Epilogu

Ish Ambasadori shqiptar në Moskë: Me fakte, roli i Rusisë në akuzat kundër drejtuesve të UÇK-së

Nga Shaqir Vukaj        

Botuar në DITA

Duke ndjekur me vëmendje akuzat kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, mu kujtuan vitet kur punoja në Moskë dhe ndiqja me shumë vëmendje qëndrimet zyrtare të Moskës rreth zhvillimeve në Kosovë, qëndrimin ndaj UÇK-së, NATO-s etj.

Duke krahasuar akuzat që u bënë në gjykatën e Hagës kundër drejtuesve të UÇK-së, me ato që janë bërë para shumë vitesh në Moskë, (që vazhdojnë edhe sot) nuk gjeta  ndryshime të dukshme, madje dukej sikur ishin përmbledhur në këtë akt-akuzë, ato që janë deklaruar në Moskë nga udhëheqës të Rusisë, nga shumë medie, analistë, historianë, ushtarakë etj. dhe ato që shkruante Dik Marti.

Duke iu kthyer materialeve e shënimeve të vjetra të periudhës 1998-2002, kur kam punuar në Moskë, gjeta këto shënime të mbajtura në ditarin tim për vizitën delegacionit të Dumes Shtetërore (Parlamentit) të Rusisë në Hagë:       

27.12.1999

‘Këto ditë shkoi në Hagë një delegacion i Dumes Shtetërore, për të paraqitur në Tribunalin Ndërkombëtar materialin e përgatitur nga komisioni i Dumes “Mbi krimet e NATO-s gjatë operacionit kosovar”.

Siç kam shkruar diku më lart, Duma Shtetërore e këtyre katër viteve ka qenë tepër aktive për të ndihmuar “vëllezërit serbë” e për të përkrahur politikën e Beogradit….

Nuk është e rastit që komisioni u prit nga vetë prokurorja Karla del Ponte, madje natën e Krishtlindjeve (megjithëse ajo ishte me pushime). Pavarësisht nga ç’është folur e shkruar në Rusi kundër kësaj gjykate, mbas kthimit të komisionit në Moskë, për çudi, anëtarët dhe në veçanti, kryetari i tij, ish kryeministri Bashkimit Sovjetik N. Rizhkov, folën mirë për del Ponten, pritjen, mënyrën si i kishte dëgjuar e dëshirën me të cilën ajo kishte marrë në dorëzim materialin e përgatitur (sigurisht nga bashkëpunëtorët e Millosheviçit).

Pavarësisht nga akuzat që përmbaheshin në material kundër NATO-s, më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë akuza që ky komision kishte bërë në Hagë “për veprimtarinë e të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës” ndaj të cilës ka “shumë akuza të bazuara për terrorizëm, vrasje masive, spastrim etnik”, për “shkatërrimin dhe përvetësimin e pronave”. Rizhkovi nuk ishte mjaftuar vetëm me materialin e dorëzuar  (me fakte e dokumente, sipas tij) por kishte shpjeguar me fjalë “veprimtarinë antiserbe të UÇK-së, vrasjet masive, përdhunimet, djegiet, plaçkitjet, përzënien me dhunë të serbëve nga Kosova” etj. jo vetëm para dhe gjatë luftës, por edhe tani e deri na ditët e sotme. Sipas tij, Karla del Ponte e kishte dëgjuar me shumë vëmendje, kishte treguar interes të posaçëm për këto materiale dhe kishte premtuar se gjithçka do të shihet me drejtësi…..

Ne shqiptarët duhet të jemi shumë të vëmendshëm e të mos mendojmë se tani i kemi të gjithë miq….”.

Kështu i mbyllja shënimet e asaj dite.

***

Një vit më vonë, erdhi në Moskë për vizitë Karla del Ponte dhe në shënimet e dt.20.12.2000, kam shkruar për këtë vizitë dhe intervistën dhënë kanalit rus ORT, si më poshtë:

Pyetjes se përse kërkon bashkëpunim me autoritetet ruse, ajo iu përgjigj:

“Gjykata që ajo përfaqëson është një organ ndërkombëtar dhe ka nevojë për bashkëpunim me të gjitha shtetetPër rastin e krimeve në Jugosllavi, bashkëpunimit me autoritetet ruse ne i japim rëndësi të veçantë, dhe kjo është arsyeja që kam ardhur në Moskë….”

