Everts në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës ishte shprehur se përpjekja për barazimin e asaj që ka bërë Serbia me disa veprime hakmarrëse nga shqiptarët është gabim.
“Masakrat, dhuna që ka dominuar në këtë luftë, po na kthen prapa dhe qindra vite më parë në dhunën mes serbëve dhe shqiptarëve. Nuk kam dyshim që dhuna ka qenë në kurriz të shqiptarëve. Ata janë viktimat. Gjatë luftës dhe para luftës ka pasur shumë dhunë të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ne e dimë rolin e Arkanit. Po ashtu e dimë edhe se sa njerëz kanë vdekur që kanë qenë të torturuar dhe që ka pasur dhunime masive nga ana e serbëve, nuk ka asnjë mohim këtu. Nga ana tjetër, ka pasur veprime hakmarrëse nga ana e shqiptarëve, por nuk ka barazi”.
Ish-kreu i misionit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë që shërbeu në Kosovë, gjatë periudhës 1999-2001, pati kritika për qasjen e Gjykatës Speciale në raport me presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Everts theksoi se Serbia dhe Rusia duket se po bëjnë punën e tyre në kuadër të përpjekjes për rishkrimin e historisë.