Prishtinë – Ish-drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Emrush Thaqi ka thënë se aktakuza ndaj tij është politike.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë gjatë dhënies së mbrojtjes ku bashkë me të po akuzohet edhe Nexhib Shatri, të cilët po dyshohen se kishin mundësuar arratisjen e tre të paraburgosurve, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, të cilët ishin duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Thaqi në seancën e së enjtes, ka thënë se prokurori që e kishte ngritur këtë aktakuzë Romule Mateus në prani të avokatit Bajram Sherifi i kishte thënë se çështja e përfshirjes së tij në këtë aktakuzë ishte politike.
“Prokurori i çështjes Romule Mateus më ka thënë në prani të avokatit Bajram Sherifi se çështja e futjes suaj në aktakuzë është politike për shkak të kokëfortësisë tuaj”, ka thënë i akuzuari.
Sipas tij, dëshmi se kjo aktakuzë është politike e dëshmon fakti që në kallëzim penal dhe në fazën e hetimeve ai nuk kishte qenë i përfshirë, ndërsa sipas tij, me ndikimin e prestarëve të EULEX-it dhe personave që kishin qëndruar prapa tyre, ai ishte ftuar për të dhënë deklaratë në prokurori, dhe më pas ishte përfshirë si i akuzuar në këtë rast.
“Ne kemi kallëzimin penal para ngritjes së aktakuzës pa emrin tim, ndërsa me plotësimin e dëshmitarëve të pjesëtarit të EULEX-it dhe sigurisht dikush prapa tij, jam thirrë në prokurori kam dhënë deklaratën dhe menjëherë është bërë ngritja e aktakuzës ku jam dalë i pari, një proces i montuar plotësisht”, ka thënë i akuzuari Thaqi.
Thaqi ka mohuar që nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare duke iu mundësuar të burgosurve Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Hashari, arratisjen nga QKUK me 20 maj 2014.
Ai ka thënë se një ditë më herët, konkretisht me 19 maj 2014, kishte pranuar një urdhëresë të gjykatës nga gjyqtari Darius Silicki për transferim të të paraburgosurit Ismet Haxha, nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.
Të njëjtën ditë, pas marrjes së kësaj urdhëresë të gjykatës, i akuzuari Thaqi tha se i kishin bërë kërkesë drejtorit të Përgjithshëm të ShKK-së, për transferimin e Ismet Haxhës ashtu siç ishte urdhëruar nga gjykata, dhe sipas tij, më parashtrimin e kësaj kërkese kishte përfunduar përgjegjësia e tij, si drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë.
Ai tha se në urdheresë ishin përfshirë edhe të akuzuarit Sami Lushtaku dhe Sahit Jashari, por sipas tij, kompetencë e tyre ka qenë vetëm transferim i Ismet Haxhës pasi ky i fundit kishte qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ndërsa dy të tjerë në qendra tjera, për të cilët përgjegjës tha se kishin qenë drejtorët e qendrave përkatëse.
I pyetur në lidhje me sigurinë e të paraburgosurve që kishin qenë në trajtim në QKUK, i akuzuari ka thënë se kërkesa për sigurinë e tyre bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e ShKK-së-Departamenti për Siguri apo Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Siguri dhe Operativë Sokol Zogaj.
Ai ka thënë se si drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë ka pasur detyrë menaxhimin e këtij institucioni, ndërsa në lidhje me caktimin e oficerëve korrektues për ruajtjen e të paraburgosurve, i akuzuari ka thënë se përgjegjësi ka qenë e Departamentit për Siguri dhe Operativë.
“Në këtë rast, unë nuk e kam ditë kush e ka ruajtur Ismet Haxhen por e kam marrë vesh më vonë që oficeri korrektues ka qenë Bashkim Dervisholli, nga departamenti për siguri është vlerësuar që është i mjaftueshëm në mbikëqyrjen e të paraburgosurve”, ka thënë i akuzuari.
Lidhur me këtë rast, i akuzuari ka thënë se ka zhvilluar një takim me kërkesën e kryeprokurorit Jonathan Ratel, në të cilën kishin qenë të pranishëm edhe ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqin, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShKK-së, Shemsi Hajrizi, zëvendës drejtori i përgjithshëm i ShKK për siguri dhe operativë Sokol Zogaj, si dhe përfaqësuesi i policisë së Kosovës zëvendës drejtor i policisë Naim Rexha.
