Epilogu

Ish-anëtari i SHISH-it: Grupet e Zahir Pajazitit dhe Adem Jasharit erdhën në Shqipëri në emër të Bukoshit

Sokol Poga nga OVL e UÇK – dega Tiranë, ka thënë se në kohën sa ishte Ramiz Alia president në Shqipëri u vendos për stërvistjen e disa grupeve të armatosura.

“Grupi i parë prej 54 vetash ishte ai i Zahir Pajazitit, ndërsa grupi i dytë ai i Adem Jasharit”, tha Poga.

Ai në në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini tha se këta persona erdhën për t’u stërvitur në emër të Bujar Bukoshit.

“Iniciativa ishte nga ana e përfaqësuesve të Kosovës që ishin në atë kohë. Ata erdhën në emër të qeverisë së Bukoshit”, tha ai.

Ish pjesëtari i Shërbimit Intelegjent Shqiptar (SHISH) tregon se në këto ushtrime kishte persona nga grupe të ndryshme politike e ideologjike.

“Aty ishte edhe Adem Jashari por kishte edhe persona të tjerë nga ish të burgosurit politik, por kishte edhe elemente të pajtimit të gjaqeve. Por marrëveshjet bëheshin me qeverinë Bukoshi, dhe investimi ishte nga qeveria e Kosovës”.

Ish-operativi i shtetit Shqiptar ka thënë se personat e ardhur nga Kosova kishin bërë stërvitje me të gjitha armët e mundshme.

“Në Surrel grupi kanë zhvilluar stërvitje me të gjitha llojet e armëve, nga pistoleta deri te granatahedhësi”.

Poga rrëfen se Adem Jashari binte në sy për shkak të mustaqeve të tij karakteristike, por njerëzit nuk e njihnin kush ishte ai.

“Ishte këmbëngulës dhe i vendosur. Ai pyeste se ‘nëse Kosova hyn në luftë me Serbinë, cili do të ishte qëndrimi i Shqipërisë’, por ne nuk ishim në gjendje t’i jepnim përgjigje. Ai pyeste edhe për mundësinë e armatosjes së grupit të Drenicës me disa armë, siç i quante ai, speciale. Por atij nuk iu dhanë granatahedhës, sepse depot ishin të mbyllura, por mori me vete vetëm një automatik plus”.

Ai thotë se Adem Jashari asnjëherë nuk është arrestuar në Shqipëri, ndërsa Zahri Pajaziti është arrestuar.

“Zahri ishte një person sekret. Por, pasi u stërvit, ai vinte përsëri në Shqipëri dhe merrte armatim e kalonte në Kosovë… Në vitin 1994 kishte një urdhër për arrestimin e të gjithë kosovarëve dhe marrje në biseda informative. Edhe Zahiri u kap në atë kohë në afërsi të Kukësit, dhe arsyetimet e tij nuk janë marrë parasysh dhe u mbajt në burg gati një muaj”.

Poga thotë se kishte një ndërhyrje nga Kosova që Zahiri të lirohej.

“U ndërhy nga Kosova pastaj u lirua Zahir Pajaziti, përndryshe nuk mund të dilte. Ai u zu si shkelës dhe nuk kishte arsye të lirohej”.

Ish pjesëtari i SHISH-it thotë se ka dyshime se dikush e dekonspiroi Adem Jasharin.

“Kishte shumë njerëz në Shqipëri që nuk e meritonin atë vend, mund t’u jepej paga, por vendin në shërbim inteligjent nuk e kishin”, tha ai./Telegrafi/

Exit mobile version