Në njëvjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në shenjë proteste në objektin e Qeverisë së Kosovës u hodh ngjyrë.
Aktivistë të shumtë të Vetëvendosjes morën vendim që objekti i Qeverisë të mbulohej nga ngjyra, përderisa të nesërmen kryeministri Ramush Haradinaj zgjodhi që bashkë me bashkëpunëtorët e tij të dalë dhe të pastrojë atë.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Siç mëson Indeksonline ishte pikërisht ky sulm i datës 5 nëntor që ndikoi në përplasjen më të fuqishme brenda anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo e fundit ishte distancuar nga veprimi i hedhjes së ngjyrës, ku sërish kishte mospajtime brenda VV-së edhe për komunikatën e lëshuar.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe dy deputetë të VV-së u vunë në një përplasje të ashpër duke kundërshtuar deputetin Kurti lidhur me vendimin e tij që objekti i Qeverisë së Kosovës, të bëhej me ngjyrë.
Në mbledhjen më të afërt që patën në parti disa deputetë e pyetën Kurtin se pse bëri një hap të tillë përderisa Kurti nuk hezitoi të qëndroi fuqishëm pas kësaj duke u thënë se po ishte vendim i tij që të bëhej sulmi me ngjyrë dhe se s’kanë çfarë të thonë për këtë dhe se kundërshtimet janë të kota.
Sipas burimeve të Indeksonline ishte pikërisht Kurti ai që kishte nxitur këtë veprim, në dëm të Qeverisë dhe prapa kësaj fshihej një arsye mjaft e çuditshme.
Sipas të njëjtave burime, qëllimi në këtë pikë ishte dëmtimi i fushatës së të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Sulmi në drejtim të Qeverisë Haradinaj nxiti që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të tërheq përkrahjen që kishte për Vetëvendosjen apo saktësisht Shpend Ahmetin, në Prishtinë.
Pas këtij sulmi, AAK vendosi që të tërheq ndihmën për Vetëvendosjen në Prishtinë kështu duke u rreshtuar në kandidim e sipër me Arban Abrashin e LDK-së.
Ndërkohë përplasjet e tilla vazhduan deri në momentin kur edhe arritën të bëhen publike. Ishte pikërisht publikimi i bisedës së një grupi të anëtarëve të Vetëvendosjes, ku në mesin e bisedës deputetja Aida Dërguti, i drejtohej deputetit Albin Kurti me fjalë fyese, të tilla si “m**”.
Kundërshtimet brenda Vetëvendosjes vazhduan të bëhen publike përderisa Aida Dërguti, vendosi për dorëheqje nga çdo post që kishte brenda Lëvizjes.
Madje Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së dielë mbajtën edhe mbledhjen e 31-të të Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan zhvillimet e fundit si dhe u vendos për zgjedhje të brendshme teksa siç është raportuar së fundi në Vetëvendosje tashmë ekziston një ndarje dy-grupore. Grupi i Aida Dërgutit si dhe grupi i Albin Kurtit./Indeksonline/