Epilogu

Isak Njutoni që ka parashikuar fundin e botës në 2026 dhe disa profeci të çuditshme për shqiptarët

Moikom Zeqo (1949-2020)

Ndryshe nga popujt e tjerë europianë, gjatë tërë historisë së tyre shqiptarët, me sa duket, nuk kanë nxjerrë profetë.

Në ç’kuptim?

Nuk përmenden në kronika figura shqiptarësh, që janë vetëshpallur si profetë, për të ndikuar në forma paralajmëruese, me ide apokaliptike, të ardhmen apo epokat e historisë së tyre.

Në popuj më të mëdhenj si francezët, anglezët dhe gjermanët shfaqja e profetëve ka qenë diçka e rëndomtë, ushtrimi publik i një lloj zhanri, të ngjashëm me fallxhorësinë, parashikimin e fatit etj.

Por dhe në popuj më të vegjël si tek bullgarët, serbët, rumunët, grekët, madje dhe malazezët, gjithashtu profetët nuk kanë munguar.

Përgjithësisht profetët shfaqen në epoka krizash. Janë krizat që i mishërojnë artikulimet e tyre, të çuditshme, fantazmagorike, të besueshme ose dhe të pabesueshme.

Po ja që shqiptarët, për arsye të mos arsyeve që nuk dihen, ose që nuk ka çarë kokën askush për t’i studiuar, nuk shquhen se kanë nxjerrë profetë as për veten e tyre as për popujt e tjerë.

Për të larguar dhe shmangur çdo keqkuptim, dua të them se unë nuk besoj tek profecitë.

Para disa vitesh lexova me përkushtim librin e një profesori të Universitetit të Izraelit, për dorëshkrimet sekrete të Isak Njutonit, një nga titanët më të mëdhenj të shkencës të të gjitha kohërave.

Isak Njutoni qe edhe një mistik i madh. Duke studiuar sipas principeve të numerologjisë frazat shumëkuptimshme të Apokalipsit ai ka profetizuar fundin e botës, afërsisht nga viti 2026.

Dorëshkrimet e Njutonit, të bazuara në kabalistikë ende nuk janë publikuar, por mbi to janë bërë shumë studime nga shumë dijetarë të planetit.

*****

Poeti francez Guillaume Apollinaire (Apolineri) ka patur miqësi proverbiale me Faik Konicën. Në vitin 1905 në vëllimin nr.9 të revistës Albania, Apollinaire ka botuar një shkrim të çuditshëm me titull “Një profeci bashkëkohore, që ka të bëjë me Shqipërinë”.

Kjo prozë e Apollinaire-t është një dokument shpotitës bërë nga ai për nje përmbledhje, të një broshure, prej 32 faqesh, të botuar më 1903 dhe, që Apollinaire e ka gjetur, në një nga rrugët e Parisit.

Dokumenti i çuditshëm do të rimerret prej Apollinaire-t, por tashmë në një formë të ndryshuar tek shkrimi i tij “La Vie anecdotique”, me titullin “Një profeci që ka të bëjë me Marokun dhe Tripolin” (ku përmendet dhe rasti i Shqipërisë) dhe që do të figurojë për herë të fundit në kapitullin 9 të romanit të tij  surrealist,“Gruaja e ndenjur”, ku personazh është një i quajtur Kanuri, ku Apollinaire ka koncentruar tiparet  e miqve të tij Faik Konica dhe Pablo Picaso.

Apollinaire, përshkruan një broshurë anonime të vitit 1903 prej 52 faqesh , ku shënoi 20 profeci që do të ndodhnin midis viteve 1906-1931. Këto profeci janë mbështetur në 2 libra të Biblës, në Librin e Danielit dhe Librin e Apokalipsit.

Ndër profecitë përmenden disa revolucione dhe luftëra si dhe krijimi i një konfederate me 10 mbretëri në vitin 1919, ngjitja në qiell e 144.000 të krishterëve më 26 shkurt 1924 ose në 2 shkurt 1926. Parashikohej zbritja e Jezu Krishtit në Jerusalem në 2 maj 1929 ,ose 9 prill 1931, etj.

