Inspektorati i Punës gjen një mal shkeljesh në BSPK për grevën
Pas grevës së organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura me 25 gusht, Inspektorati i Punës së Ministrisë së Financave, Punës e Transfereve, ka kryer një inspektim tek subjekti në fjalë sipas detyrës zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali, ka siguruar raportin nga Inspektorati i Punës të cilët kanë marrë e shqyrtuar dokumentacionin e BSPK-së dhe kanë konstatuar gjendjen.
Sipas raportit, sa i përket mbarëvajtjes së grevës referuar dispozitës së nenit 8 të Ligji për Grevat, u konstatua se BSPK-ja nuk ka informuar punëdhënësit e drejtpërdrejtë të të punësuarve për mbajtjen e grevës.
Aty bëhet e ditur se BSPK kanë konsideruar të arsyeshme nisjen e saj vetëm me një njoftim të dërguar në adresë të zyrtares së dialogut të Ministrisë së Financave.
Në raportin e inspektorëve, thuhet se sindikalistët nuk e kanë marrë për bazë faktin se punëdhënës i drejtpërdrejtë për arsimin e sektorët tjerë janë Komunat.
Si i tillë njoftimi për grevë ka qenë dashur t’i dërgohet në adresë të Komunave, por që sipas inspektorëve, BSPK-ja ka shpërfillur këtë dispozitë.
Gjatë inspektimit, BSPK-ja nuk ka argumentuar me dëshmi se ka arritur të zbatoj dispozitën e 17 të Ligjit për Grevat, sepse nuk ka prezantuar dëshmi se ka marrë veprimet e nevojshme që shërbimet e rëndësisë jetike do të ofrohen për qytetarët edhe gjatë kohës së grevës.
Sipas Inspektoratit, BSPK-ja nuk ka zbatuar as këtë dispozitë.
Sa i përket dispozitës së nenit 18 të Ligjit për Greva që ndërlidhet me efektet e grevës së ligjshme , konkretisht paragrafit 1, në raport thuhet se inspektorët nuk kanë autorizim të bëjnë interpretimin e ligjeve në të gjitha rastet kur dispozitat janë në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe kur shkaktojnë paqartësi siç është rasti i dispozitës së nenit 18 e 13.
E meqenëse janë dy palë në procedurë, punëtorët dhe punëdhënësit, bazuar në dispozitat ligjore për grevat, ndalimin e tyre dhe kompensimin e dëmit nga sindikata apo punëdhënësi, kërkohet në gjykatë, pasi inspektorati nuk ka mandat ta bëjë këtë.
Konstatimi përfundimtar i inspektimit të grevës është se nuk është zbatuar neni 8 i Ligjit për Greva, pasi BSPK-ja nuk njoftuar të gjithë punëdhënësit, siç e obligon kjo dispozitë.
Po ashtu kontestuese është edhe kompetenca e njoftimit, sepse bazuar në dispozitën e nenit 8 paragrafi 1 i këtij neni, ku njoftimin duhet ta bëjë Këshilli Grevist e jo siç ka vepruar BSPK-ja, ku e ka nënshkruar kryetari e ai i këshillit drejtues, sepse grevistët i përfaqëson vetëm Këshilli i Grevistëve.
Më poshtë mund të gjeni raportin e plotë të Inspektoratit të Punës: