fbpx
Lajme

Poezia që Xhevë Lladrovci ia dërgoi Demaçit në 1990: Një tufë lule nga Kosova- rrofsh o bacë sa bjeshkët tona

Më 18 shkurt 1990, duke i uruar ditëlindjen, Xheva shkruan:

Urime bacë ditëlindjen

Rrofsh sa malet, rrofsh sa malet,
i nderuar ndrit në çdo vatër,
me ty rruga kurrë s’do ndalet
liria është më afër.

Bacë- shëndet të plotë e dita t’u bëftë njëmijë
Ardhmëria e një populli fshihet në gjoksin e shkrimtarëve të tij,
Cila është gjëja më e shtrenjtë e njeriut në jetë?
Është liria, atdheu – gjak i freskët në zemër të vet.

Dielli lind më shpejt nga mendja juaj flakadan,
Ideali na thërret në zemrën tuaj vullkan
Të merrni ditë nga jeta jonë dhe vjet
Ëndrrën e kahmotshme do bëjmë realitet:
Lulegjaku po shkruajnë emrin tënd të ndritur,
I shtrenjti ynë, baca Adem, n’zemër të popullit duke u rritur,
Nëpër rrugë e nëpër sheshe ku po rrjedh gjaku gurrë,
Ditëlindjen të urojnë me zemër mijëra lulëkuqe,
Jetë të gjatë-hero i gjallë-yll në flamur
E tërë toka e dheu rrjedh çelik për gisht e plugje
Një tufë lule nga Kosova- rrofsh o bacë sa bjeshkët tona.

Dhe më 21 shkurt, tepër e lumtur, ajo i shkruan Fehmiut:

“Sapo e mbarova një kartolinë urimi për t’ia dërguar bacës për ditëlindje, kur dëgjuam lajmin – u lirua nga burgu. Një gëzim i madh përshkoi zemrat tona. E paramendonim si një yll që vjen të ndritë çdo skaj të Atdheut, të zhdukë errësirën shumëshekullore që ka kapluar popullin tonë.

Lajmi për Bacën u prit me gëzim të madh. Atë natë, anë e kënd në trojet tona u dëgjuan të shtëna – jehonë në shenjë fitore, u ndezën zjarre, flaka e të cilëve shndriti deri në kupë të qiellit. Nëpër fshatra e qytete, nëpër shkolla e fakultete sot, kudo u tubuan masa e gjerë e popullit duke ngritur dy gishtat lart, zëri i popullit tonë kudo po jeton me emrin e Bacës Adem. Dielli sot lindi më herët nga gëzimi për Bacën dhe qielli na u duk më i kthjellët; dhe nënat e dëshmorëve uruan duke brohoritur; dhe gjaku i lulëkuqeve që ranë theror shkroi emrin e ndritur.

Kjo atmosferë gëzimi zgjati vetëm pak kohë. Re të zeza e të tmerrshme e mbuluan përsëri qiellin që na u duk i kaltër, e tani po derdhen në shi gjaku e breshër të llahtarshëm. Por në zemër të popullit je o Bacë e tërë Kosovën në këmbë e ke”. Çfarë mund të thuash për nderimin kur edhe dielli të duket se lind më herët, edhe qielli është më i pastër? Ndoshta ripërsëritja e thirrjes se “tërë Kosovën në këmbë e ke…”.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close