Isa Mustafa “kundër” ambasadorit gjerman rreth anketës së UNDP
Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, i ka kthyer përgjigje ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka thënë se raporti i UNDP-së për kënaqshmërinë e qytetarëve për punën e institucioneve të vendit, duhet të lexohet dy herë
Ai ia ka përmendur ambasadorit edhe shkarkimin e bordeve nga Qeveria Kurti dhe shkeljen e Kushtetutës.
“U mundova dje dhe sot të lexoj statistikat , sipas sugjerimeve të një ambasadori të një vendi shumë të respektuar, se ato flasin vet. E pyeta veten, si mundet një qeveri ku për shkak të pandemisë kanë mbetur të punojnë edhe 5 ministra të LDK-së, e cila dy herë shkeli Kushtetutën, të ketë përkrahje të tillë. Një qeveri e cila shkarkon borde dhe e pranon publikisht se po i instalon partiakët e vet. Nuk më folën rezultatet”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Sipas Mustafës, këto mund të jenë simpati personale, e më së paku vlerësime.
“Nuk besoj se duhet të shkelet Kushtetuta për ta fituar perceptimin nga qytetarët. Nuk besoj, po ashtu, që institucionet e bllokuara nga Covid-19, të cilat nuk mbajnë takime dhe aktualisht janë jofunksionale, marrin përkrahjen e mbi 3/4 të të anketuarve me telefon nga UNDP për punën e mirë të tyre”, ka shkruar Mustafa.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka shpërndarë raportin e UNDP-së për kënaqshmërinë e qytetarëve për punën e institucioneve të vendit, ku ky raport ka gjetur se kënaqshmëria e qytetarëve të Kosovës me punën e qeverisë ka shënuar rritje nga matja e njëjtë në vitin e kaluar.
Sipas Heldt, ky raport duhet të lexohet veçanërisht në situatën aktuale.
“Absolut duhet të lexohet, veçanërisht në situatën aktuale. Nivelet e besimit në institucionet përkatëse, ndjenja ndaj korrupsionit, rekrutimi i bazuar në merita në sektorin publik, etj flasin vetë. Statistikat flasin”, ka shkruar ai.