Epilogu

James Rubin: Po të isha shqiptar, do të ndihesha i sigurt që Thaçi është në dialog me Serbinë

Kështu që nuk do të brengosesha për shpejtësinë e bisedimeve, por për sigurinë e mbarëvajtjes, si dhe Rusia të jetë pjesë e zgjidhjes, si shteti i vetëm që ka ndaluar progresin.

Nëse Serbia do që të shkojë përpara në historinë e Evropës, që të jetë pjesë e komunitetit evropian, dhe të bëhet pjesë e Evropës në përgjithësi, ata tani duhet të bëjnë kompromise.

Mirëpo kjo nuk mjafton, duhet të bëhet e qartë se edhe kompromisi nga ana e Serbisë duhet të përfshijë pranimin e Rusisë, në mënyrë që Kosova të bëjë kompromise serioze.

KosovaPress: Ju keni pasur përvojë në negociatat mes shqiptarëve dhe serbëve, nga ky këndvështrim, si mendoni se po e menaxhon ambasadori Grenell situatën në mes Kosovës dhe Serbisë?

James Rubin: Unë nuk e njoh atë personalisht, asnjëherë nuk e kam takuar atë. E kam përcjellë procesin e tij nga aspekti im profesional. Ai ka marrë vlerësime të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, disa e pëlqejnë atë, ndërsa disa të tjerë jo.

Më e rëndësishme është substanca e bisedimeve, se personalitet që janë të përfshira në të, dhe mendoj se më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është se, perëndimi, SHBA dhe ambasadori Grenell, a kanë program ecurie, që do të thotë, a mund t’i sigurojnë liderët kosovarë se do të ketë proces, jo vetëm të kompromiseve mbi korrigjimin e kufijve, kompromise mbi marrëveshjen përfundimtare, por edhe proces që të sigurojë Kosovën që do t’i bashkohet NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara, dhe se SHBA-të kanë mundësi që në kohën e duhur të bindin qeverinë ruse, dhe qeveritë e tjera releveante, që ajo që bisedohet në tavolinë, të përkthehet në atë që Kosova të anëtarëoshet në Kombet e Bashkuara si një anëtare me të drejta të plota.

KosovaPress: A prisni që Shtëpia e Bardhë të ketë sukses në përpjekjet e saj për t’i bindur palët që të arrijnë një marrëveshje para zgjedhjeve të nëntorit?

James Rubin: Nuk e di. Është e vështirë që kjo çështje të zgjidhet brenda pak muajve. Kjo çështje ka qenë e lënë anash tash e disa vite shkaku i dallimeve në mes shteteve perëndimore. Shpresojmë që të dy liderët kanë arritur që joformalisht të trajtojnë disa probleme.

Nuk brengosem që ngazëllimi i administratës Trump do të çojë deri tek kompromiset e panevojshme, unë brengosem për atë se a e kupton Serbia, se pa e sjellë sponsorin e saj në Moskë, qeverinë e Putinit, nuk mund të arrijnë synimin e tyre për anëtarësim për në Bashkësinë Evropiane. Nuk mjafton që Serbia të bëjë kompromise dhe t’i bashkohet Bashkimit Evropian, apo të zotohet për anëtarësimin në BE, duhet të kudjeset edhe për sjelljen e qeverisë së Putinit, sepse presidenti Putin, pa nevojë e ka bërë Rusinë që t’i bashkohet anës së shteteve që e kundërshtojnë progresin në Evropë. Ai mund të ndryshojë këtë nëse e sheh se ai është e vetmja pengesë, kështu që nuk është çështje kohe, por çështje e vullnetit politik. Kjo kërkon shumë diplomaci, bisedime të shumta në nivelit të lartë, por mendoj se mund të arrihet, teorikisht mund të arrihet.

Është e vështirë të thuash se mund t’i zgjidhesh të gjitha problemet e mbetura në Ballkan për pak muaj, por mund të bësh përgatitjet e nevojshme. Është e mundshme të bëhet progres në të ardhmen, ndonjë lloj marrëveshjeje e cila do të mund të zbatohej me kohë.

Bisedime të vështira do të jenë ato ndërmjet presidentit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, joformalisht ata kanë arritur që t’i mendojnë gjërat deri në një masë, dhe kur mendohet për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjeve që u konvenojnë të dy palëve, është e mundshme, sepse zbatimi mund të pësojë vonesa gjatë kohës, apo të zbatohet gradualisht.

