Zhvillime dramatike kanë ndodhur në seancën e sotme të Gjykatës Speciale në Hagë.
Dëshmitari i radhës, ish-pjesëtari i UÇK-së, Kurtesh Fondaj, ka kërkuar një avokat t’i mundësohet nga Specialja, shkruan lajmi.net.
Kjo pasi që siç ka thënë ai, është keqpërdorur nga gjykatësi zviceran i Speciales, Guénaël Mettraux.
Pjesë nga biseda:
Deshmitari Fondaj: Kryesuesi i panelit gjyqësor. Unë dje pasdite i kam incizimet që janë prezantu nga gjykata. I kom përcjell me vëmendje dhe sidomos marrjen në pyetje nga gjyqtari. M’ka ba me mendu që me kërku një avokat, respektivisht një mbështjetje nga një avokat se po mendoj se jam keqpërdor.
Kryegjyqtari Smith: Jeni përpjekur që të kontaktoni me një avokat vet ju personalisht?
Deshmitari Fondaj: Po e kërkoj prej juve t’ma ofroni ndihmën e një avokati.
Kryegjyqtari Smith: Do të duhet të bëjmë një pushim të shkurtër të diskutojmë këtë çështje.
Dje: Gjyqtari të krerët e UÇK-së, Guénaël Mettraux bën pyetje si të ishte prokuror dhe në formë sugjestive
Paneli i gjyqtarëve në Gjykatën Speciale në Hagë, në procesin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është kundërshtuar sërish për formën e pyetjeve që po ju bën dëshmitarëve. Dhe atë në dy elemente. Se pyetjet duken sikur t’i kishte bërë prokuroria, dhe tjetra se janë sugjestive.
Gjyqtari zviceran, Guénaël Mettraux, teksa po e merret në pyetje dëshmitarin Kurtesh Fondaj, një ish ushtarak në Zonën e Pashtrikut e ka pyetur atë për arrestimin e Blerim Kuqit në atë kohë dhe është përpjekur ta lidhë rastin e tij me Jakup Krasniqin, duke bërë pyetje sugjestive, të tipit “nëse”.
“Ne pamë që zoti Limaj si drejtor i Policisë Ushtarake kishte lëshuar vendim për arrestimin e Blerim Kuqit. Në qoftë se do të thosha se kjo është bërë me kërkesë të Jakup Krasniqit, pra se zoti Jakup Krasniqi e ka informuar Policinë Ushtarake dhe zotin Dobruna lidhur me vendimin për të arrestuar zotin Kuqi, ju keni ndonjë arsye për të kontestuar këtë?”, ishte pyetja e gjyqtarit.
Menjëherë në këtë rast ngritët në këmbë avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, duke e cilësuar këtë si një pyetje që i takon prokurorisë e jo panelit që ta bëjë.
“E kundërshtoj këtë pyetje. Kjo është një pyetje që duhet ta bëjë prokuroria, nuk mund ta bëjë trupi gjykues këtë pyetje. Mbi çfarë baza mund të përgjigjet dëshmitari e të thotë a e ka informuar Jakup Krasniqi Policinë Ushtarake.”, ishte fjala e Ellis.
Gjyqtari zviceran tha se po e formulonte ndryshe, por sërish pyeti me pyetje të llojit “nëse”.
“Nëse Bislim Zyrapi atëherë do të thoshte që vendimi i Shtabit të Përgjithshëm për të arrestuar zotin Kuqi u është përcjellë apo është komunikuar nga zoti Jakup Krasniqi, ke ndonjë arsye për ta kontestuar?”, pyeti ai.
E sërish reagoi Ellis duke thënë se kjo është një pyetje sugjestive dhe se nuk është as ky dëshmitar që ka thënë ndonjëherë se Bislim Zyrapi e ka pohuar këtë.
“Kjo është një pyetje tërësisht sugjestionuese. Nuk është një pyetje kjo për t’u bërë nga paneli. Nëse ka ndonjë dëshmitar që ka dëshmi për këtë atëherë lë ta thotë ky dëshmitar, por jo një person I cili nuk ka dijeni në lidhje me këtë. Ky dëshmitar nuk ka thënë asnjëherë që e ka thënë një gjë të tillë Bislim Zyrapi”, tha Ellis.
Por, natyrisht paneli i gjyqtarëve vazhdoi me të vetën duke kërkuar nga dëshmitari që të përgjigjet edhe në këto pyetje sugjestive. Kjo nuk është hera e parë që ky gjyqtar, Guénaël Mettraux, bën pyetje të tilla.
Një rast i njëjtë kishte ndodhur edhe më një dëshmitar tjetër, Hajrush Kurtaj. Në atë rast vet dëshmitari kishte reaguar duke thënë se “nuk mund të përgjigjet e të flasë ai për situata hipotetike”.
Dëshmitari Kurtesh Fondaj do ta vazhdojë dëshminë edhe nesër në një pjesë të ditës.