Epilogu

ISH-KANDIDATJA E LDK-SË PËR DEPUTETE GJYKOI KËRKESËN E LDK-SË DHE VV-SË NË KUSHTETUESE

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, që dikur i përplaste LDK-në dhe Vetëvendosjen shkaku i të kaluarës së saj politike, të enjten i ka bashkuar dy partitë opozitare.

Mes shumë çështjeve që ndanin Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2015, ishte edhe emërimi në Gjykatën Kushtetuese i gjyqtares Selvete Gërxhaliu-Krasniqi.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 30 nëntor të vitit 2015, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi u zgjodh gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese me 66 vota pro të deputetëve.

Deputetët e LDK-së votuan pro zgjedhjes së Gërxhaliu-Krasniqit, ndërkaq Vetëvendosje e kundërshtonte ashpër zgjedhjen e saj në Gjykatën Kushtetuese.

Gërxhaliu-Krasniqi ka pasur lidhje të ngushta me LDK-në në kohën kur ishte zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo kishte qenë pjesë e LDK-së dhe kandidate për deputete e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Edhe Agim Krasniqi, bashkëshorti i Gërxhaliu-Krasniqit, ka një të kaluar me LDK-në. Ai kishte qenë deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës në vitet 2010-2014.

Për këto fakte, Vetëvendosje e denonconte zgjedhjen e saj në gjykatë.

Mirëpo, katër vite më vonë, Vetëvendosjen dhe LDK-në i ka bashkuar gjyqtarja që dikur i ndante, shkruan Insajderi.

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi ka qenë pjesë e trupit gjykues të Gjykatës Kushtetuese më 13 qershor të këtij viti, kur kjo gjykatë shqyrtoi kërkesën e parashtruar së bashku nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me kompetencat e Ekipit negociator.

E, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese vendosi pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kushtetuesja e shpalli jo kushtetuese ligjin dhe delegacionin shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, të miratuar në dhjetor të vitit të shkuar.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që u shpall të enjten më datë (27.06), thuhet se “ligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës”.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, u bë e ditur se ish-kandidatja për deputete e LDK-së, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, përveç se ishte pjesë përbërëse e trupit gjykues që shqyrtoi kërkesën e dy partive opozitare, ajo ishte edhe gjyqtare raportuese në këtë aktgjykim.

Edhe KMDLNJ e kundështonte Selvete Gërxhaliu-Krasniqin

Pasi kishte fituar votat për t’u zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015, kundër dekretimit të Selvete Gërxhaliu-Krasniqit nga Zyra e Presidentit të Kosovës kishte reaguar edhe KLMDNJ.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kishte kërkuar nga asokohe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që të mos e dekretonte Selvete Gërxhaliu–Krasniqin për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese për shkak se ajo ka qenë kandidate e LDK-së për deputete.

KMDLNJ thoshte se zgjedhja e saj do të ishte në kundërshtim me moralin, do të përbënte konflikt interesi dhe interferim të drejtpërdrejtë politik.

“KMDLNJ kërkon nga presidentja e Kosovës të mos e dekretojë znj .Selvete Gërxhaliu – Krasniqi për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese pikërisht se votimi është mbështetur politikisht dhe partiakisht dhe në një mënyrë është ditur epilogu i votimit (në raundin e dytë) duke i diskriminuar kandidatët tjerë të cilët kanë shërbyer vetëm si numra për përmbushjen e aspekteve procedurale e që do të garantonte rregullsinë e procesit, që nga konkurrimi deri te votimi”, kishte thënë KMDLNJ më 2015.

KMDLNJ kishte deklaruar se nuk e “konteston profesionalizmin e znj. Selvete Gërxhaliu – Krasniqi por e konteston sfondin ekskluzivisht politik dhe partiak të votimit të saj.” /Insajderi.com

Exit mobile version