsiderohet se kërkesa është përmbushur nga grupi si tërësi”, thuhet në interpretimin e KRPP-së.
Pra, shprehimisht KRPP-ja ka thënë se autoritetet kontraktuese nuk mund të vendosin si kritere, kërkesën ‘Referenca për punët e kryera’, por Raportin përfundimtar të kryerjes së punimeve apo me certifikata për kryerje dhe/ose përfundim të kënaqshëm të projekteve.
Tek dokumenti i lëshuar për ‘Referenca’, nënshkrimin e kanë hedhur ish-Sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi dhe Drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, Ramë Qypeva.
Asfalti shtrohet pak nga dosti zv.ministrit
Duke parë raportimet e shpeshta për këtë kontratë, Durmishi kishte urdhëruar kompaninë që të bëjë shtrimin e asfaltit të gërryer në atë pjesë të rrugës.
Në korrik të vitit të kaluar, madje pas skadimit të kontratës, kompania “Via Engantia” se bashku në kompaninë “Bageri” kishin vendosur që të bëjnë asfaltimin e rrugës. Periskopi ka gjetur se aty është shtruar vetëm një sasi e vogël e rrugës, kurse pjesa dërmuese e saj ka mbetur e gërryer. Është edhe sot. Angazhimi i kompanisë “Bageri” në këtë projekt ka qenë i kundërligjshëm, pasi kompania e njëjtë nuk ka qenë nënkontraktor.
Tashmë nuk është sekret se zv. ministri është dost me pronarët e kompanisë “Bageri”.
Laboratori i ministrisë vërteton se asfalti i shtruar është jashtë standardeve
Dihet se MMPHI e ka të kontraktuar një laborator i cili bën ekzaminimin e materialeve ndërtimore dhe konstruksioneve, që quhet IMK “Ballkan Projekt” shpk.
Në çdo projekt, zyrtarët e ministrisë dalin në vendpunishte bashkë me laboratorin dhe shohin nëse materiali i vendosur ndërtimor është konform standardeve dhe kontratës. Kështu kanë vepruar edhe me asfaltin që është shtruar vjet në verë.
Raportet që janë hartuar në korrik 2022, flasin për punime skandaloze që janë jashtë standardeve të rrugës.
Aty shihet se në asfalt mungojnë fraksionet e agregatit (grupi i zhavorit).
Asfalti nuk është i punuar me gurë eruptiv, por gurë gëlqeror.
Edhe përqindja e bitumit është e ulët. (Për prodhim të asfalt-betonit si material lidhës përdoret bitumi për sipërfaqe qarkulluese).
Jashtë parametrave është edhe filleri (mielli guror ose filleri është material guror me madhësi të kokërrave më të vogla se 0.71mm. Pjesa e miellit guror kokrrat e të cilit janë më të vogla se 0.09mm, quhet mbushës. Përmbajtja e grimcave të imëta ndikon në indeks të ngurtësimit të bitumit, sepse prej cilësisë së mastiks bitumit (bitumi + fileri) varet karakteristika kohezive e përzierjeve të asfaltit. Roli i mastiksit është që jo vetëm të lidh kokrrat e agregatit po edhe të mbush zbrazëtirat në skeletin guror).
Më thjesht, asfalti duhet të përbëhet nga shumë komponentë për të qenë i lidhur ndër vete për rezistencë, dhe disa nga thërrimet e komponentës mungojnë, e disa kanë vlera shumë të ulëta të qëndrueshmërisë. Si rezultat, mungesa e këtyre komponentëve e bënë koston shumë të ulët të prodhimit të asfaltit.
Pra, asfalti është një përzierje e komponentëve përbërëse të vendosura e të ngjeshura në shtresë të caktuar. Përzërja e asfaltit është përzierje e agregatit të granuluar dhe bitumit të caktuar, më ç’rast të gjitha kokrrat e agregatit janë mbështjellur me bitum, dhe agregati është çdo material me prejardhje nga guri, i garantuar i cili përdorët në projektimin e përzierjes të asfaltit.
Çka identifikoi laboratori i ministrisë në këtë projekt?
Raportet janë të ndara me metrazh. Psh, tek profili P-180 m Parku i Biznesit në Korroticë, përqindja e bitunimit të kërkuar është mbi 6, ndërsa ka rezultuar të jetë 4. 87.
Përqindja e fillerit është dashur të jetë mbi 10, dhe ka rezultuar 4.77.
Laboratori ka vërejtur se trashësia e kërkuar prej 4 cm e asfaltit, në shumë pjesë është nën këtë kuotë, duke shkuar deri në 2.99 cm,
Laboratori nuk ka mundur të identifikojë llojin e bitunimit, pasi nuk i është ofruar mostra për ekzaminimet paraprake.
Kontrata tejkalohët për 700 mijë euro
Pjesën e dytë e kontratës ishte lidhur në një vlerë prej 3,500,654,70 euro, ndërkohë edhe pse nuk është përmbushura ajo sipas kushteve të saj, tek asfaltimi i rrugës, Periskopi ka gjetur se ka pasur një tejkalim prej mijëra eurove.
Duke u thirrur mbi Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Periskopi para disa ditëve ka pranuar qasje nga MMPHI në situacionet e pagesave për këtë tender. Aty shihet se pagesa totale ka qenë 4, 302, 924 euro, ose rreth 700 mijë euro mbi kontratën bazë. Kjo shumë është të paguar 41 stacione. 25 stacione janë paguar vetëm nga qeverisja aktuale për vitit 2021-2022. Se ka pasur tjekalim të kontratës e ka konfimuar edhe Zyra Kombëtare e Auditmit në raportin e fudit për MMPHI.
Tenderi në Prokurori
Para pak ditëve, Periskopi ka mësuar se Prokuroria ka nisur një hetim lidhur me dhënien e kësaj kontrate dhe menaxhimin e saj.
“Hetues policor të autorizuar nga Prokuroria Speciale kanë qenë në ministri dhe kanë marrë disa dosje lidhur më projektin “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri në kyçjen në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9””, ka bërë të ditur një burim brenda MMPH-së për Periskopin.
Lidhur më këtë çështje, Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga Prokuroria Speciale, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Kompania “Damastion”, para pak ditëve është shpallur fitues në një tjetër tender të Ministrisë së Infrastrukturës. Bëhet fjalë për sinjalizimin e rrugëve. /Mentor Buzhala -Periksopi/