I burgosuri politik: Thaçin e Veselin i kam njohur në protestat antipushtuese të 1989
Shkruan: Ramadan Avdiu
Promotorët e Lirisë
Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin i kam njohur në valën e protestave të fuqishme antipushtuese në mars të vitit 1989. Unë sapo isha liruar nga burgu, kurse ata kishin filluar studimet në Universitetin e Prishtinës dhe ishin rreshtuar në Rrugën e Lirisë…
Pra më shumë se 31 vite në angazhim për liri, pavarësi, e demokraci, në rezistencë antipushtuese, në luftë, vetëmohim dhe shtetndërtim jam bashkë me Hashimin dhe Kadriun dhe kështu do të jem deri në frymën e fundit sepse e di që me të njejtin elan që kanë luftuar për liri, po me atë elan e përkushtim ata kanë punuar edhe për shtetndërtim dhe demokratizim të shoqërisë.
Në fund të luftës së dytë botërore Gjykata Ndërkombëtare në Nyrnberg përveq nazistëve nuk ka dënuar asnjë pjestarë të asnjë kombi që luftoi kundër nazizmit.
Në mënyrën më të denjë nazizmi është inkarnuar në shtetin e Serbisë e cila pastaj me të njejtat metoda vazhdoi ushtrimin e gjenocidit mbi popullin shqiptarë që e kishte filluar në mes të dy luftrave botërore.
Serbia nga viti 1945 e deri më 1998, kishte vrarë qindra mijëra shqiptarë, burgosur dhjetra mijëra të tjerë dhe mbi një milion të dëbuar në Turqi dhe nepër vende të ndryshme të botës.
Vetëm lufta çlirimtare e organizaur nga Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës, e mbështuetur edhe nga shtetet demokratike e ndali Serbinë në synimin e saj për nënshtrimin apo edhe zhdukjen e shqiptarëve si komb dhe si popull.
Edhe gjatë luftës çlirimtare Serbia ushtroi gjenocid të paparë mbi popullin shqiptar, (mbi 13500 civil të vrarë, 1392 fëmijë, 1739 gra të vrara, mbi 1600 persona akoma llogariten të zhdukur sepse Serbia refuzon të tregoj vendet ku i kanë fshehur kufomat e tyre, mbi 20 mijë gra e vajza të dhunura, mbi 1 milion shqiptarë të dëbuar, mbi 50% e objekteve të shkatërruara, e githë pasuria e plaçkitur, tërë ekonomia e rrënuar). Për këtë gjenocid kundër popullit shqiptarë nuk po dënohen kriminelët e vërtetë të regjimit serb. Pikërisht për shkak të pandëshkueshmërisë së krimevelëve serbë për gjenocidin e kryer, ata janë inkurajuar dhe tashmë kanë paturpësinë edhe të krekosen për krimet e tyre… apo nganjëherë edhe të hiqen si viktima…
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin promotorët e organizimit të Luftës çlirimtare dhe mbrojtjes së popullit nga gjenocidi që po ushtrohej mbi të, ishin promotorët edhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe demokratizimit të tij. Andaj pretendimi se ndaj tyre duhet ngritur përgjegjësi penale për krime të luftës është absurd, anakronik dhe antihistorik.
Dhomat e specializuara të gjykatës, të krijuara nga Kuvendi i Kosovës si rezultat i presionit ndërkombëtar, me publikimin e kumtesës mbi pretendimet e prokurorit për të ndjekur penalisht presidentin e shtetit Hashim Thaçin dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veselin, para se të miratohet paraprakisht akuza, ka nxjerrë në pah jo karaketrin e një instrumenti të drejtësisë, por karakterin e një instrumenti që po përdoret për qëllime politike. Prandaj Kuvendi i Republikës së Kosovës, duhet ta rishqyrtoj vendimin e tij dhe të mos i vazhdoj mandatin Dhomave të specializuara të gjykatës, sepse ato po dëshmojnë që nuk janë të specializuara për drejtësi, por për të krijuar një precedent të rrezikshëm dhe në vend të ndëshkimit të Serbisë për gjenocid të kryer kundër popullit shqiptar ata përpiqen të shpërndajnë përgjegjësi edhe tek ata që luftuan nazizmin serb. Prandaj nuk ka nevojë për një gjykatë të tillë që synon të aplikojë “drejtësi” selektive.
Festa dhe gëzimi të shprehura në Serbi, pas publikimit të deklaratës politike, vërteton karakterin antishqiptarë të këtyre dhomave të kësaj gjykate, kurse ekzaltimi deri në ekstazë i disa shqipfolësve që tashmë po manifestohen si hiena, dëshmon se ata gjithmonë me hir apo pahir, me vetëdije apo pa të, kanë qenë të rreshtuar në anën e atyre që po gëzohen pas pretendimeve se duhet të ndiqen penalisht drejtuesit e luftës çlirimtare.
Nëse Erich Fromm të ishte ende gjallë, duke e parë ekzaltimin e tyre do të mund të ishte inspiruar nga këto rreshtime anakronike dhe do të kishte shkruar edhe një vepër të re Ikje nga Liria. Kurse disa postime nepër portale e rrjete sociale më së miri e vërtetojnë tezën e Umberto Ecos, se Interneti ua ka dhënë fjalën edhe budallejnëve…
Përmes përpjekjeve për të penalizuar dhe devalorizuar kontributin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, fshihen përpjekjet për të devalorizuar luftën e drejtë çlirimatre të UÇK-së dhe rezultatet e saj.
Prapa kësaj objektive qëndron Serbia por jam i bindur se do të dështojë në realizimin e saj, sepse akuzat e pretenduara janë konstruksione të sajura në zyrat e UDB-s dhe pastaj të përtypura dhe ripërtypura edhe nga disa shqipfolës të rreshtuar në anën e tyre. Ato akuza nuk janë veçse një kullë prej letre, që nëse eventualisht do të shndërrohen në aktakuzë do t’u kthehen si bumerang…
R.A.