fbpx
Lajme

Kurti në ShBA: Nëse është e nevojshme, e vizitoj Thaçin e të tjerët në Hagë – duhet mbikëqyrur Specialja

Që nga e premtja e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ku ka takuar udhëheqës të ndryshëm të biznesit amerikan. E së fundmi, ai ka udhëtuar në drejtim të Dallasit, ku ka mbajtur një takim me shqiptaro-amerikanët e këtij vendi.

Para të pranishmëve të shumtë në numër, kryeministri i Kosovës ka folur për shumë tema përfshirë reformat në drejtësi, respektivisht nevojën për një “energjizim” të prokurorëve e gjykatësve në luftën kundër korrupsionit.

Por, në videot e siguruara nga Gazeta Nacionale, shqiptaro-amerikanëve kryeministri Kurti u foli edhe për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më saktësisht, i pari i ekzekutivit kosovar foli rreth të ish-luftëtarëve të paraburgosur në Hagë, duke treguar se ka takuar avokatët e tyre.

Tutje, Kurti gjatë fjalimit të tij thekson nevojën për një mbikëqyrje dhe llogaridhënie më të madhe të Gjykatës Speciale, pasi kjo e fundit sipas kryeministrit nuk është shquar si transparente.  

Së pari unë e kam pas një takim me të gjithë avokatët të cilët i mbrojnë luftëtarët e UÇK-së në Hagë. Sepse jam i interesuar të kuptoj më shumë se çka po ndodh, edhe të ketë një mbikëqyrje dhe llogaridhënie më të madhe të Gjykatës Speciale, e cila nuk e ka pasur për karakteristikë të theksuar transparencën. Dhe gjithashtu të marrë vesh se kur konsiderojnë këta avokatë që në procesin gjyqësor atje po dëmtohet shteti i Kosovës dhe historia e jonë”, tha Kurti para bashkatdhetarëve në Dallas të ShBA-së.

Madje, Kurti u tregua i gatshëm të vizitojë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe të tjerët në rast e një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Kurti tha se brengë e tij si kryeministër i Kosovës është që të gjithë të paraburgosurit janë shqiptar.

Tash e ka marrë për barrë Ministria e Drejtësisë aspektin e vizitave, por nëse e konsiderojmë bashkërisht, mund të shkojmë, absolutisht, nuk ka kurrfarë problemi për këtë, sepse Tribunali i Hagës, EULEX-i, UNMIK-u, që të gjithë këta shkuan, e tash e kemi edhe një Gjykatë Speciale, e cila i ka që të gjithë shqiptar aty brenda. Kjo është brengë e imja, jo veç si aktivist politik i moçëm e qytetar republike, por para së  gjithash si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti në ShBA.

Tutje, Kurti theksoi se vetëm duke e mbrojtur luftën e UÇK-së mund të mbrohet secili individ në Gjykatës Speciale, duke sugjeruar një koordinim ndërmjet avokatëve të Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit e të tjerëve.

Por, po e ritheksoj, më e rëndësishmja që e besoj unë tash është një lloj, mbase edhe koordinimi i këtyre avokatëve me njëri tjetrin. Sepse mua më ka interesuar se sa takohen ata shpesh, sepse ju e dini fort mirë që proceset gjyqësore që avokatët e kanë një prirje me shpëtu klientin e vetë. Pra secili avokat dëshiron me shpëtu klientin e vetë. A na kemi më së shumti nevojë me mbrojt komplet luftën e UÇK-së dhe vetëm duke e mbrojtur luftën e UÇK-së në mënyrë të suksesshme, atëherë mund të mbrohet secili”, përfundoi Kurti, transmeton Gazeta Nacionale.

Kujtojmë që marrëdhëniet mes Kurtit dhe Thaçit, sa ky i fundit ishte ndër aktorët më të rëndësishëm të politikës kosovare, nuk ishin të mira. 

Ndryshe, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së është përditësuar nga ana e Prokurorisë së Specializuar, për të cilën Thaçi dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close