Epilogu

Ish shefi i Sigurimit serb: Serbia vrau serbët në lokalin “Panda”të akuzuar UÇK-në

Ish shefi i Sigurimit të Brendshëm serb (DB), jep dëshmi se si gjashtë të rinj në kafenenë “Panda” në Pejë janë vrarë nga njësitet e paramilitarit Milorad Ulemek – Legija, derisa ish komandanti i Njësiteve Speciale Operative (JSO) thotë se gjithçka është bërë me urdhrin e DB-së, në krye me Radomir Markovicin.

Autoriteteve serbe u janë ofruar dëshmi se vdekja e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë, më 1998, është kryer nga shërbimet serbe, raporton Kurir, transmeton Telegrafi.

Një burim i afërt me Qeverinë e Serbisë pretendon se Radomir Markovic, ish-kreu i DB-së, u ka ofruar dëshmi autoriteteve se sulmin e ka bërë Legija, sulm ky për të cilin serbët akuzonin shqiptarët, përkatësisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Markovic ka dëshmi për këtë, derisa gjithçka është organizuar nga JSO. Qëllimi ishte që në sytë e ndërkombëtarëve UÇK të dilte si organizatë terroriste dhe të arsyetojnë sulmet në Kosovë.

“Megjithatë , nga ana tjetër, Ulemek është i gatshëm të dëshmojë për përgjegjësinë direkte të Radomir Markovicit për këtë krim. Ulemek ka zbuluar se urdhri është kryer nga strukturat serbe të sigurisë, pra se për vrasjen në Pejë urdhri ka ardhur nga kreu i DB-së, post të cilin e kishte Rade Markovic. Ata tash akuzojnë njëri-tjetrin. Ende nuk e dimë se çfarë dëshmi kanë, por shteti serb është përgjegjës, pra DB”, thotë burimi i gazetës serbe.

“Ky është problem për Serbinë. Për vite ky krim u atribuohej ekstremistëve shqiptarë. Dhe, jo vetëm kaq. Ky krim, vrasja e fëmijëve serbë, ishte arsye për sulme në Kosovë. Nëse këto dëshmi dalin relevante, kjo është shuplak e rënd. Si t’ua shpjegosh prindërve serbë që fëmijët e tyre janë vrarë për të arsyetuar veprimet e DB-së. Në anën tjetër, ne si shtet duhet të pastrojmë hijet nga e kaluara dhe të zgjidhim këto krime, pa marrë parasysh rezultatin”, thotë burimi.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vucic, tha kohë më parë se ajo çfarë ka ndodhë në lokalin “Panda” mund të shkaktojë dhembje koke dhe se duhet parë dëshmitë për të treguar kriminelët.

“Duhet të demantoj se në vrasjen e fëmijëve serbë në lokalin ‘Panda në Pejë kanë marrë pjesë MI6 ose SAS (shërbime të huaja – v.j.). Kjo e dëmton vendin tonë. Ne me ta kemi marrëdhënie të mira, e ata nuk kanë lidhje me këtë. Këtu ka gjëra të çuditshme dhe është e vështirë të flas sot për këtë. Kur kemi më shumë detaje, do ta informojmë opinionin”, ka thënë ai.

Më 14 dhjetor 1998, në lokalin “Panda” në Pejë janë vrarë: Ivan Obradovic (15), Vukota Gvozdenovic (18), Svetislav Ristic (17), Zoran Stanojevic (17), Dragan Trifovic (17) dhe Ivan Radevic (25). Nikola Rajovic, miku që gjatë masakrës ishte në lokal, ka thënë: “Kam dëgjuar një zhurmë të madhe. Në dyer ishin dy terroristë me rrobe të zeza dhe kapele në kokë që pa mëshirë na gjuanin. Plumbi i parë goditi Ivanin, që ra tek unë”.

Për këtë krim organet serbe fajësuan shqiptarët dhe kurrë nuk kanë kryer hetimet. /Telegrafi/

Exit mobile version