Bajram Kosumi është figurë e njohur brenda skenës politike në Kosovë. Pas luftës, z. Bajram Kosumi ka shtegëtuar në shumicën e partive politike të cilat veprojnë në Kosovë. Maksima e vjetër, sa më afër pushtetit – aq më afër pozitës, merr formë jashtëzakonisht mirë në rastin e z. Kosumi. Realiteti praktik e dëshmon këtë fakt.
Më 1 mars të këtij viti u bënë trembëdhjetë vjet prej se Bajram Kosumi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Për shumëkënd emri i tij asocion me aeroplanin.
Kurdo që përmendet emri i tij, shumëkujt i kujtohet kthimi i tij i famshëm nga Turqia për në Kosovë me një aeroplan privat, i cili supozohej se kishte një kosto prej mbi 20 mijë eurosh. Këtë rrëfim Kosumi e la si trashëgimi për ta kujtuar njerëzit që i ka udhëhequr për disa vjet.
Pas Partisë Parlamentare të cilën e drejtoi para luftës, ai u angazhua në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, në pozitën e nënkryetarit, pozitë e cila do ta drejtojë më vonë drejtë pozitës së Kryeministrit, por pa mbështetjen e PDK-së dhe ORA-s. Më vonë pas humbjes së pushtetit, saktësisht në vitin 2010, z. Kosumi do të paraqiste dorëheqjen nga AAK-ja e z. Ramush Haradinaj.
Pak muaj pasi ofroi dorëheqjen nga AAK, praktikisht në vitin 2010, z. Kosumi e themeloi Lëvizjen Qytetare për Demokraci, duke iu bashkuar pastaj PDK-së në listën për deputet.
Aktiviteti politik i z. Kosumi nuk pushoi me kaq. Me datë 13 maj të vitit 2014, ai iu bashkua Aleancës Kosova e Re, të z. Behgjet Pacolli. Ai ishte pjesë e listës së AKR-së për deputet, në zgjedhjet e 8 qershorit të vitit 2014. Pavarësisht se e akuzoi qeverinë e z. Hashim Thaçi për mungesë të investimeve në Anamoravë, ai përsëri humbi dhe nuk arriti t’i grumbullojë votat e mjaftueshme për deputet. Më vonë ai u distancua edhe nga AKR-ja e z. Pacolli.
http://m.gazetaexpress.com/mobile/lajme/kosumi-akr-ja-do-ta-nxjerre-anamoraven-nga-izolimi-18060/?archive=1
Pas dështimit total në politikë, z. Kosumi filloi angazhimin maksimal për rehatimin e vetës në pozita të ndryshme, kryesisht në institucione universitare.
Ai u bë pjesë e Komisionit Shtetëror të Cilësisë. Ky këshill funksion si bord udhëheqës i Agjencisë së Akredimit të Kosovës dhe vendos për licencimin ose jo të programeve universitare. Më 18 shtator të vitit 2015, z. Kosumi arriti të bëhet edhe Rektor në Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”.
Rektori Kosumi për më shumë se pesë muaj, ka mbajtur kundërligjshëm këto dy pozita të rëndësishme. Mbajtja e këtyre dy posteve nga ish-kryeministri është hetuar nga Agjencia Kundër Korrupcion. Kjo agjenci më 9 mars ka marrë vendim lidhur me rastin e Kosumit. E ka detyruar ish-kryeministrin të jap dorëheqje nga njëri prej posteve. Ai ka zgjedhur të heq dorë nga të qenit anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
http://www.insajderi.com/hulumtime/10205-2/
Si drejtues i Universitetit “Kadri Zeka”, ai e thelloi nepotizmin brenda Universitetit. Në politikë si trashëgimi e ofroi aeroplanin, ndërsa në Universitet – nepotizmin.
Ai i vendosi në pozitat kryesore brenda Universitetit miqtë e tij. Ata u favorizuan në shumë aspekte. Bashkërisht orkestruan konkurse dhe sistemuan shumë familjarë e miq të ndryshëm. Raportet kolegiale janë devalvuar në udhëheqjen e z. Kosumi. Ata të cilët shprehën pakënaqësinë me z. Kosumi, më vonë janë goditur dhe stigmatizuar në forma të ndryshme. Ai në një formë, apo tjetër e ka mbytur zërin kritik brenda Universitetit.
Gjatë mandatit të tij, shumë profesorë të cilët kanë doktoruar pas zgjedhjës së tij në pozitën e rektorit, janë sistemuar si profesorë dhe udhëheqës brenda Universitetit, brenda një periudhe të shkurtër kohore. Edhe në rastin e asistentëve ka ndodhur i njejti fenomen, tregojnë burimet tona brenda Universitetit në kushte anonimiteti.
Konkurset nën drejtimin e tij janë hapur vetëm formalisht, ndërsa në të shumtën e rasteve emrat e të pranuarëve kanë qenë të ditur, ende pa u shpallur konkursi.
Auditorët, inspektorati i arsimit si dhe Policia e Krimeve Ekonomike disa herë ia kanë mësyer Universitetit “Kadri Zeka”, për shkak të parregullësive të mëdha dhe dyshimeve për keqpërdorime të shumta.
Ballinat e mediave më serioze të Kosovës, pothuajse çdo javë janë mbushur me ndonjë skandal, apo super skandal të krijuar nga drejtuesit e Universitetit të cilin e udhëheqë z. Kosumi.
Këtë vit përfundon mandati i z. Bajram Kosumi si Rektor. Ashtu si në politikë, nuk do të mbahet mend për punë pozitive brenda Universitetit. /epilogu/