Por ndër këto parashikime gati halucinante flitet se para vitit 1919 edhe Shqipëria do të shkëputet nga Turqia dhe do të jetë një shtet sovran më vete. Shqipëria përmendet dhe në një pasazh të dytë në faqen 9 ku duke u bazuar në disa përllogaritje në librin e Danielit mendohet se Shqipëria do të jetë e pavarur ashtu si Greqia “siç ka qenë dikur”.

Guillaume Apollinaire shënon:

“Shumë dijetarë kanë vënë re përparimet e gjuhës shqipe dhe pranojnë se së shpejti duhet të futen në të njëjtën radhë si dhe suedishtja. Mund të përfundojnë, se shqipja do të bëhet gjuhë e një shteti të formuar siç thotë profeti anonim”.

Një shkrim tjetër i botuar si Parathënie në librin “Shqipëria dhe Franca” (L’ Albanie et la France), të shkruar nga znj. Obri (Aubry) Apollinaire në 1905 e shpallte në mënyrë instiktive dhe të sigurt Pavarësinë e Shqipërisë.

Dhe kjo ndodhi në 28 nëntor 1912.

*****

Pra, profetët anonimë francezë të broshurës së përhapur  në e Parisit, pa e parë Shqipërinë dhe pa e njohur popullin shqiptar, gjithsesi duket sikur e bënë në mënyrë intuitive një lloj parashtrimi të fatit të shqiptarëve.

Natyrisht një mendje shkencore ka një tjetër lloj konceptualiteti për këtë pikë inkandeshente të Shqipërisë.

Ndërkaq dua të tërheq vëmendjen e lexuesit se gjatë leximeve të mia kam takuar dhe disa raste të disa profecive të bëra nga profetë sllavë për fatin e mjegulluar të shqiptarëve të Kosovës.

Në 2 gusht 1994 unë e botova një shkrim me titullin “Parabola e horoskopëve”, që e kam përfshirë dhe në librin tim “Vetullat Hyjnore” i shtëpisë botuese Bota Shqiptare, 2012, faqe 97-101.

Profetët sllavë, madje dhe analfabetë mendonin se shqiptarët e Kosovës do ta fitonin lirinë e tyre në 1996. Në fakt tre vjet më vonë, në 12 qershor 1999 forcat e NATO dhe UÇK e çliruan përfundimisht Kosovën nga sundimi gjakatar serboid.

Natyrisht, e nënvizoj përsëri, se historia e lirisë së Kosovës, nuk ka të bëjë fare me profecitë, por me zhvillimet e brendshme dhe me atë rezultante të plotfuqishme të krejt historisë kombëtare por dhe rajonale për të arritur më në fund në një ngjarje të ndritur, epokale, që ndodh një herë në 2000 vjet, domethënë në Lirinë e Kosovës.

*****

Dhe ja çfarë kam shkruar unë në 1994:

PARABOLA E HOROSKOPËVE:

Nga një traditë mijëravjeçare – tepër e skajshme dhe marramendëse, na vijnë shënimet e çuditshme për magjistarët ilirë, thëniet parashikuese të ngjarjeve të së ardhmes nga orakujt e tempullit pellazg të Dodonës, aftësitë tronditëse prej mediumi të madh të Pirros së Epirit.

Sipas Platonit disa magjistarë të famshëm thesprotë mund të ulnin edhe Hënën në thellësirat e një humnere të nëndheshme.

Në Mesjetë në Shqipëri dokumentohet se përdoreshin formulat poetike kabalistike, me aftësi shëruese magjike. Vetë astrologu i madh Nostradami, në parashikimet e tij ngulmon se në emrin Alba (nga ka gjasa që rrjedh dhe emri ynë etnik Albania), ka një strukturë të plotfuqishme të mbijetesës.