Këto shënime dhe shumë të tjera të përmbledhura në librin “Rusia dhe Kosova” i kam botuar në vitin 2007, pra një vit para se Karla del Ponte të botonte Kujtimet e saj…

Që në atë kohë kanë lindur dyshime e janë shtruar pikëpyetje se përse Karla del Ponte i jepte rëndësi të veçantë bashkëpunimit me Moskën, kur të gjithë e dinin qëndrimin e hapur pro serb të Moskës, e kryesorja, qëndrimin tepër armiqësor kundër UÇK-së, ku krahas institucioneve zyrtare e politikanëve më me peshë, ishin angazhuar ushtarakë, historianë, shkencëtarë, gazetarë e analistë e deri “demokrati” Sollzhenjicin.

Fakte, dokumente, shkrime të medieve ruse, deklarime të udhëheqësve të Rusisë dëshmojnë më së miri, se ato që ato që shkruante Dik Marti në raportin e tij, nuk kanë qenë të reja e të panjohura, sepse shumë prej tyre, për të mos shumica dërmuese e tyre, janë thënë e shkruar me kohë në Moskë.

***

Që me daljen e UÇK-së në skenë, Moska zyrtare dhe shumica e medieve ruse kanë dalë hapur kundër saj. Pa fund janë deklaratat zyrtare të Moskës kundër UÇK-së që me daljen e saj në skenë. Kështu me dt. 2 mars 1998, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë dilte me këtë deklaratë: “Më 28 shkurt të këtij viti, në Kosovë ndodhën përleshje të trupave të armatosura të shqiptarëve të Kosovës me policinë serbe. Ngjarjet filluan me sulmin e terroristëve shqiptarë kundër një patrulle policie serbe. Sipas të dhënave të MPB të Serbisë, gjatë aksionit të ndërmarrë si kundërpërgjigje, u vranë 16 terroristë”.

Më 23 prill, MPJ e Rusisë doli me një deklaratë tjetër ku thuhej: “Ditët e fundit, gjendja  në Kosovë u ashpërsua përsëri. Ka njoftime për rritjen e veprimtarisë së organizatës terroriste të shqiptarëve të Kosovës, të ashtuquajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës….”, ndërsa Duma Shtetërore (Parlamenti i Rusisë) nëpërmjet  një deklarate, akuzonte shqiptarët: “Duma e Shtetit dënon me vendosmëri çdo shfaqje të terrorizmit, ekstremizmit dhe separatizmit…”.

Ish Kryeministri i Rusisë, E. Primakov shkruante: “Në fund të shkurtit 1998, situata në krahinë u acarua së tepërmi. Si shkak shërbeu sulmi i një grupi terroristësh të së ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës ndaj një patrulle policore serbe…”. Ndërsa drejtori i Institutit të Sllavjanistikës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, Pr. Dr. Vollkov shkruante se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një organizatë krejtësisht terroriste nisi të provokonte incidente…”

Ish kryeministri i Bashkimit Sovjetik, N. Rizhkov në librin e tij “Golgota jugosllave” (Moskë v. 2000) shkruante: “Gjatë v.1998, në territorin e Kosovë Metohi, nga anëtarët e UÇK-së janë  kryer 1884 akte terroriste, ku janë vrarë 288 vetë, ndërmjet të cilëve 173  civilë dhe 115 përfaqësues të Ministrisë Punëve të Brendshme të Serbisë, janë rrëmbyer 292 vetë, nga të cilët 173 serbë dhe malazezë dhe 100 shqiptarë. Nga këta, 31 vetë janë vrarë, 9 kanë arritur të ikin, 110 janë liruar dhe fati i 142 vetëve nuk dihet”.         

