Slobodan Stojanovic, komandant i pensionuar i stacionit policor në Cërna Trava , ish-anëtar i Çetës së IV-të, Detashmentit 37 të Njësisë së Policisë Speciale të Serbisë, ish dëshmitar i mbrojtur i shtetit serb, në vazhdimin e rrëfimit të tij për e-novine sjell dëshmi tjera për krimet ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai përmend plaçkitjet, vrasjet mizore, varrezë masive në Tusus të Prizrenit, vrasjet në Prekaz, Glogoc, Skenderaj, Opterushë, Samadraxhë… Ai flet edhe për vrasjen e mjekut serb që ka thënë se do të flas për të gjitha krimet e forcave serbe. Stojanovic cekë të ashtuquajturat spastrime të terrenit në Drenicë, vrasjet e civilëve Bajgorë, dhe urdhrin e komandantit për vrasje, që ishte: “Le të rreziten”. Telegrafi sjellë edhe rrëfimin për vrasjen e Milos Danilo Vlaskovicit, ish kreut të sektorit të analitikes dhe informatikës në SUP (Sekretariati i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë – v.j.), në Kosovë, me prejardhje malazez nga Kolashini i Ibrit, të cilin e vrasin më 16 qershor 1999 dy rezervistë të Ushtrisë jugosllave, rreth orës 16:30, në Mazgit të Obiliqit. Djali i tij VMV dhe gruaja MJV, si dhe gjashtë dëshmitarë që kanë parë vrasjen e tij, thonë se ai është vrarë sepse ka mbrojtur fqinjët shqiptarë.
“Janë bërë hetimet kundër 17 anëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë, kundër të cilëve kemi dëshmuar. Më pas, gjykatësi hetues, Milani Dilparic, e ka marrë në pyetje vetëm B.Z.-në dhe mua, pjesërisht. Gjithçka është pezulluar. Të gjithë ishin të lirë pas tre muajsh, madje edhe Radoslav Mitrovic i cili gjykohej edhe për rastin në Suharekë. Thuajse asgjë nga ajo për çka kam dëshmuar nuk ka ndodhur. Prokurori Dragoljub Stankovic para gjykatores ka përshëndetur të gjithë ata që i kam akuzuar për krime lufte, e mua fare”, thotë Stojanovic.
“Njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë janë ende në polici, na ‘ruajnë’. Në Leskoc është një duzinë e policëve që merreshin me sigurimin e diskotekave e më vonë iu bashkuan Njësisë së Policisë Speciale në Kosovë. Ata gjetën edhe një duzinë tjetër të tyre. Ata kanë bërë përzgjedhje, dhe tërë këtë e dinte komandanti i Çetës, Nenad Stojkovic. Janë organizuar qëkur është formuar njësiti, njiheshin në shpirt, sepse kanë luftuar në Kroaci dhe në Bosnje.
Këta janë ata njerëz që kanë vrarë dhe plaçkitur në Kroaci dhe në Bosnje. Edhe një nga kolegët ka dëshmuar kur ka parë vrasjet e myslimanëve (boshnjakëve – v.j.), me urdhrin e Milan Lukicit në Vishegrad. I kanë vrarë policët tanë, leskovqanët (nga Leskoci). Këtë e di edhe Prokuroria për Krime Lufte (e Serbisë – v.j.).
Ekziston edhe një varr masiv ku janë vrarë vranë myslimanët, në likuidimin e të cilëve kanë marrë pjesë nga Departamenti i Policisë në Leskoc, të cilët më vonë janë angazhuar në Detashmentin 37. Ajo (varreza – v.j.) është në Bosnjën lindore. Mund të gjendet. Është hapur brenda natës, në fshehtësi, e aty janë varrosur, natën, myslimanët. I njoh kolegët që kanë ngarkuar kufomat në kamionë.
Ata ishin të gatshëm të dëshmojnë për këtë, por janë ndalur kur kanë parë se çfarë më ka ndodhur mua dhe dëshmitarëve tjerë.
Gjithashtu, ekziston një varr masiv në fshatin e Tususit mbi Prizren. Atje u varrosën pesëdhjetë shqiptarë, fëmijë, të moshuar, të rinj, civilë, të cilët ishin nuk ishin të aftë për asnjë operacion luftarak. Ata u ekzekutuan, u mbështetën për muri dhe u vranë me rafalë.
Kam përmendur Glogocin. Aty në një spastrim të terrenit, kam parë një grup të 400-5000 grave shqiptare, fëmijëve dhe pleqve. Aty një koleg i imi donte të gjuante në ta, e unë e kam ndaluar sepse askush nuk ofronte ndonjë rezistencë. Pastaj u afrua një grua, që fliste në mënyrë të përkryer serbokroatisht. Kuptova se ishte myslimane nga Sarajeva, e martuar me një shqiptar. Më pyeti se pse bombardojmë, se pse vrasim njerëz dhe shkatërrojmë pronën dhe bagëtinë. Tek më vonë pash tmerrin, trupa të masakruar, shtëpi të djegura nga shpërthimet. Nuk mund të besoja se kjo mund të ndodhte. Ndodhte pa asnjë veprim luftarak, pa asnjë justifikim për çdo përdorim të forcës. Askush nuk kishte të drejtë për këtë. Ndërsa, futeshin (forcat serbe – v.j.) dhe vrisnin pa ua ndier.
