Epilogu

Instituti i Albanologjisë vazhdon ta mbajë Anton Çettën jashtë oborrit

Instituti i Albanologjisë vazhdon ta mbajë jashtë oborrit figurën më markante të Kosovës të shekullit të kaluar, Anton Çettën. Arsyetimi i tyre është qesharak. Ata mendojnë që profesori Çetta meriton hapësirë më të madhe.

Instituti i Albanologjisë nuk po gjen vend për Anton Çettën. Shtatorja e tij nuk po pranohet nga udhëheqësit e Institutit që të vendosët brenda oborrit të tyre, me arsyetimin banal të , si ai e meriton një vend më të mirë.

Sipas arsyetimit të Institutit të nënshkruar nga Hysen Matoshi më 4 qershor të 2018’s, për refuzimin e vendosjes së shtatores së Çettës, thuhet se ajo duhet të vendoset diku ku ka vend për fontanë dhe banka për pushim. Këta, kërkojnë që madje sheshi të quhet “Sheshi i Pajtimit Anton Çetta”.

Për sheshin utopik të Institutit Albanologjik, Gazeta Express ka kontaktuar me Drejtorin e Institutit, Hysen Matoshin, i cili ka thënë se ky ishte vetëm propozim i Këshillit Drejtues të Institutit që ai e drejton.

“Ne nuk kemi sheshe, ne vetëm një hyrje e kemi në fillim të rrugës. S’kemi hapësira na. Ne kemi dhanë si propozim për një zgjidhje më të përshtatshme”, ka thënë Matoshi për Express.

Komuna e Prishtinës në vitin 2015, kishte lëshuar një vendim të cilin Express e posedon, ku iu dha pëlqimin Ministrisë së Arsimit për vendosjen e shtatores së Anton Çettës në oborrin e objektit të Institutit Albanologjik.

Në vendim të Komunës thuhet se shtatorja duhet të punohet nga bazamenti i betonit i armuar  me dimensione të caktuara në dokument.

Kurse, Matoshi tha për Express se nuk di asgjë për ndonjë vendim të lëshuar nga Komuna e Prishtinës rreth kësaj çështjeje.

“Ne nuk kemi bërë kërkesë në Komunën e Prishtinës për vendosjen e shtatores, ne vetëm i kemi dhënë përgjigje Këshillit Organizativ për Pajtimin e Gjaqeve”, tha Matoshi, derisa tha se nuk e di nëse dikush tjetër ka bërë kërkesë të tillë.

Në po atë përgjigje të Institutit që ia dhanë Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve, thuhet se nuk kanë njohuri për dimensionet e shtatores, andaj edhe refuzimi i vendosjes së shtatores në oborrin e tyre, u bë me po këtë arsye, pasi “s’ka vend të mjaftueshëm që të nderohet figura e Anton Çettës”.

Por duke u përgjigjur për Express, Matoshi tha se nuk është në dijeni për dimensionet e shtatores.

“Nuk e di, nuk e di, sepse ajo duhet të këtë një bazament, nuk jam në dijeni për dimensione”, tha drejtori i Institutit Albanologjik.

Meqenëse kërkesa për vendosjen e shtatores së Çettës ishte e Këshillit Organizativ të Pajtimit dhe Gjaqeve, Gazeta Express ka kontaktuar edhe njërin nga anëtarët Riza Krasniqin për të komentuar rreth kësaj ngjarjeje.

Riza Krasniqi tha se refuzimi i vendosjes së shtatores nga Instituti është total i paarsyeshëm.

“Refuzimi për vendosjen e shtatores është total i paarsyeshëm, sepse ne mendojmë se vendi natyror i Profesor Antonit është aty”, tha Krasniqi.

Anëtari i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve tha se ndaj Anton Çettës është bërë një padrejtësi, pasi pas tërë këtyre viteve figura e tij ende nuk ka shtatore.

Për vendosjen e shtatores së Anton Çettës para objektit të Institutit Albanologjik, pëlqim ka lëshuar edhe Këshilli Drejtues i universitetit të Prishtinës në vitin 2016.

Kërkesa e Këshillit për pajtimin e Gjaqeve iu pat dërguar edhe kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafa.

Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.

Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.

Exit mobile version