Senatori amerikan, Ron Johnson, ka thënë se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të gjendet nga të dyja palët.
Senatori Johnson, i cili qëndroi të dielën në Prishtinë, do të shkojë të hënën në Beograd, për të transmetuar siç tha, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për gjetjen e një zgjidhjeje, që “nuk është aspak e lehtë”.
Ai është një nga bashkëpunëtorët e lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, i ngarkuar me misione të posaçme.
Pasi të kenë arritur çfarëdo marrëveshje, ne do ta shohim atë për të parë nëse kemi ndonjë shqetësim dhe do të përçojmë ato shqetësime, por tani duam t’u japim Kosovës dhe Serbinë hapësirë nën ombrellën e Bashkimit Evropian, në bisedimet e drejtuara në Bruksel që të gjejnë zgjidhjen. E ritheksoj, nuk do të jetë e lehtë, por besoj se ka dëshirë të sinqertë për të gjetur një zgjidhje”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Kosova dhe Serbia ndodhe në një periudhë diskutimesh për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet tyre nën dritën e ideve për ndarje, shkëmbim territoresh apo ‘korrigjime kufijsh”.
Debatet kanë nxitur reagime në të dyja vendet por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare ndërmjet atyre që do të pranonin një zgjidhje të tillë, nëse palët pajtohen dhe atyre që kundërshtojnë idetë e tilla për shkak të drojës nga pasojat në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Senatori Johnson i quan të ligjshme shqetësimet e tilla.
Në intervistën që transmetohet të hënën në emisionin e Zërit të Amerikës, Ditari në orën 18:00, senatori Johnson flet edhe për ndikimin rus në Ballkan e referendumin për emrin e ri të Maqedonisë.