Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen e dytë, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjiozen Daily Telegraph. Shkrimin mund ta gjeni të plotë, më poshtë.
“Isa Boletini dhe problemi shqiptar
Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.
Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët. Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Konstandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej. Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.
Shqiptarët më 1908 kërkuan Kushtetutën, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij. Por, Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.
Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën. Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Konstandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.
Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup: ‘Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.’
Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha. Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës. Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë: ‘Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.’
Duke thënë këtë, shefi patriot shqiptar shfaqte një agjitacion dhe ekzaltim ekstrem.”