Edhe poeti anglez W.Blake-u, çuditërisht në emrin Albioni, me të cilin është thirrur në mesjetën e hershme Anglia, shihte një emër kabalistik të padyshimtë, të një Njeriu të Përjetshëm, një lloj Adami, apo Kadmi, nga nisin gjenezat e njerëzimit.

Dihet se legjenda e Kadmit të miteve të lashta lidhet edhe me gjenezat ilire.

Në tërë këto shpjegime ka shumë fantazi, muguj, pasaktësira dhe padyshim një poezi të pafund.

Në të gjallon ideja e pavdekshme e parashikimeve, e zbulimeve intuitive të së ardhmes, përcaktimi imagjinativ i një fitoreje dhe një triumfi, që ka mbetur përherë njëëndërr magjike.

Kjo forcë frymëzuese e parashikimit është rilindur dhe në ditët e sotme me turbullira, të politikës plot madhështi amatoreske dhe gjenialitet provincial të spikatur.

*****

Më 24 dhjetor të vitit 1993 nga radio BBC korrespondentja Alida Berisha, na njeh me veprimtarinë e astrologut kroat, me famë botërore, Ivan Saviç, i cili veç të tjerave në studion e tij prej plebeu, në fakt, të pangjashme me studion princërore të Nostradamusit, kishte përfunduar dhe hartën astrologjie të Kosovës, dhe duke vëzhguar me akribi dhe shqetësim poetik situatat, lëvizjet e planetëve, influencat psikologjike dhe jetike të yjeve, sëmundjet e imponuara të kometave helmuese, pabesitë e njohura dhe të neveritshme të meteorëve etj. del në konkluzionin fatlum, se në vitin 1996 Kosova , do të bashkohet, më në fund, me Shqipërinë.

Ky zbulim i astrologut Ivan Saviç është mirëpritur nga të gjithë.

Janë rritur shpresat dhe siguritë dhe me thënë të vërtetën shpirtrat e politikanëve, që e quajnë çështjen kombëtare shqiptare si një atribut të tyre, janë lehtësuar dhe mbushur me ëndje të padyshimtë.

Planetët, yjet, universi astronomik, ndërmjet mesazheve astrologjie, ndërmjet lojës misterioze dhe të pakuptueshme, providenciale, magjike, punojnë në një “perpetum mobile” për bashkimin e dy pjesëve të shkëputura të një kombi të vetëm.

Ky kambial yjor është  dicka e pazëvendësueshme.

Parashikimi nuk është bërë nga shqiptarët, por nga një sllav, ndonëse kroat.

*****

Në gazetën “Kosova” (13 korrik 1994, faqe 3) botohet një shkrim nga B. Zogjani, i cili bën të ditur për opinionin publik përmbajtjen e në libri me titull “Profetësia e Kremanit – çfarë ishte e çfarë na pret” të autorëve Dragolub Goluboviq dhe Dejan Melankoviq.

Këta autorë kanë mbledhur me durim shembullor thëniet e dy profetëve analfabetë të fshatit Kreman, rrëzë malit Tara. Profetët në fjalë kanë rrojtur 100 vjet më parë dhe sot fama e tyre parashikuese është në Zenit.

Kështu janë vërtetuar prognozat e këtyre analfabetëve të shenjtë për luftën serbo-turke të vitit 1878, rënien e dinastisë së Obrenoviqëve në 1903, Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, rënien e Austo-Hungarisë dhe të Turqisë në Ballkan, për shpikjen e hekurudhës, telefonit, televizorit, për tërheqjen e ushtrisë serbe në 1915 nga Shqipëria, për rrëzimin e carëve Romanovë nga Revolucioni i Tetorit në 1917 etj. etj

*****

Në librin “Profetëria e Kremanës” del se profetët paskan parashikuar me një saktësi kronometrime e kronologjike tëhabitshme dhe ardhjen e Titos në pushtet “në fron do të hipë njeriu me sy të kaltër, në një at të bardhë, i cili do të sjellë në Serbi një fe të re.

Ai do ta dojë shumë gjuetinë dhe papandehur në gjueti do të thyejë këmbën dhe kjo do të jetë vdekjeprurëse…

Paskëtaj vendin do ta udhëheqë një farë komisioni, po më nuk do të jetë çfarë ishte.

