fbpx
Opinione

Ironia e absurditetit në shumë akte!

Halit Krasniqi

Kur ndodhi arrestimi Presidentit të vendit tonë dhe arrestimet e figurave tjera respektive me kontribute e role të caktuara në ndryshimet historike, do të duhej të ishte sinjal për gjithë ndërgjegjen nacionale përkitazi, me arrestimin dhe me justifikimin e analizuar dhe gjuhën e shkruar në aktakuzën e publikuar që tipizonte një zhargon mesjetar, njollosës e fyes nga selia e kishës serbe dhe nga politika serbe e pinjollëve luftënxitës, gjuhë e shkruar në mediumet e Serbisë dhe fare lehtë çdo lexues i pa anshëm e kupton ndikimin e Serbisë në përpilimin e saj. Dosjet e dërguara nga prokuroria dhe qeveria e Serbisë në Hagë, nga informacionet e fundit, kanë arritur në 50 mijë faqe trillime monstruoze qe si duket tani, kanë bërë ndikimin e tyre në Zyrën e Prokurorisë se specializuar. 

Këto arrestime nuk ndodhën për angazhime nga motivet personale të tyre. As për dobësi organizative e as për qasjet subjektive që mund të kenë pasur ndonjëherë në përgjegjësitë e tyre. As për kohën e luftës e as të pas luftës. Kur kjo të kuptohet nga qytetarët tanë, për vendin tonë do të jetë vonë. Me këtë rast do të duhej të lëvizte gjithë kombi nga do ku ndodhet në një protestë në qetësi e heshtje, në të njëjtën ditë e në të njëjtën kohë, në së cilin qytet të banuar me shqiptarë, vetëm për një gjysmë ore. Me këtë koreografi protestuese, do të manifestonim sistemin e vlerave tona në shumë aspekte. 

Në aspektin e dukjes, se sa të copëtuara janë trojet shqiptare të banuara aktualisht edhe tani. Ndërsa në përmbajtje, se sa unik është kombi ynë. Gjithashtu edhe në aspektin reagues, se sa impulsiv është etnia jonë, kur preket në damarët e saj. Ndërsa me reagim të qetë, se sa i emancipuar është kombi ynë. Të gjitha këto komponente do të shfaqeshin në kohë të duhur e ne moment të përshtatshëm, që më shume se protagonistët e arrestuar, do të përfitonin në veçanti lidershipi organizatorë i kësaj shfaqjeje dhe kombi ynë në përgjithësi. 

Me këtë veprim do të shpëtonim nga kjo sëkëlldi verbale të ndërsjellë dhe të pështirë në mes nesh. Gjithsesi nga ajo ditë, në Kosovë do të duhej të kishte një Marrëveshje politike në mes të subjekteve parlamentare:  Opozitë e të gjithëve, të konsiderohej vetëm Serbia dhe Gjykata e Specializuar! E cila është imponuar për votim në Kuvendin e Kosovës nga qendrat politike të miqve tanë, bashkëpunimi me të cilët këto dy dekada kanë sjellë vetëm rezultate të dobishme e suksese të njëpasnjëshme për vendin tonë.  

Kapitull i veçantë në këto zhvillime janë heshtja dhe stepja masive e përfituesve nga angazhimet dhe përkushtimet e të arrestuarve. Përkatësisht gjithë qytetarët që gëzojnë lirinë sot, janë përfitues nga roli i tyre në luftën çlirimtare të UÇK-së. Gjithashtu edhe për bashkëpunimin e tyre me NATO-në dhe me diplomacinë euroatlantike. Nëse dikush ka dilema për këtë, duhet ta kthej vëmendjen në dy fakte relevante në këtë përshkrim: 

Në vitet 1998/99, NATO ishte në vigjiljen e saj 50 vjeçare dhe asnjë herë për gjysmë shekulli të ekzistencës së saj nuk kishte diskutuar çlirimin e Kosovës dhe një qëllim i tillë as nuk ishte në projektet e saj. Gjithashtu as nuk kishte mundësi të sulmonte një shtet anëtar të OKB-se, siç ishte shteti okupator i Serbisë. Gjithashtu,  diplomacia botërore i kishte  copëtuar trojet shqiptare në të gjitha kohërat, kur do herë që janë vendosur kufijtë të rinj ne mes të kombeve dhe sa herë është krijuar rend i ri botëror. 

Deri atëherë kur lufta e UÇK-se dhe diplomacia e saj i kishte bindur Qendrat e vendosjes në ato momente, për padrejtësitë ndaj trojeve shqiptare të ndara padrejtësisht që nga Kongresi i Berlinit e deri në Konferencën e Londrës, sikurse edhe fakti i treshës triumfatore pas Luftës së Parë botërore që përligji ndarjen e trojeve shqiptare. Dhe, po ashtu edhe fituesit e Luftës së Dytë botërore, sikur edhe paraardhësit e tyre e përligjen ndarjen e trojeve shqiptare. 

Kjo diplomaci botërore dhe veçanërisht ajo evropiane, ishin indiferente ndaj fateve të shqiptareve dhe trojeve të tyre të copëtuara. Për herë të parë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krijoj motive për vëmendje të diplomacisë botërore e evropiane dhe shkase për ndërhyrje të NATO-së nga ajri në aleancë me instruksione ushtarake e detyra konkrete operative për sulme tokësore mbi ushtrinë serbe nga UÇK-ja, të cilën e drejtonin protagonistët e dërguar në Hagë padrejtësisht, që është një nga ironitë e kohës, të cilët në rolet që kanë pasur gjatë asaj lufte, assesi nuk e kishin të garantuar jetën e tyre.  

Përkundrazi, veçanërisht kërkohej koka e tyre nga Beogradi nga operacione tokësore e nga granatime ajrore. Dhe duke qenë ky arrestim ndaj drejtuesve të UÇK-së, penalizimi nuk është vetëm individual, por edhe kolektiv i UÇK-së dhe kauzës së popullit tonë të martirizuar. Mbi këtë premisë edhe ishte aktivizuar makineria ajrore e NATO-së për bombardimin e makinerisë vrastare të Serbisë. Ndërsa tani publikisht, po ndryshon perceptimi për atë realitet, duke e relativizuar plotësisht, deri në ndryshimin perceptiv aktualisht.  

Gjithashtu, janë të trishtueshme një mori reagimesh të bashkëkombësve tanë, me ato që shkruajnë me rastin e këtyre arrestimeve dhe ende nuk mund të bindët logjika racionale se edhe në këtë kohë kemi bashkëkombës të moshave të ndryshme dhe në profesione te veçanta, që shprehin ngazëllimin e tyre subjektiv publikisht për këto arrestime, të cilët ende nuk e kanë kuptuar që pa kontributin dhe pa rolin e të arrestuarve, qytetarët tanë do të ishin të persekutuar në vendlindjet e tyre ose të ishin degdisur në emigracion gjithandej nëpër botë, pa shpresa për t‘u kthyer ndonjëherë. 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close