Mosliberalizimi i vizave dhe tendenca për t’i izoluar edhe më tutje qytetarët, duke provuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale, papunësia e lartë, dhe gjendja tejet e rrezikshme për shëndetin e ajrit në vend, janë ndër dhuratat që po i falin politikanët qytetarëve me rastin e përvjetorit të dhjetë të shtetësisë.
Për të zbutur këtë situatë, Shteti ka vendosur të organizojë një koncert të madh në Prishtinë, duke ftuar këngëtaret kosovare me famë ndërkombëtare, Rita Ora dhe Dua Lipa, për të kënduar më 17 shkurt.
E para ka konfirmuar ardhjen, ndërsa e dyta nuk do të mund të bëhet pjesë e festës, për shkak të angazhimeve të planifikuara muaj më parë.
Përveç koncertit, Shteti po ashtu po përgatit këngë për dhjetëvjetorin e Pavarësisë.
Këshilli Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë tashmë u ka dërguar ftesa një numri këngëtarësh, për t’u bërë pjesë e këngës.
“…do të ishim të ngazëllyer nëse edhe ju bëheni pjesë e realizimit të këngës për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në ftesën dërguar disa këngëtarëve, më 23 janar.
Në krye të letrës është logoja zyrtare e dhjetëvjetorit të pavarësisë – e cila u zgjodh pasi u anulua një para saj, mbi dyshimet për plagjiaturë.
Por, edhe e reja, menjëherë pasi u prezantua, u përball me akuza të njejta. Megjithatë, Shteti ka vendosur që ta përdorë këtë dhe të mos kërkojë për herë të tretë një logo. /Express/