Gjatë ditës së djeshme, ne kemi riaktualizuar një temë e cila ndërlidhet me një person shumë të dyshimtë, ish mikun e Nazim Bllacës – agjent i BIA-s serbe, Naim Miftarin.
Mediumi Koha kishte treguar dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur të EULEX-it, i njohur ndryshe edhe si Dëshmitari C. Aty ai kishte treguar se si deklaratën për të e kishte dhënë Naim Miftari kundër Grupit Drenica, në këmbim të shërimit të bashkëshortes së tij jashtë vendit.
Pas publikimit të artikullit nga Epilogu, ka reaguar ish ushtari i UÇK-së Jusuf Veliu duke treguar se babai i Naim Miftarit ishte inspektor i kasapit të Ballkanit – Sllobodan Millosheviqit në Prishtinë.
Po ju sjellim edhe njëherë dëshminë e Dëshmitarit C para trupës gjykuese të EULEX-it.
Dëshmitari i mbrojtur ka mohuar në tërësi deklaratën e dhënë më herët në Prokurorinë e EULEX-it, madje ka kërcënuar se do ta zbulojë identitetin e tij, shkruan atë Koha Ditore. Ai akuzoi Prokurorinë se e kanë keqpërdorur lutjen e tij për ndihmë, meqë e kishte gruan të sëmurë.
“Më përdorët në tragjedinë e familjes sime. Më mashtruat. Kërkuat që edhe gruaja e ime të më bind që unë të bashkëpunoj me ju. Deklaratën më thatë se e ka dhënë dikush tjetër dhe e di emrin e personit që ka dhënë deklaratën, por ju duhet ta lexoni. Më thatë se nëse pranoj bashkëpunimin, ne do ta shërojmë gruan”, ka thënë dëshmitari “C” në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Ai ka thënë se deklarata që tash pretendohet se është e tij, është dhënë nga një person me emrin Naim Miftari, dhe se ky vetëm e ka nënshkruar.