Ish Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk ishte treguar dorëlirë me kolonel Tahir Zemajn, gjatë kohës sa ka qenë ministër për Financa në Qeverinë e Kosovës në mërgim.
Këtë e ka argumentuar arkëtari i Degës së LDK-së në Gjermani, Emrush Çeku, duke sjellë si dëshmi një faturë të shpenzimeve telefonike të bërë nga Zemaj gjatë luftës e të cilën Mustafa nuk kishte pranuar që ta paguajë, shkruan “Tribuna”.
Çeku ka shpjeguar për gazetën se shuma e asaj fature ka qenë 114.471 marka gjermane dhe është paguar krejt vonë me rata në valutën euro nga vetë ata që e kanë blerë telefonin për Zemajn. Telefoni satelitor, sipas Çekut, ishte blerë nga Qendra për Informim e Kosovës me seli në Shtutgart, bashkë me gjashtë telefona të tjerë.
“Në atë kohë janë blerë 10 telefona satelitorë për 7 rrethe të Kosovës, për QIK-un dhe për Tahir Zemajn e Sali Çekun”, ka bërë të ditur ai për gazetën “Tribuna”.
Por, a ishte marrë pëlqimi nga Ministria e Financave, e drejtuar asokohe nga Mustafa, që shpenzimet e këtyre telefonave të paguheshin me paratë e Fondit të trepërqindëshit, Çeku pohon se ka pasur marrëveshje për këtë gjë.
“Marrëveshja ishte bërë ndërmjet ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit, Sali Çekut dhe kryeministrit Bukoshi, për ç’gjë janë pajtuar që telefonat satelitorë të paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës, respektivisht nga Fondi i Kosovës në Gjermani”, ka sqaruar Çeku. Ai ende nuk ka arritur ta kuptojë pse faturat e tjera janë paguar, e vetëm ajo e Zemajt, jo.
“Ministria e Financave i ka paguar të gjithë telefonat dhe faturat e telefonave, përjashto faturën e fundit të Tahir Zemajt, për të cilin nuk që nga ajo ditë pse nuk e kanë paguar, ndonëse Isa Mustafës i ishte dërguar fatura, por ai kishte deklaruar se ‘tani ka mbaruar lufta dhe nuk merremi me faturat e Tahirit apo ministrisë në fjalë’”, ka thënë Çeku. /Telegrafi/