Ish-shefi i zv.ministrit të VV-së merr tender në Ministri të Infrastrukturës me vlerë mbi 1 milionë Euro
Mbi 1 milionë Euro tender nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësirnor (MMPH), ka fituar kompania “Bageri”, e Bujar Shabanit me të cilin zëvendësministri i Ministrisë tenderuese, Hysen Durmishi, njihen nga viti 2001.
Gazeta Online “Reporteri.net” më date 8 qershor kishte paralajmëruar për dyshimet e kurdisjes së këtij tenderi në favor të kompanisë së Bujar Shabanit, ish-shefi i zv.ministrit Hysen Durmishi.
Kompania e Bujar Shabanit e ka fituar lotin Prishtina 1 për Mirëmbajtjen verore dhe Mirëmbajtjen dimërore 2021-2022 të rrugëve nacionale dhe rajonale, tender në vlerë të përgjithshme 1 milion e 74 mijë e 695, 52 euro, shkruan Reporteri.net.
Biznesmeni Bujar Shabani, që operon me emrin tregtar “N.P.SH. Bageri”, bashkë me disa operatorë tjerë ekonomik, kanë tenderuar në 3 lote të tenderit që u rihap më 31 maj 2021.
“Bageri”, sikurse edhe kompania “A.B.C”, secila nga një lot, vetëm disa ditë më parë është raportuar se kanë fituar një tjetër tender nga e njëjta Ministri, për aprovimin e punëve shtesë për projektin “Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale R115, Gërlic e Epërme –Shtërpcë –Brezovicë dhe Rruga 210 Brezovicë –Qendra e Skijimit”.
Madje, u raportua se vetë zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi i partisë së Kryeministri Kurti, kishte qenë dikur i punësuar në kompaninë “Bageri” në pronësi të Bujar Shabanit. Ndonëse edhe nuk është sqaruar angazhimi i tij i dikurshëm në këtë kompani, në një postim në faqen në facebook të kësaj kompanie, të vitit 2016, Durmishit i referoheshin si Drejtori, Hysen Durmishi.