Epilogu

Ish-zv.ministri i Kurtit e quan padrejtësi mosdhënien e rrogave, përmend pagesën e rrymës për banorët e veriut

Edison Jakurti, ish-zëvndësministër për Ekonomi, në Qeverinë Kurti I, thotë se padrejtësi më e madhe se moszbatimi i ligjit, është zbatimi selektiv i tij. Ai krahason mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit që mbajtën grevë, me lejimin që në komunat e veriut të Kosovës të mos inkasohen faturat nga KEDS.

Eksperti i Ekonimsë përmend se vetëm në tri vitet e fundit janë ndarë 67.7 milionë euro për t’u paguar rryma për banorët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit, ndërsa nuk po u jepen rrogat 25 mijë mësuesve për muajin shtator.

Një veprim i tillë nga Qeveria, sipas Jakuritit, “nuk është socialdemokrat”.

“Një veprim i tillë, ndikon negativisht në mirëqenien e rreth 100 mijë qytetarëve në kohën kur inflacioni është me siguri mbi 13% e paralajmërimet për problemet me energji këtë dimër janë të frikshme. Kjo nuk është socialdemokrate”.

Si përfundim, ai beson se sindikatat e arsimit duhet zotuar që të kompensojnë orët e humbura të mësimit, për shkak të grevës, ndërsa Qeveria t’ua japë rrogat e muajit shtator mësimdhënësve.

Shkrimi i plotë i Jakurtit i publikuar në profilin e tij në Facebook:

Padrejtësi më e madhe se mos zbatimi i ligjit është zbatimi selektiv i tij. Për shembull, në veri është në rregull që të mos detyrohet KEDS-i që ose t’i inkasojë faturat, siç e ka obligim kontraktual, ose të lëshojë rrugë për shtetëzim dhe, vetëm në 3 vitet e fundit, t’i ndahen KOSTT-it 67.7 milionë euro për ta paguar rrymën atje – 10 milionë në 2020, 17.7 milionë në 2021, dhe 40 milionë me 10 gusht 2022. Ndërsa për të mos i paguar mbi 25 mijë mësimdhënës krijohet precedent duke e interpretuar një nen të një ligji në një mënyrë që mund të kontestohet lehtësisht nga një nen tjetër i po të njëjtit ligj. Një veprim i tillë, ndikon negativisht në mirëqenien e rreth 100 mijë qytetarëve në kohën kur inflacioni është me siguri mbi 13% e paralajmërimet për problemet me energji këtë dimër janë të frikshme. Kjo nuk është socialdemokrate.

Pa inat, zgjidhja mbetet e lehtë: SBASHK-u zotohet për kompensimin e orëve të humbura, qeveria i ekzekuton pagat e shtatorit.

Exit mobile version