Qeveria Kurti nuk e ka në plan t’i ndalë emërimet dhe punësimet me të njohshëm.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po vazhdon të emërojë në pozita të rëndësishme njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje ose miq të tyre, ndonëse në pushtet erdhën duke thënë se miqtë dhe familjarët janë vetëm për dasma, shkruan Demokracia.com.
Ish-kandidati i Vetëvendosjes për deputet, Nexhat Kryeziu, së bashku me një mike të ministrit Hekuran Murati janë emëruar anëtarë të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar.
Nexhat Kryeziu, i cili ka qenë kandidat për deputet nga partia në pushtet në zgjedhjet e nacionale të vitit 2017, është emëruar kryesues i këtij Këshilli.
Po ashtu, Demokracia.com merr vesh se edhe e emëruara tjetër, Ardita Haxhiaj, është një mike e mirë e ministrit Hekuran Murati, me të cilin e ndante edhe të njëjtën zyre në kohën kur Hekuran Murati kishte punuar në Thesarin e Shtetit.
Haxhiaj është emëruar anëtare, ndonëse sipas ligjit, KKRF është organ i pavarur profesional dhe autoritet kompetent i përbërë nga shtatë anëtarë, ku vetëm një anëtar është nga Ministria e Financave.
Demokracia.com për këtë çështje ka pyetur edhe në ministrinë që udhëhiqet nga Hekuran Murati, por ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse zyrtarja Ardita Haxhiaj është emëruar në këtë Këshill për shkak të miqësisë me ministrin Murati.
KKRF është organ i pavarur profesional dhe autoritet kompetent, siç përcaktohet me dispozitat ligjore, i përbërë nga shtatë anëtarë: një anëtar nga BQK, një anëtar nga universitetet që ofrojnë arsimim të lartë në kontabilitet dhe auditim, një anëtar nga Ministria e Financave, një anëtar nga shoqatat profesionale të kontabilitetit (shoqata) të licencuar nga KKRF-ja dhe tre anëtarë nga komuniteti i biznesit, që kanë njohuri dhe përvojë në financa.
Çdo anëtar i KKRF-së merr kompensim për punën e bërë, lartësia e të cilit përcaktohet nga Ministria i Financave.
KKRF-ja financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe donacionet. Donacionet nuk mund të jenë nga palët të cilat janë subjekt i këtij ligji. /Demokracia.com/