Dua që populli i Kosovës të ketë të ardhme të ndritur, dhe nuk do të kenë të ardhme të ndritur përderisa Serbia e bllokon progresin, dhe Rusia t’i pengojë nga anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, dhe të qenurit shtet normal evropian.

Këto realitete nuk mund të rregullohen me ëndërrime, duke kundërshtuar çdo gjë, nuk mund të rregullohen këto çështje vetëm pse dëshiron t’i rregullosh, kjo nuk mund të bëhet nëpërmjet ëndërrimeve dhe imagjinatave të idealistëve të cilët nuk kanë arritur kurrë asgjë përveç popullaritetit.

KosovaPress: Ka pasur zëra në Kosovë nën bindjen se sikur të ishin demokratët në pushtet në Shtetet e Bashkuara, do të kishin një qasje më ndryshe ndaj dialogut aktual. Cili është mendimi juaj?

James Rubin: Jo edhe aq, mendoj se një administratë kreative do ta kuptonte që problemi mbetet i njëjti, si ta bësh qeverinë e Serbisë të ndryshojë pozicionin i cili ka qenë në bërthamën e ideologjisë dhe nacionalizmit të tyre qindravjeçar. Për ta bërë këtë, duhet të heqësh dorë nga diçka, kjo është e vërteta e thjeshtë e diplomacisë ndërkombëtare.

Mendoj se administrata demokrate do ta kuptonte këtë gjë, se ku do të ndryshonte, dhe kjo është me rëndësi, ajo do të preokupohej më tepër në unifikimin e qëndrimit perëndimor, për t’i rritur gjasat që serbët të bëjnë kompromise në çështjet madhore, dhe për të rritur gjasat që qeveria ruse të lejonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Mendoj se sa më e bashkuar që të jetë bota perëndimore, aq më të mëdha janë gjasat që Kosova të merr atë që i duhet, e që është kompromisi i Serbisë dhe pranimi i Rusisë, dhe Kosova të jetë shtet normal. Sa më e bashkuar që të jetë bota perëndimore, aq më të mëdha janë gjasat që kjo të ndodhë.

Por kjo nuk nënkupton se kjo mund të ndodhë vetëm përmes perëndimit të bashkuar, ndoshta mund të ndodhë edhe pa këtë, këtë do ta marrim vesh gjatë muajve në vijim.

KosovaPress: Çfarë mendoni, kush e ka filluar idenë e shkëmbimit të territoreve, dhe a mendoni që administrata e Presidentit Trump e mbështet një zgjidhje të tillë?

James Rubin: Mendoj që gjatë viteve të kaluara, këshilltarët e presidentit kanë lënë të kuptojnë se ata mund të pajtohen me atë që pajtohen palët, nëse të dy palët pajtohen për ndonjë marrëveshje të frytshme, dhe kjo është qenësore, marrëveshje përfundimtare, duke bërë korrigjime kufijsh, vetëm sa për t’i korrigjuar ato, atëherë kjo nuk ia vlen. Ia vlen vetëm nëse është pjesë e pakos që do t’i jepte fund konfliktit.

Paramendoni se sa e ndryshme do të ishte Kosova për Izraelin apo Palestinë, për Armeninë apo Azerbajxhanin, për konfliktet e pafundme nëpër botë, ku asnjëherë nuk arrihen marrëveshjet përfundimtare, si për shembull në Qipro, ku kemi mosmarrëveshjet në mes Turqisë dhe Greqisë. Ka shumë shembuj të konflikteve të ngrira, merreni shembull Gjeorgjinë, ajo nuk është një e ardhme që unë e dua për popullin e Kosovës, që të jetë pjesë e një konflikti të ngrirë. Për mua është e arsyeshme dhe praktike që të kemi zgjidhje kreative diplomatike që mund të përfshijë korrigjimet e kufijve sepse kjo tregon sa e vështirë do të jetë kjo për Serbinë.

Administrata e Trumpit ka thënë se ajo mund të pajtohet me ato që pajtohen qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, mendoj se kjo është në qasje e arsyeshme, përse Shtetet e Bashkuara të bëhen, siç thonë, “më katolik se Papa”.