Që me fillimin e vitit 1999, pothuajse çdo ditë mediet ruse, MP Jashtme, Duma Shtetërore, historianë, ushtarakë etj. flisnin  e shkruanin për “veprimtarinë terroriste të  UÇK– së”. Kështu me dt.14 janar, MPJ ruse, organizoi një brifing vetëm për të dënuar “aktet barbare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Dhe kjo ndodhte vetëm pak ditë para publikimit të krimit serb në Raçak, për të cilin MPJ ruse u gjet e “papërgatitur”.

Por më vonë ajo u “përgatit” dhe doli me deklarata zyrtare antishqiptare. Asaj i parapriu gazeta pro qeveritare “Roosijsakaja Gazeta” e cila me dt. 22 janar nëpërmjet artikullit “Dyzet kufoma dhe asnjë gëzhojë”, dilte me konkluzionin se “shqiptarët e kanë inskenuar vetë të gjithë këtë ngjarje”, ndërsa më dt.25 gusht 2000 “Njezavisimaja Gazeta” shkruante se: “Kurrfarë vrasjesh nuk ka patur në Raçak”. Të njëjtën gjë do të thoshte edhe ministri i jashtëm Ivanov, madje do e quante  “sjellje teatrale të shqiptarëve”, .

Në deklaratën e Dumes Shtetërore, lidhur me ngjarjen e Raçakut thuhej: “Deputetët shprehin keqardhje lidhur me paragjykimet ndaj palës serbe, mbasi një nga faktorët e thellimit të dyshimeve dhe armiqësive midis palëve konsiston në mungesën e reagimit adekuat ndërkombëtar ndaj provokacioneve  të njohura, përfshijë vrasjen dhe kapjen e serbëve prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Muajt e parë të v.1999, veçanërisht mbas fillimit të bombardimeve të NATO-propaganda ruse ishte përqendruar kundër NATO-s, e veprimeve të saj kundër Jugosllavisë, por herë pas here shkruhej e flitej për “terroristët e mafiozët e UÇK-së”. Kështu gjatë një konference shtypi, përfaqësuesi i presidentit Jelcin për problemin jugosllav, ish kryeministri i Rusisë, Çernomërdin, deklaroi se: “Ne i njohim se kush janë tregtarët e armëve dhe të drogës; me anë të UÇK-së lëviz drogë me vlerë mbi 3 miliardë dollarë”.

Mbas çlirimit të Kosovës, kur diskutohej për të ardhmen e saj, vihet re një sulm frontal kundër UÇK-së, ku u vunë në garë se kush akuzonte, shpifte e shante  më shumë. Me dt.22 qershor, Pr.Dr. Vollkov, anëtar i Akademisë së Shkencave të Rusisë dhe drejtor i njërit prej instituteve të kësaj Akademie,  (disa herë këshilltar e anëtar i komisioneve qeveritare) shkruante:

Qysh në zanafillë, UÇK-ja e ka treguar veten një organizatë terroriste me qëllime politike. Burimet e formimit të saj janë tepër të dyshimta: në të ka pasur edhe mercenarë, edhe të ashtuquajtur vullnetarë të huaj-muhaxhidinë nga vendet arabe. Kurse problemi i financimit të UÇK-së është më i turbullt: para droge, të dërguara nga diaspora shqiptare si dhe disa burime të huaja…”.

MPJ e Rusisë nëpërmjet një deklarate të dt.31 korrik, pohonte edhe një herë botërisht se ajo “Nuk e njihte UÇK-në, se ajo është një organizatë terroriste, që vazhdon të vrasë e të shpërngulë serbët me dhunë nga Kosova, se UÇK-ja nuk ka punë më në Kosovë e jo më ta turbullojë atë”, dhe i bënte thirrje NATO-s që “të hiqte dorë prej kësaj organizate terroriste, dhe se duhej shpallur sa më parë çarmatosja e saj”.

Në këtë periudhë, herë pas here deklarohej e shkruhej se “mbas përfundimit të luftës janë larguar nga Kosova rreth 300 mijë serbë, dhe të gjitha këto nga dhuna e terroristëve të UÇK-së dhe se po kaq shqiptarë kanë ardhur nga Shqipëria  e janë vendosur në Kosovë”.