Pas kësaj do ët urrehet vëllai me vëllanë dhe do të mendojnë vetëm të këqija për njëri-tjetrin.

Në kufijtë tonë do të paraqitet një popull i ri e do të rriten ata njerëz nga toka ,si bari i livadheve, mbas shiut, po do të jenë punëtorë e të ndershëm dhe mërzisë tonë do t’i përgjigjen me mençurinë e tyre etj. etj”.

*****

Autorët e librit “Profetëria e Kremanës” (botuar në 1986) konkludojnë se profetët analfabetë kanë pasur parasysh me këtë popull të ri pikërisht shqiptarët dhe se feja e tyre do të jetë irredentizmi shqiptar dhe se profetët kanë qenë të bindur se serbët do ët tërhiqen në veri dhe do t;i lënë të qetë shqiptarët.

Jam i prirë t’i besoj dhe t’i respektoj deri në fund profetët fshatarë dhe njëkohësisht sllavë të Kramanës, rrëzë malit Tara.

Vetëm kam frikë, se për shqiptarët, nuk duhet të jetë përdorur përcaktimi “një popull i ri”, se shqiptarët janë një popull tepër i lashtë dhe autokton në Kosovë dhe në këtë pikë nuk kanë se si të kenë ardhur më pas sllavëve.

Këtë profeci jashtëzakonisht të rëndësishme, të tërheqjes së serbëve nga Kosova, për fat të keq dhe të pikëllueshëm, profetët nuk e përcaktojnë në kufijtë të qartë kalendarikë.

Nuk dihet nëse astrologu kroat, njohës i disa gjuhëve të huaja Ivan Saviç dhe profetët analfabetë të Kremanës, të quajtur Milosh dhe Mitar Tarabiq kanë pasur ndonjë lidhje midis tyre, ndërmjet shenjave të përbashkëta të zodiakut, të horoskopëve astrologjikë, të njëjtë.

Dihet, se ndërmjet simboleve të njëjta të Zodiakut, njerëz, krejtësisht të panjohur më parë, janë bërë miq, madje janë martuar me femra dhe burra dhe në aspektin homoseksual (shumë të sensibilizuar të të drejtave të njeriut dhe të organizatave emblematike në Europë dhe në SHBA) janë martuar dhe martohen juridikisht, pra dhe seksualisht edhe burra me burra.

*****

Unë kam respekt të pafund për profecitë, sidomos kur më pëlqejnë dhe më zgjojnë fantazinë e drobitur dhe më vënë në lëvizje arsyen, siç do të thoshte dyshimtari i pashërueshëm dhe rebel Blez Paskali.

Nuk dua t’ia jap kënaqësinë ateistëve të paturpshëm dhe jo tolerantë, që të më shajnë dhe të më quajnë mistik të vonuar , dhe alibik, që beson mendjelehtësisht besëtytnitë e rafinuara dhe marifetet e biznesit astrologjik të Ballkanit, të njohur në shekuj për orakuj të rremë.

Një gjë është e palëkundur në vetëdijen time të shqetësuar: çështja kombëtare shqiptare një ditë do të fitojë.

Do të realizohet, do të gjejë vetveten.

Nëse, të tërë ne, pjesëtarë të kombit shqiptar, jemi të bindur për këtë gjë, ahere nuk ka pse të përbuzim edhe horoskopët astrologjikë si një spektakël i padukshëm mendor i profecive dhe ëndrrave të gjata dhe të stërlodhura, po gjithsesi të pavdekshme.

Po kryesorja jemi vetë ne.

Është vetëdija jonë, projekti ynë shpirtëror i unitetit, i bashkimit, i ringjalljes, i shmangies së idiotësirave publike, i marrëzisë, të llojit të vetëlavdëruesve, që e ka tallur dhe Erazmi.

PO KUSH, MUND TË QUHET NË SHQIPËRI, ERAZMI, I TË GJITHË, NEVE?

Exit mobile version