Në pyetjen se kush është “ati” i pavarësisë së Kosovës, u përgjigja: Kush tjetër përveç njërit nga themeluesit e UÇK-së, që përfaqësoi UÇK-në në të gjitha takimet e konferencat ndërkombëtare për Kosovën. Kush tjetër përveç atij që përfaqësonte krahun e luftës edhe në bisedimet e Vjenës, dhe në fund e shpalli Pavarësinë.
Asnjë luftë e asnjë pavarësi nuk është meritë veç e një individi, sepse vetëm nuk bëhet liria as pavarësia. Por, më meritori bëhet emër simbolizues i atyre përpjekjeve.
E ai është Hashim Thaçi, që edhe sot po ballafaqohet me sfidat e pavarësisë, duke vuajtur si i burgosur politik. Po e vuan burgun për shkak të rolit të tij të madh në luftën çlirimtare, si njëri nga krerët më të rëndësishëm të saj dhe si drejtor i drejtorisë politike të UÇK-së.
Ani pse Gjykata speciale zyrtarisht u themelua nga Kuvendi i Kosovës, nuk duhet të mungojë mbështetja e institucioneve dhe e politikës së Kosovës. Nuk duhet të mungoj, sepse dihet, kjo gjykatë ishte një sfide e madhe për t’i çuar përpara proceset politike të cilat e ndihmojnë Kosovën për të ecur më e sigurt drejt finalizimit të statusit ndërkombëtar të saj.
Hashim Thaçi ishte i vetëdijshëm që mund të ishte edhe vet kurban i këtij procesi, por ai nuk e vuri vetën mbi interesat e Kosovës. Kjo gjë duhet të merret parasysh nga të gjithë, e jo të bëhet e kundërta, siç po veprohet deri tani, duke e sulmuar figurën e tij, e duke i dhënë kështu “legjitimitet” moral, jo Gjykatës, por prokurorit të lëndës kundër ish Presidentit. E duke i dhënë përkrahje morale prokurorit në akuzën e tij, në këtë rast nuk i jepet përkrahje dënimit të ish Presidentit, por i jepet përkrahje akuzës që e komprometon luftën e drejt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe PDK nuk duhet të sillet sikur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë shkuar për pushime në Hagë, ose sikur ata nuk kanë qenë lider dhe drejtues të PDK-së. PDK duhet ta demonstrojnë shumë më bindshëm se deri tani, që kanë qenë, janë dhe do të jenë në mbrojtje dhe në mbështetje të fuqishme politike të figurës së ish Presidentit legjitim të Kosovës, por edhe të figurave tjera që në Hagë përfaqësojnë luftën tonë çlirimtare.
Presidentit dhe të tjerëve që ndodhen në Hagë, ua urojmë Ditën e Pavarësisë dhe pafajësinë e plotë nga kjo Gjykatë!
*Haki Morina, ish i burgosur politik, veprimtar i shquar politik, autor i shumë librave dhe opinioneve rreth politikës dhe aktualitetit/shqipet.live