Në kuadrin e një vjetorit të sulmit ajror të NATO-s kundër Jugosllavisë,  në mars të v.2000, në Moskë u zhvilluan shumë aktivitete “për të dënuar NATO-n” dhe “terroristët shqiptarë të UÇK-së”, e kryesorja për të nxirë situatën në Kosovë. Kështu, ministri i Jashtëm i Rusisë, Ivanov shkruante në “Njezavisimaja Gazeta”:

E prapëseprapë edhe sot Kosova ka mbetur një plagë që kullon gjak në trupin e Europës… Nuk ka ditë që  të mos ketë njoftime për akte të reja dhune kundër serbëve, ciganëve, turqve dhe kombësive të tjera. Sipas të dhënave të ndryshme, kanë ikur me detyrim nga Kosova 250-350 mijë vetë…. Gjatë një viti në Kosovë janë vrarë 1000 vetë, nga të cilët 800 të kombësisë joshqiptare. Ka qindra të plagosur e shumë të humbur pa lënë gjurmë….”.

Në kuadrin e fushatës së madhe propagandistike që u zhvillua ato ditë në Rusi, një vend i konsiderueshëm iu kushtua UÇK-së. Ndërmjet tjerave u tha: “UÇK-ja është një organizatë terroriste dhe është çarmatosur vetëm në letër. Ajo ruan strukturat kriminale që ka pasur, armatimet etj. dhe vazhdon luftën për “Shqipërinë e Madhe”. “Ajo mban në burgjet e veta disa qindra serbë”. Ose “UÇK-ja është organizatë e lidhur me strukturat kriminalendërkombëtare” ose “Kosova çdo ditë e më shumë po kthehet në plasdarm të grupimeve të ndryshme ekstremiste kriminale”.

Duke marrë shkas nga zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe  Maqedoni, gjatë gjithë vitit 2001, Moska zyrtare, mediet, personalitete të ndryshme të jetës ruse etj. nuk lanë rast pa shfrytëzuar për të folur e shkruar kudër “terroristëve të UÇK-së”, gjë që u rrit dukshëm mbas ardhjes së Putinit në postin e presidentit.  Edhe më herët, por veçanërisht në këtë periudhë filluan të përmenden  me emër komandantë e aktivistë të UÇK-së.

Kështu duke marrë shkas nga hedhja në erë e një autobusi ku u vranë shtatë serbë, “Roosijskaja Gazeta” e dt.21 shkurt shkruante: “Në Kosovë asgjë nuk ka ndryshuar. Vazhdojnë të vrasin serbë” dhe më poshtë sulmonte ashpër “kriminelët shqiptarë që kanë vrarë e prerë serbët, si Agim Çeku, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Sokol Bashota, Naim Maloku, Shaban Shala, Rahim Ademi”.

Në mars, sapo kishte ardhur në pushtet presidenti i V. Putin, deklaronte: “Në Ballkan po ndodh ajo që ne kishim paralajmëruarMbas largimit të ushtrisë jugosllave nga Kosova, aty u krijua vakuum, të cilin e mbushën terroristët shqiptarë….”, ndërsa po ato ditë në një emision televiziv të kanalit RTR, ndërmjet tjerave thuhej: “Menjëherë mbas largimit të trupave ushtarake e policore jugosllave nga Kosova, në vitin 1999, shqiptarët filluan vrasjet e serbëve. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë mbi 1500  serbë, një pjesë e të cilëve nuk dihet ku janë varrosur”.

Me dt.21 maj, në një emision special të kanalit televiziv RTR, titulluar “Rebelët shqiptarë përgatiten për luftë” ndërmjet tjerave thuhej: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një organizatë terroriste që udhëhiqet nga Hashim Thaçi”, ndërsa një deklaratë të MPJ të dt.9 qershor thuhej “Ekstremistët dhe separatistët shqiptarë vazhdojnë të frikësojnë dhe të dëbojnë serbët dhe grupet e tjera të popullsisë jo shqiptare….”.

Exit mobile version