fbpx
Lajme

Ish diplomati i SHBA Wisner: Asociacionin e ka paraparë Ahtisaari, duhet të themelohet

Frank G. Wisner, ish i dërguar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet rreth statusit final për Kosovën, e kujton shumë mirë se Plani i ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i njohur më pas si Pakoja e Ahtisaari-it, përmes të cilës u shpall edhe Kosova shtet, e parashihte që serbëve të Kosovës do u takonte një nivel i zgjeruar i kompetencave në organizimin e tyre lokal.

Në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, Wisner beson se kjo ishte zgjidhje e duhur.

Marrëveshja origjinale e Ahtisaarit parashikonte një shkallë të konsiderueshme për një autonomi për komunat serbe dhe individët serbë që janë brenda kufijve të Kosovës, por pa u dhënë kompetenca sovrane (ekzekutive) atyre komunave”.

Marrëveshja për Asociacionin u nënshkrua mes Kosovës e Serbisë në vitin 2013, por kur iu përcaktua statuti me marrëveshjen e 2015, Gjykata Kushtetuese gjeti se në 22 vende ky rregullim bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Kështu procesi për themelimin e Asociacionit u bllokua.

Lëvizja Vetëvendosje, tani në pushtet, e ka kundërshtuar vazhdimisht themelimin e një blloku të tillë, sepse, sipas tyre, pashmangshëm do çonte në atë që ishte formuluar si Bosnjëzimi i Kosovës, ose thënë me fjalë tjera, de-funksionalizimi i shtetit, meqë krijohet një shkallë tjetër e ndërmjetme e pushtetit.

Qëndrimi aktual i qeverisë në Kosovë është që Asociacioni nuk duhet të themelohet fare, përveç se komunat serbe në Veri mund të inkuadrohen në kuadër të Asociacionit të përgjithshëm të Komunave të Kosovës.

Wisner beson se s’ka gjë të keqe t’i qëndrohet asaj që planifikoi Ahtisaari, por “nuk është e mençur të shkosh përtej kufijve të asaj që parashtroi ai”.

Edhe diplomati amerikan, një Asociacion me kompetenca të zgjeruara ekzekutive e konsideron mekanizëm që mund ta deformojë strukturën shtetërore në Kosovë.

“Mendoj se koordinimi joformal ndërmjet komunave dhe qeverisë së Serbisë është i mirë nëse qeveria serbe do të jap libra shkollorë apo rroga, por nuk duhet të bëhet fjalë për ndërhyrje sovrane, sepse kjo do të çonte në situatën negative që po përjetojmë në Bosnje me Republikën Srpska”.

Wisner: Tregimet për luftën janë iluzione të kota

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shtuar në fjalorin e tij në paraqitje publike fjalën “luftë” dhe ka folur për potencialitetin e një eksalimi të situatës, shtyrë nga Serbia drejt Kosovës.

Por, për Wisner që di kaq shumë për konfliktet nëpër botë e në shumë prej tyre ka ndërmjetësuar për pajtim, këtë lloj ligjërimi, në rastin e Kosovës e Serbisë, e quan “muhabet të kotë”.

“Ekziston një fjalë e vjetër se ‘lufta është e panevojshme dhe e rrezikshme’. Në mendjen time nuk ka gjasa që njëra palë do të trembte tjetrën drejt një marrëveshje, thjesht do të turbullonte ujërat në Evropë dhe nuk mendoj se bisedimet e luftës e çojnë përpara perspektivën ose një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës ose Beogradit, Prishtinës dhe BE-së me mbështetjen e SHBA-së, kështu që jam shumë i çliruar nga iluzionet kur flitet për dhunën dhe luftën, janë me të vërtetë shumë të kota”.

Ai shton, se propozimi që telashet mes dy vendeve të zgjidhen nëpërmjet modelit të dy gjermanive, i rimodeluar për kontekstin aktual, ku shtetet do ta pranonin njëra tjetrën si realitete legale, por nuk do të njiheshin zyrtarisht, është pikërisht shmangia nga tensioni e lufta potenciale.

“Zgjidhja gjermano-gjermane shmang luftën dhe larg luftës të gjithë duam të shkojmë”, pohoi ai në një intervistë për Albanian Post.

Amerikani shton se as njerëzit në Kosovë e Serbi nuk e duan një luftë të re e të përgjakshme. “Largimi nga kërcënimet e luftës, lëvizja drejt perspektivës së paqes dhe mirëkuptimit dhe anëtarësimit në BE. Kjo është me të vërtetë ajo që dëshiroj edhe unë që njerëzit të përqendrohen”.

Wisner ka tërhequr vërejtjen gjithsesi, se kur prolongohet zgjidhja për shumë gjatë, ekziston gjithmonë rreziku që situata të shkojë drejt rrugës padalje dhe kjo përbën “rrezik që Perëndimi të humbasë interesin”.

Gjithsesi, për faktin se bëhet fjalë për një pjesë të Evropës, “nuk mendoj se Ballkani Perëndimor mund të bjerë plotësisht nga agjenda”.

“Evropa vazhdimisht thirret që të përpiqet të zgjidhë këto probleme dhe të kalojë në atë që ne mbështesim dhe e quajmë një Evropë të plotë dhe të lirë”.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close