Më 17 nëntor 1994 (30 vjet më parë), Xhavit Haliti ia vendosi emrin UÇK-së
Ish-Kreu i LPK-së ka treguar disa detaje të pandëgjuara më parë rreth emërtimit të UÇK-së. Ai ka treguar se ku është vendosur emri dhe kush e ka propozuar i pari.
“Propozimi është bërë në mbledhjen e Kryesisë së LPK-së, atje ka patur shumë diskutime, në shtëpinë e Ali Ahmetit në Luzern, dhe propozimin e ka bërë Xhavit Haliti dhe u miratua nga Kryesia e asaj kohe që të emërtohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
“Ne në atë kohë ishim pa emër, emri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u vendos me 17 nëntor të 1994. Emiri u vendos nga Xhavit Haliti, Azem Syla në mbledhjen e Kryesisë së Lëvizjes Popullore që është mbajtur jashtë në koordinim edhe me neve. Pas kësaj ne jemi bërë bashkë dhe kemi vazhduar luftën tonë për liri”, rrëfen Nait Hasani për “RTK Prime”.
Një takimet më të rëndësishme për themelimin e UÇK-së u mbajtë në Odën e Jasharajve:
Në prill të vitit 1993 ishte mbajtur një nga takimet më përmbajtësore në Kullën e Jasharajve në Prekaz. Mbledhja ishte mbajtur më 5 prill 1993. Në biografinë e shkruar për Heroin Ilaz Kodra ishin treguar disa detaje rreth takimit, ku thuhej se “Më 5 prill 1993, në kullën e tij u organizua një mbledhje me luftëtarët e njësiteve guerile dhe veprimtarët politikë. Adem Jashari propozoi që të gjitha aksionet të kryheshin në emër të Ushtrisë së Kosovës.
Për këtë mbledhje ishte diskutuar shumë sepse aty ishte marrë vendimi që “të ecet para dhe s’ka kthim prapa”.
Ne kemi siguruar emrat e plotë të luftëtarëve që morën pjesë në atë takim, ku disa prej tyre i kishte bërë publike edhe Ish Kreu i LPK-së z. Bedri Islami.
Luftëtarët që morën pjesë ishin: Adem Jashari, Jakup Nura, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Hamëz Jashari, Sami Lushtaku, Jakup Krasniqi, Ilaz Kodra, Sahit Jashari, Shaban Jashari, Nuredin Lushtaku, Rafet Rama, Besim Rama, Fadil Kodra, Ilmi Zeka, Lulzim Jashari etj.
Fakti që mblidheshin në kullat e Jasharëve, megjithëse ajo ndodhej nën vëzhgimin e përhershëm dhe mund të sulmoheshin, dëshmon për dy gjëra: sigurinë që afronte ajo dhe rolin prijatar të Adem Jasharit.
Shumëkush mendon dhe vlerëson që bërthamat dhe themelet ushtarake janë vendosur në këtë mbledhje.