Pastaj kanë hapur ormanët, për të kërkuar para. Kur i gjenin, kënaqeshin, deheshin. Mbi Gllogoc, pas këtyre veprimeve, komandantit i është dhuruar ‘Mercedesi’ më i ri.
Vrasësit serbë, shumë nga të cilët nga Bosnja dhe Hercegovina, janë tashti në Xhandarmëri, në njësitet speciale të policisë, njësite të MUP-it që merren me programin për mbrojtjen e dëshmitarëve .
Mbaj mend një vrasje në fshatin Les, ku njëri kalëronte dhe ruante kopenë. Ishte civil, natyrisht. Edhe disa barinj ishin me të. Ata nuk kishin armë, mbase as thikë buke. Të mitë nga çeta i kanë vrarë pa asnjë arsye. Kam dëgjuar në radio zërin e komandantit Radoslav Mitrovic, i cili nga një kullë mbi Prizren përcillte të gjitha njësitet. Ai tha dhe më duket që ende e dëgjoj: ‘Çegar’ (ishte kod i joni), lërini të rreziten’. Pra, që njerëzit të vriten në gjakftohtësi. Urdhri natyrisht është zbatuar, ndërsa njerëzit vetëm na shikonin.
Në Skenderaj më 1998 ishin tri të ashtuquajtura spastrime terreni: në mars, në qershor dhe në shtator. Gjatë të tretit, ku kam marr pjesë, polici Aleksandar Trajkovic, tani në pension, njëri me nofkën Secerko, dhe unë, nuk e kemi harxhuar asnjë plumb. Aksioni ka zgjatur disa orë. Së pari kanë hyrë të Legisë (njësitet paramilitare terroriste të Milorad Ulemek – Legisë), secili me xhipat e tyre, për të plaçkitur. Ne ishim pas tyre. Fshatrat ishin të djegura, kudo civilë të vrarë. Gra, fëmijë, bagëti, gjithçka që ka lëvizur është vrarë në Prekazin e Ultë dhe të Epërm. Drenica digjej.
Mbaj mend edhe krimet në Bajgorë. Kemi shkuar në anën e djathtë të rrugës. Në kamionin tonë ishte mitralozi ‘Browning’. Ne bartnim municion. Një i çmendur nga ‘Browningu’ ka shtënë drejtë një kopeje. Gjuante delet dhe njerëzit. Shihja tek vrapojnë. Nuk e di se sa ishin. Binin përtokë. Vetëm civilë. Unë e kam ndalur atë, por shumë vonë, sepse fillimisht nuk kam parë se në kë gjuante, se a jemi të sulmuar. Ai gjuante delet, lopët dhe njerëzit.
Në fshatin e tyre kemi gjetur tenxhere në të cilat bënin ajvar. Ishim të uritur dhe e hamë. Por, kjo nuk u mjaftonte. Kur e hëngrën ajvarin, e dogjën fshatin. Kurrë nuk do ta harroj Bajgorën.
Bajgora dhe fshatrat tjera të djegura ishin mjedise urbane; shihej mirëqenia me aparatet moderne shtëpiake që i kishte çdo shtëpi. Kishin antena satelitore. Gjithçka është plaçkitur e shtëpitë janë djegur. Kjo ndodhi në vitin 1998, prandaj duhet të cilësohet si (krim – v.j.) lufte.
Komandanti Nenad Stojkovic me vetiniciativë gjuante me topa në Samadraxhë dhe Opterushë, hidhte nga 4-5 mina. E pyeta se përse gjuante, sepse jemi në fshat e si në pëllëmbë dore i shihnim njerëzit tek bëjnë punët e përditshme. Ai ndonjëherë do ta pyeste komandantin Radoslav Mitrovic, përgjigja e të cilit, kur dikush duhej të vritej ishte: ‘Le të rrezitet’.
U dogjën fshatrat kudo që shkuam. Mua, natyrisht, nuk më shkonte as në mendje për ta djegur ndonjë shtëpi. Në Podujevë janë djegur dy fshatra. Digjej frikshëm.
Urdhrat i ka dhënë Stojkovici, shpesh pa ndonjë konsultim me komandantin. Mua më urrenin, më thoshin se i dua shqiptarët, e unë thosha se kjo që bëjnë kurdoherë do të na dalë për hundësh.
Pastaj, nuk është bërë hetimi i duhur kur është vrarë mjeku jonë Branimir Djokic. Ai u vra nga polici Goran Stamenkovic – Stamenko , sepse mjeku dinte shumë për krimet në Kosovë, si dhe unë, ndërsa komandanti Radoslav Mitrovic nuk e ka lejuar hetimin duke ‘konstatuar’ se mjekun e ka vrarë UÇK. Mjeku ishte me ne që në fillim të formimit të Njësitit Special të Policisë. I ka thënë Nenad Stojkovicit: ‘Kur të kthehem, do të tregoj gjithçka që keni bërë’. E kanë vrarë si një dëshmitar kyç .
Edhe unë i kam paralajmëruar. Kam thënë se për gjithçka do t’i shkruaj Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këtë e bëra. Por, nuk kishin guxim të më qëllonin”, është pjesa e dytë e rrëfimit të Slobodan Stojanovic, i cili vazhdon edhe nesër.