Në këtë takim, i akuzuari tha se Ratel iu kishte thënë se në këtë rast nuk ka arratisje, dhe se ai e kishte situatën në kontroll, dhe se ishte kompetencë e tij të merret me këtë çështje.
Thaqi e ka mohuar edhe piken e dytë të aktakuzës në të cilën po akuzohet se pasi ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i ShKK-së, iu kishte ofruar trajtim preferencial të burgosurve Lushtaku, Haxha dhe Jashari.
Ai ka thënë se pasi ishte emëruar në këtë pozitë, kishte pasur pakënaqësi nga zyrtarët e EULEX-it, që sipas tij i kishin bërë presion që të transferojë grupin “Drenica:, në Burgun e Sigurisë së Lartë kundërligjshëm.
“Në vazhdimësi ende pa e marrë mandatin fillojnë presionet nga monitoruesi i ShKK-së, pjesëtar i EULEX-it, Marko Hokkanen, i cili në vazhdimësi më “urdhëronte” që të bëjë transferin e grupit të Drenicës në Burgun e Sigurisë së Lartë kundërligjshëm, edhe pse një vendim i ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuqi thekson se në Burgun e Sigurisë së Lartë mund të transferohen të burgosurit apo paraburgosurit që janë dënuar me mbi 15 vite burgim, e që ky vendim nuk ka lejuar që të bëhet transferimi i Lushtakut, Haxhës dhe Jasharit”, ka thënë i akuzuari.
Presionin nga monitoruesi i EULEX-it, i akuzuari tha se e kishte adresuar edhe tek ministri Kuqi dhe tek personat përgjegjës dhe në takimet e rregullta që ishin zhvilluar.
Ai tha se në periudhën kur në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kaluar miratimi i Gjykatës Speciale, monitoruesi i EULEX-it, Marko Honakken i kishte bërë presion që të bëjë transferimin e grupit “Drenica”, pasi sipas tij, Sami Lushtaku për shkak se në kuvend ka pasur shtatë deputet mund të ndikonte në mosvotimin e Gjykatës Speciale.
“Në periudhën kur në Kuvendin e Kosovës nuk kaloj miratimi i Gjykatës Speciale, Marko Hokkanen më bënte presion se duhet patjetër të transferohen, pasi që sipas tij të paraburgosurit revoltohen dhe nuk kalon në seancën e dytë në Gjykatën Speciale dhe sipas tij Sami Lushtaku i ka 7 deputet që ndikon te këta në mosvotimin e Gjykatës Speciale”, tha i akuzuari.
Sipas tij, Marko Honakken i kishte thënë se EULEX-it, i intereson që gjykatën speciale të dështojë këtu, në mënyrë që të njëjtën ta dërgojnë në OKB.
“Ai më ka thënë se gjykata speciale sa na i përket neve si EULEX, jemi të interesuar ta dështojmë këtu e ta dërgojmë në OKB, edhe nëse nënshkruan kundërligjshëm ne të mbrojmë, por përgjigjja ime ka qenë se nuk nënshkruaj vendime të kundërligjshme dhe mua më mbron ligji”, ka deklaruar i akuzuari Thaqi.
Ndaj oficerëve korrektues që i kishin ruajtur tre të paraburgosurit në rastin “Drenica”, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj i akuzuari tha se ishte iniciuar procedurë disiplinore dhe iu ishte shqiptuar masa transfer në një qendër tjetër të paraburgimit për gjashtë (6) muaj.
Ai ka thënë se të paraburgosurit kanë qenë në dijeni për urdhëresën që të transferohen në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë dhe sipas tij, edhe prokurori i EULEX-it Jonathan Rael kishte deklaruar se të njëjtit janë të revoltuar për shkak të pasigurisë në këtë qendër të paraburgimit.
Sipas tij, edhe nga dëshmitarët që janë dëgjuar, kanë deklaruar se në këtë qendër në Mitrovicë nuk ka pasur asnjë zyrtar të nacionalitetit shqiptar dhe se kjo pasiguri sipas tij vërtetohet edhe nga komunikimet mes Shemsi Hajrizi dhe ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë.
