Çfarë ndodhi në maj 1998. Cila ishte prapaskena që solli vrasjen makabre të Konushevcit dhe mjekut Malaj. Cili ishte fati i vëllezërve Demiraj. Raportet e forcave në Tiranë dhe Tropojë, prania e kudondodhur e spiunazhit serb dhe një letër e Ilir Konushevcit
Nga Bedri Islami
Në fillimin e majit të vitit 1998, kur gjërat që lidheshin me forcimin e strukturave të ushtrisë Çlirimtare të kosovës,ishin në pikun e vlimit, rrugës për në Tropojë, në një pritë të mirëorganizuar, u vranë dy nga drejtuesit kryesorë të strukturave të logjistikës, Ilir Konushevci, Hero i Kosovës, i njohur me emrin “Mërgimi”, si dhe mjeku atdhetar Hazir Malaj, burrë i shquar, i vënë krejtësisht në shërbimin e luftës për lirinë e Kosovës. Në fakt, duhet thënë që në fillim se, mjaft nga familjet e nderuara të Malësisë së Gjakovës, që nga mesi i vitit 1995, pa pyetur askënd, kishin vënë gjithçka në dobi të luftës në Kosovë de ishin bërë kështu pararendësit e asaj që do të ndodhte disa vite më vonë. Familje të njohura si e Sulejman Krasniqit me djemtë, Haklajt, Haxhiajt, Sulejman Berisha e shumë të tjera u bënë strehë për lëvizjen ilegale çlirimtare. Ashtu si ndodhi edhe e kundërta; disa nga farat e hidhura të kësaj treve u bënë bashkëpunues të shërbimit të fshehtë jugosllav dhe i shitën ose i vranë djemtë që kërkonin lirinë e vendit të tyre dhe bashkimin me shtetin amë, Shqipërinë.Në një shkrim krejtësisht të saktë të para pak ditëve, Izet Haxhia sillte në vëmendje se në vrasjen e Ilir Konushevcit organizatori dhe vrasësi kishte qenë Bislim Demiraj, i lidhur ngushtë me strukturat e shërbimit të fshehtë serb, por njëkohësisht edhe i afërt me rrethin e ish presidentit Berisha.Duke qenë e saktë, nuk është e gjitha. Në vrasjen e Ilir Konushevcit nuk ishte vetëm njëri vëlla, por të dy vëllezërit e gjykatëses së sotme, Shefkie Demiri. Ishte Agimi, i kthyer nga jashtë dhe Bislimi. Në shënimin e tij, zoti Izet Haxhia shkroi atë që duhej shkruar dhe që në njërin nga librat e mi, “Enigma e një vrasjeje të trefishtë” e kam cilësuar si vrasja që kërkonte të priste krahët e luftës në Kosovë.
Bislim dhe Agim Demiraj nuk e zgjodhën rastësisht Ilir Konushevcin për të bërë vrasjen e tyre në thyerjen e mesnatës. Ajo vrasje, sa ishte e porositur, aq ishte edhe e planifikuar deri në detaje, nga njerëz të cilët, pasi ia kishin shpirtin dreqit, që do të thotë shërbimit sekret serb, kishin marrë përsipër më shumë se një vrasje të zakonshme.Ilir Konushevci është njëra ndër figurat më madhore të luftës në Kosovë. Së bashku me Luan Haradinajn, i njohur si “Adriani”, me Adrian Krasniqin, i njohur si “Adi”, me Qerim Kelmendin, i njohur si “Dema”, me Ramush Haradinajn, i njohur si “Smajli”, me Hashim Thaçin, i njohur si “Studenti”, me Kadri Veselin, i njohur si “Luli”, e shumë të tjerë, do të jenë buka e UÇK-së, pra njerëzit që përmes një mijë e një vështirësive dërgonin mjetet e logjistikës në Kosovë. Këtë e bënin edhe kur dëbora kishte zënë të gjitha shtigjet, por edhe në stinët e tjera dhe nuk ishte e lehtë. Pas nëntorit të vitit 1997, kur nuk jetonin më, pasi ishin vrarë në përleshje Luan Haradinaj dhe Adrian Krasniqi, e gjithë barra ra mbi shpatullat e grupit të drejtuar nga Ilir Konushevci. Si njeri nga krijuesit e Grupit të Llapit, vazhdues në komandë i Zahir Pajazitit, njeriu që ishte më i besuari jo vetëm në atë trevë, vrasja e tij ishte imediate për strukturat e lidhura me krimin politik, sidomos me strukturat e lidhura me shërbimin e fshehtë serb.Arsyeja e parë e vrasjes ishte pikërisht kjo: Mbyllja e një rruge të rëndësishme të luftës dhe krijimi i ndjenjës së frikës dhe të presionit mbi vazhdimin e saj.Arsyeja e dytë, gjithnjë e lidhur me shërbimin e fshehtë serb, ishte që në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të krijohej mendimi politik dhe të kishte përplasje me strukturat e shtetit shqiptar, duke krijuar mendimin se pas vrasjes qëndron pikërisht shteti shqiptar. Në fakt, asaj kohe ishte arritur një marrëveshje e heshtur mes shtetit shqiptar dhe trupës drejtuese të luftës për të bërë bashkëshoqërimin e mjeteve të logjistikës drejt veriut, ku ishn bazat e UÇK-së.