Në pyetje është e ardhmja e popullit të Kosovës, është territori i popullit të Kosovës ai i cili mund të pësojë korrigjime kufijsh, jo SHBA. Vetëm që marrëveshja të garantojë siguri afatgjate për Kosovën, për të cilën kemi nevojë, jo vetëm për popullin e Kosovës, por për kontinentin e Evropës, dhe kjo nënkupton normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Kombeve të Bashkuara, dhe kjo do të sillte stabilitet afatgjatë për Evropën, i cili vetëm ka mundur të ëndërrohej në të kaluarën. Nëse ky është epilogu, atëherë unë jam më pak i shqetësuar për çështjet teknike të korrigjimit të kufijve se disa kolegë të mi evropianë të cilët mendojnë se vetëm kjo çështje është me rëndësi, dhe që duket se nuk kanë zgjidhje alternative.

Është e lehtë të kritikosh, të thuash që disa marrëveshje nuk janë të mira, apo se disa ide janë shumë të rrezikshme, mirëpo nëse nuk ke zgjidhje alternative, nuk ke rrugë që e dërgon Kosovën deri tek anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, dhe vetëm thua se kjo marrëveshje nuk është e mirë, mendoj se nuk jeni duke u treguar shumë konstruktiv, dhe shumë evropianë mendojnë se ky është precedent për disa konflikte të tjera.

Gjatë viteve e kam kuptuar se është e pakuptimtë të thuash se ajo që do t’i ndodhë Kosovës, do t’i ndodhë edhe Azerbajxhanit dhe Armenisë, apo Turqisë dhe Greqisë, apo vendeve të tjera. Secila situatë është e ndryshme, dhe nuk ka zgjidhje universale për këto probleme, duhet të shikohen problemet në tërësi, të shihet se çfarë është e arsyeshme, a ka angazhime afatgjate, a janë marrëveshjet e arsyeshme, dhe pastaj pyet veten, çka është më e mira për aleatin tënd, dhe në këtë rast, aleati është populli i Kosovës. Mendoj se nëse populli i Kosovës vendos se kjo është një rrugë që mund ta marrin, e që këtë vendim mund ta marrin nëpërmjet ndonjë referendumi, kush jemi ne në perëndim që të themi se kjo rrugë është e rrezikshme për konfliktet e tjera. Mendoj se kjo është arrogante dhe ekstreme, të besojmë se e dimë më mirë se populli i Kosovës se çka është më mirë për ta sa i përket korrigjimit të kufijve.

Nëse normalizohet situata ndërkombëtare e Kosovës, dhe e merr anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, dhe nëse për këtë duhen bërë disa korrigjime modeste kufijsh, nuk e di përse një diplomat gjerman mund ta ketë më mirë, kjo është ajo që mendoj unë.

KosovaPress: Një pyetje të fundit, duke llogaritur se ju jeni akoma në kontakt me ish-liderët e Shteteve të Bashkuara, Presidentin Clinton dhe Sekretaren Albright, a mund të na thoni qëndrimet e gjithë juve që jeni meritorë për lirinë e Kosovës, a jeni të shqetësuar apo optimist për epilogun e bisedimeve?

James Rubin: E di se z. Thaçi ka mundur të flas me ta lidhur me këto çështje dhe këto koncepte, për të gjetur rrugën deri tek statusi final dhe një marrëveshje të suksesshme përfundimtare për Kosovën.

E di që ka folur gjerësisht me presidentin Clinton lidhur me këtë çështje, e po ashtu edhe me sekretaren Albright.

Nuk do të doja të flisja në emër të tyre sepse kjo më nuk është puna e ime, mirëpo mund të them se Presidenti Clinton në veçanti ka dhënë përkrahje të madhe, po ashtu edhe Presidenti George Ë. Bush ka ofruar përkrahje të madhe, dhe që të dy kanë dashur të gjejnë rrugë për të arritur marrëveshje përfundimtare për Kosovën dhe popullin e saj, për ta bërë Kosovën një shtet normal.

Asnjëherë nuk kam dëgjuar për shqetësime të mëdha në lidhje me rrugën që është duke e ndjekur presidenti Thaçi, përkundrazi, mendoj se Presidenti Clinton në veçanti ka dëshirë të ndihmojë, kjo është ajo që mund ta them.

Exit mobile version