Në seancën e së enjtes mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i akuzuari i dytë në këtë rast Nexhip Shatri.
Shatri ka thënë se nga viti 2008 e deri në vitin 2010 ka shërbyer si mjek i përgjithshëm në Burgun e Dubravës, ndërsa pas viti 2010 tha se ka qenë udhëheqës i sistemit shëndetësor në Qendrën Korrektuese në Stacionarin e Dubravës.
Ai ka thënë se Sami Lushtaku ishte ankuar për dhimbje gjoksi dhe ishte kontrolluar nga kardiologu Ismail Avdimetaj, dhe pasi në Spitalin e Pejes aparatura e ergonometrisë kishte qenë në defekt, sipas tij, Lushtaku ishte udhëzuar për në QKUK.
Sipas të akuzuarit arsye tjetër që Lushtaku ishte udhëzuar për në QKUK ka qenë edhe kërkesa e tij që të kontrollohet tek mjeku Sami Gjoka.
Udhëzimet e një mjeku specialist, i akuzuari ka thënë se dërgohen në Drejtorinë e Administratës së Burgut të Dubravës, dhe i njëjti ka treguar se kur e kishte dërguar udhëzimin e mjekut Ismail Avdimetaj, drejtori ekzekutiv Rasim Selmani i kishte kërkuar që të nënshkruar ky udhëzim nga mjeku Avdimetaj, e që sipas të akuzuarit, ashtu edhe kishte vepruar.
Përveç kësaj, i akuzuari tha se Lushtaku disa herë para arratisjes ishte udhëzuar që të kontrollohet në QKUK.
Ai tha se posedon raporte kur Lushtaku në shtator 2013 ishte dërguar në QKUK për kryerjen e ekzaminimeve dhe më pas ishte kthyer në Qendrën e Paraburgimit, ndërsa sipas tij, prapë pas një muaji i njëjti prapë ishte dërguar në Spitalin e Pejës, dhe prapë mjeku Ismail Avdimetaj e kishte udhëzuar për në QKUK.
Për herë të tretë, i akuzuari tha se më 25 nëntor 2013, nga mjeku i burgut Orhan Shala, ishte udhëzuar Lushtaku për në Spitalin e Pajës, dhe kur i njëjti është kontrolluar nga gastroenterologu Dr.Sylë Nikqi, edhe ky i fundit e kishte udhëzuar për në QKUK.
Shatri ka thënë se Lushtaku shumë herë është dërguar për trajtim në QKUK nga mjek të ndryshëm dhe se ai personalisht tri herë e kishte udhëzuar për në QKUK.
Ai po ashtu tha se nga mjekët e QKUK-së kishin pranuar shkresa në formën që të mos i pengojnë në punën e tyre lidhur me trajtimin e Samu Lushtakut.
“Sami Luhstakut kurrë s’iu kom tut, nuk më ka bo presion kurrë, edhe nuk më ka ofruar favore kurrë, për qata kam pas një respekt për to”, tha i akuzuari.
Shatri është deklaruar edhe për pikën tjetër të aktakuzës e cila ka të bëjë me pranimin e të burgosurit Shkelqim Latifaj për të cilin akuzohet se ishte vendosur në raport mjekësor e jo në pavionin 8.
Lidhur me këtë pikë të aktakuzës, Shatri ka thënë se doktoresha Ylberina Latifaj e cila personin e burgosur Shkelqim Latifajn e ka pasur vëlla, e kishte kontaktuar përmes telefonit dhe i kishte thënë se ka biseduar me Shefin e Departamentit Shëndetësor të Burxheve, dhe se i njëjti e kishte drejtuar tek i akuzuari për të pyetur për gjendjen shëndetësore të vëllaut të saj, gjë për të cilën i akuzuari tha se vetëm ishte interesuar për gjendjen e tij.
Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 16 shkurt 2022.
Ndryshe, ky rast më parë është gjykuar nga gjykatësi Shashivar Hoti, por pasi ka ndërruar jetë, rasti ka kaluar tek gjykatësi Agim Kuçi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.
Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.
Ndërsa, të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.
Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit.
“Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E.Th. për dy vepra penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumentit” dhe “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.
Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohet i pandehuri Thaqi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.