Edhe asaj nate, në mjetet me logjistikë ishte një oficer i shërbimit informativ, i cili, sapo plasi pushka e parë ia mbathi dhe nuk dihet se ku e ndali vrapin. Maji i viti 1998 kishte ende tensione të tjera mes forcave policore të shtetit shqiptar, shumë nga të cilët ishin të afirmuar si berishianë, por edhe të tjerë, si nanoistë, të cilët ardhjen e mijra njerëzve nga Kosova në Shqipëri për tërheqjen e armatimit kërkonin ta ndalonin. Vrasja e Ilirit do i hidhte benzinë këtij zjarri që mund të ndizej.
Arsyeja e tretë qëndron në linjën e krijuar nga forcat e Azem Hajdarit për të ndaluar lëvizjen e strukturave çlirimtare, duke e paraqitur Tropojën si një bastion vetëm të tij. Në pasditen e 8 majit, pra të ditës së vrasjes, vëllezërit Bislim dhe Agim Demiraj janë takuar me Azem Hajdarin në një lokal pas Piramidës. Lokali ishte i një shqiptari të Kosovës, i njohur për lidhjet e tij me UDB-në. Pas bisedës së tyre, e cila, thënë të drejtën, nuk dihet se çfarë teme ka pasur, dy vëllezërit janë nisur drejt Tropojës për të organizuar pritën. Por, afërsisht në të njëjtën kohë, përmes lidhjeve me qeverinë Bukoshi, Azem Hajdari kishte marrë një shumë tepër të madhe nga ministria e Mbrojtjes të drejtuar nga zoti Krasniqi. Ilir Konushevci ndërkohë, krahas të tjerëve, kishte krijuar lidhje edhe me fisin e Haklajve, sidomos me Hamdi dhe Fatmir Haklajn, i cili fshehtas shtetit, ndihmonte me logjistikë edhe UÇK-në. Vrasja e Ilirit nga vëllezërit Demiraj ishte njëkohësisht edhe hakmarrja e Azem Hajdarit dhe grupit të tij ndaj gjithë atyre që në Tropojë ishin bashkuar me UÇK-në.Nuk ishte një vrasje e cilësuar si hakmarrje ose për të prishur pazarin e tregtisë së armëve, si është bërë iluzion herë pas here.Prita është organizuar në një qafë mali, pas orës një të natës, pikërisht në një kthesë, në të cilën kamioni i ngarkuar do të ecte tepër ngadalë e po ashtu edhe makina shoqëruese, ku ishin Iliri dhe mjeku Hazir Malaj. Drejt pritës është qëlluar drejtpërsëdrejti, pa asnjë paralajmërim, pasi duke i ndjekur, e kanë ditur mirë se me cilët kanë të bëjnë. Duke qenë një luftëtar i sprovuar, pjesë e disa aksioneve në Kosovë, Ilir Konushevci u është përgjigjur menjëherë dhe nga shkëmbimi i zjarrit, veç mjekut Hazir Malaj, është vrarë edhe Agim Demiraj, i cili kishte ardhur posaçërisht për këtë vrasje.
Grupi i drejtuar nga Bislim Demiraj, jo thjesht për hakmarrje, por sepse ashtu e kishin urdhërin, pasi kanë qëlluar disa herë dhe e kanë plagosur Konushevcin, e kanë tërhequr në pyll dhe kanë bërë tmerr në trupin e tij, duke e kthyer vrasjen në fundin e një torture të gjatë. Ata, pas vrasjes nuk kanë marrë nga trupi i tij asnjë nga mjetet monetare që ka pasur me vete dhe as nuk kanë shkatërruar mjetet logjistike. Pra, gjithçka ishte e përgatitur si një vrasje politike dhe u bë një vrasje politike.Disa ditë më vonë, Fatmir Haklaj, duke mësuar për ngjarjen dhe njerëzit që kishin marrë pjesë në vrasjen e Ilir Konushevcit dhe të Hazir Malajt, bën vrasjen e Bislim Demirajt.Kush qëndron pas dorës së tyre?Është e qartë se shërbimi sekret serb, i njohur si UDB dhe njerëzit e saj në Shqipëri. Për disa kohë është folur për një telefonatë, një natë para ngjarjes, telefonatë e ardhur nga larg, që caktonte shumën që duhej për një vrasje, e kjo mund të jetë njëra ndër pistat e kërkimit të së vërtetës. Zërat nga larg, herë herë të njohur, e herë herë të panjohur, nuk shfaqen për herë të parë në historinë e politikës sonë në dekadat e fundit.