Epilogu

Ish-prokurori serb: Serbia siguroi provat për krime lufte kundër presidentit Thaçi

Ish-kryeprokurori për krime lufte Vladimir Vukceviç tha për BIRN se ndërkohë që hetonin akuzat për trafikim organesh nga ana e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, autoritetet serbe mblodhën prova në lidhje me rolin e pretenduar të presidentit Hashim Thaçi në krimet e kohës së luftës, të cilat më pas iu kaluan hetuesve të Hagës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi muajin e kaluar se kishte ngritur një aktakuzë prej dhjetë pikash në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke akuzuar Thaçin dhe të tjerë për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura. Prokurorët filluan të marrin në pyetje Thaçin në Hagë të hënën.

Vukceviç, i cili ishte kryeprokuror për krimet e luftës nga viti 2003 deri në fund të vitit 2015, tha se autoritetet serbe bashkëpunuan me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për hetimet mbi trafikimin e dyshuar të organeve të të burgosurve nga luftëtarët e UÇK-së.

“Prokuroria e Hagës po hetonte krimet e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë të kthyer në një politikan Ramush Haradinaj, i cili si përfundim u lirua nga akuzat, dhe kështu ata shkuan në Shtëpinë e Verdhë në Shqipëri, ku dyshohej se të burgosurve u ishin hequr organet, por ata nuk kishin një mandat për në Shqipëri, sepse vetë Gjykata e Hagës ishte ekskluzivisht për vendet e ish-Jugosllavisë”, tha Vukceviç.

“Ata panë atë që ata panë, e filmuan atë dhe kështu me radhë, dhe më vonë na i dhanë neve gjetjet e tyre”, shtoi ai.

Edhe Vukceviç dhe kolegët e tij shkuan më pas në Shqipëri dhe me një prokuror lokal vizituan rreth 12 vende ku mendohej se mund të jenë varrosur viktimat të cilëve iu trafikuan organet. Ai tha se ata gjetën gjithashtu dëshmi të rolit të Thaçit në krimet e kryera nga luftëtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Ata ia përcollën ato që gjetën raportuesit të Këshillit të Europës Dick Marty, i cili më pas publikoi një raport që pretendonte se liderët e UÇK-së, përfshirë Thaçi, ishin të përfshirë në “trafikim organesh, rrëmbime dhe keqtrajtim të të ndaluarve” gjatë luftës.

Thaçi, një komandant i UÇK-së gjatë kohës së luftës i cili u mor në pyetje nga prokurorët e Hagës të hënën, ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje.

Raporti i Dick Marty çoi në krijimin e Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Europian për të hetuar pretendimet.

Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës Serge Brammertz (majtas) duke u takuar me Vladimir Vukceviç (në mes) në Beograd në shtator 2008. Foto: EPA/ALEKSANDAR PLAVEVSKI.

Vukçeviç tha se prokuroria serbe e krimeve të luftës siguroi mbështetje logjistike dhe bashkëpunoi në organizimin e marrjes në pyetje të rreth 400 dëshmitarëve për task forcën.

“Bashkëpunimi midis Zyrës së Prokurorit të Krimeve të Luftës në Republikën e Serbisë dhe SITF (Task Forca Speciale Hetuese) zgjati deri në shtator 2016 dhe u realizua në bazë të kërkesave për koordinim”, konfirmoi për BIRN prokuroria serbe për krime lufte.

Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me krimet e pretenduara, viktimat e tyre dhe vendin ku ishin kryer.

Pas përfundimit të punës së task forcës në shtator 2016, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u krijua për të përgatitur akuza kundër të dyshuarve që do të gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të dy institucionet janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar. Ato u ngritën nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës dhe nuk pëlqehen nga shumë shqiptarë të Kosovës, të cilët e konsiderojnë këtë gjykatë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirim nga sundimi serb.

I pyetur për rolin e Serbisë në sigurimin e provave, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës tha se “nuk jep informacione mbi thelbin apo mënyrën e saj të hetimit”.

Vukceviç tha gjithashtu për BIRN se Thaçi po hetohej nga prokurorët serbë nën dyshimet për krime lufte në një rast që daton nga vitet 1990.

Kjo shkaktoi debate në prill 2015, kur një OJQ me qendër në Beograd organizoi një konferencë në kryeqytetin serb për integrimin europian të vendeve të Ballkanit dhe ftoi Thaçin si folës. Autoritetet serbe kërcënuan se do ta arrestonin, nëse ai hynte në vend.

Prokuroria serbe për krime lufte konfirmoi se ajo “po zhvillon procedura para-hetimore ndaj Hashim Thaçit për kryerjen e veprës penale të një krimi lufte kundër civilëve në bashkëkryerje me të tjerë”. Ajo nuk dha detaje për krimet e pretenduara.

Exit mobile version