Epilogu

I dha para VV-së gjatë fushatës, tani shpërblehet, emërohet në krye të bordit të Postës

Në krye të bordit të Postës së Kosovës është emëruar Fadil Bejta, donator i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar.

Në listën e donacioneve të publikuara për Vetëvendosjen emri i kryesuesit të bordit figuron dy herë.

Në emër të Fadil Bejtës, dy ditë para zgjedhjeve, më 12 shkurt 2021, janë dhënë 1 mijë euro. Në emër të tij figuron edhe një donacion prej 50 eurove i dhënë më 2 shkurt, dy javë para zgjedhjeve qendrore.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Bejta e ka konfirmuar që ka dhënë donacion për partinë që është duke e udhëhequr Qeverinë.

Bejta për donacionin në vlerë 1,000 euro thotë se ka qenë urë lidhëse dhe se nuk kanë qenë mjete të tij por të një mërgimtari.

“Ka qenë një donacion i një mërgimtari që ka dashtë me mbetë anonim por i ka dhanë 1 mijë euro dhe meqenëse Vetëvendosja e pati shpallë atë llogarinë bankare se kush do me dhanë donacion, unë vetëm ia kam kry një shërbim të tillë që me ia mundësu domethënë transferin. Unë kam qëndru si urë kaluese përmes llogarisë time sepse sipas tij Vetëvendosja nuk ka pranuar pare të gatshme”, ka thënë ai.

Bejta, i cili u emërua kryesues i bordit të Postës së Kosovës nga Qeveria të cilës i prin Albin Kurti, thotë se nuk ka mundësi financiare t’i dhurojë një partie 1,000 euro.

“Absolutisht unë s’mundem me ia dhanë 1 mijë euro donacion, sepse unë mbaj familje kështu që është e pamundur me i dhanë 1 mijë euro me pagë të Kosovës”, ka thënë ai.

Lista e donacioneve për partinë Lëvizja Vetëvendosje
Lista e donacioneve për partinë Lëvizja Vetëvendosje

Por, Bejta thotë se ka arritur t’i ndajë 50 euro dhe t’ia japë donacionet Vetëvendosjes në shkurt të vitit 2021, pak para zgjedhjeve të cilat i fitoi Vetëvendosja.

“Ai 50- euroshi, po. 50 euro është e saktë që i kam dhanë donacion”, ka deklaruar Bejta.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që jep donacione për një politikan apo grupe të tjera që kanë nevojë.

“Unë donacione e ndihma kam dhënë gjithë jetën time, kam dhënë për Fatmir Limën, kur ka qenë atëherë i gjykuar në Hagë, unë e kam dhënë dyfishin e kësaj. Unë vazhdimisht jap ndihma për aty ku paraqitet nevoja, në veçanti këto që dalin nëpër rrjete sociale për njerëz të sëmurë. Unë i kam dhënë vetëm 50 euro”, ka thënë ai.

Bejta thotë se nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë as nuk jam anëtar i Vetëvendosjes as kështu, simpati kështu na secili kemi preferenca politike, por jo unë nuk jam as aktivist i Vetëvendosjes”, tha ai në një bisedë për KALLXO.com.

Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti emëroi gjashtë anëtarët e rinj në bordin e Postës pas një konkursi publik të shpallur muaj më parë.

Konkursi për bord të Postës ka zgjatur më shumë se zakonisht, pasi Zyra e Kryeministrit nuk i kishte dhënë mundësi kandidatëve të eliminuar që të ankohen.

Pas përfundimit të intervistave më kandidatët për anëtarë të bordit dhe poentimit të kandidatëve, Zyra e Kryeministrit i kishte njoftuar anëtarët e eliminuar për arsyet e eliminimit si dhe u kishte dhënë 1 muaj kohë për ankesë.

Pas dorëzimit të ankesave, Zyra e Kryeministrit i kishte ftuar në intervistë edhe shtatë kandidatë. Ata janë intervistuar gjatë muajit janar. Vetëm pas intervistimit të tyre është kompletuar lista e kandidatëve me pikë më shumë dhe më pas është zgjedhur bordi i Postës së Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që Qeveria Kurti emëron në borde njerëz të cilët në të kaluarën kanë dhënë donacion për Lëvizjen Vetëvendosje.

KALLXO.com raportoi kohë më parë, gjatë Qeverisë Kurti I, se tani zëvendësministri, atë kohë, kryesues i bordit, Mentor Arifaj kishte dhënë donacion për partinë e Albin Kurtit.

Donacion kishte dhënë edhe Naim Haliti, ish-anëtar i bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.

Exit mobile version