Ish-ambasadori shqiptar në Moskë: Dick Marty lindi nga Rusia, raporti i tij u bë në këtë shtet
Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata Speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty ku çoi në themelimin e Gjykatës Speciale dhe hetimin e ish-luftëtarëve të UÇK’së ku sot po qëndrojnë në Hagë.
Shaqir Vukaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Rusi, tha se raporti i Dick Martyt ka filluar dhe është nisur në Rusi, ai thotë se iniciator i këtyre materialeve është nga Rusia.
“Historia me Dik Martin në Rusi është e vjetër. Fillon me Karla Del Ponten që në vitin 99’, pra sapo kishte mbaruar lufta në Kosovë. Një delegacion shkoi dhe takoi Del Ponten dhe ajo e la natën e Krishtlindjeve dhe u mor me nje raport të jashtëzakonshëm që kishte përgatitur Duma për krimet e UÇK-së në Kosovë. Më vonë siç e ka deklaruar dhe vetë Dik Marti, Rusia ishte iniciatorë e këtij problemi, pra e materialeve të raportit të Dik Martit”, u shpreh Vukaj për Euronews Albania.
Vukaj tha se qysh me daljen në skenë të UÇK’së, menjëherë institucionet zyrtare ruse filluan sulmet ndaj UÇK’së, ku quhet si “terroriste, kriminele dhe trafikante”.