fbpx
Lajme

Jo të gjithë azilkërkuesit e shohin Kosovën vend transit

75 azilkërkues janë të vendosur në Qendrën e Azilit në Magure të Lipjanit. Përderisa nga menaxhmenti i kësaj qendre thonë se të huajt kryesisht e shfrytëzojnë Kosovën për të kaluar në vende të tjera e rrinë shkurt, kështu nuk thotë edhe Ahmed Zakaria, azilkërkues nga Siria, prej nga vijnë gati gjysma e azilkërkuesve në Kosovë.

Ndryshe nga të huajt e tjerë që rrinë shkurt apo e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit për të shkuar në shtete të tjera, Ahmed Zakaria nga Siria ka 7 muaj që po qëndron në Kosovë.

Ai madje po thotë se po e mendon qëndrimin e mëtutjeshëm këtu.

“Vendi është paqësor. Njerëzit janë shumë të mirë këtu. Unë mendoj të qëndroj këtu, sepse nuk shoh ndonjë problem. Njerëzit janë shumë paqësor”, thotë Zakaria.

E në Qendrën e Azilit në Magure të Lipjanit, ku po qëndron Ahmedi, janë të vendosur edhe 74 të huaj të tjerë.

Fitim Zariqi, drejtor i kësaj qendre, thotë se atyre u ofrohen falas ushqime, shërbime shëndetësore, higjienike, psikologjike e juridike. Por pavarësisht kësaj, shumica dërrmuese vendosin të mos qëndrojnë gjatë në Kosovë.

“Sipas statistikave që i kemi, shumica prej tyre Kosovën e shfrytëzojnë si vend transit, sikur që i shfrytëzojnë edhe vendet e tjera të Ballkanit, por ata nuk kanë synim që të qëndrojnë në Kosovë edhe pse shprehen që procedura e trajtimi është i mirë, por nuk ka punë në Kosovë dhe edhe nëse gjejnë punë, paga është e vogël, thotë Zariqi.

Zariqi shpjegon se pas periudhës 9-mujore si azilkërkues, të huajt mund ta fitojnë statusin e azilit. Sipas tij, ata që arrijnë ta fitojnë, kryesisht punojnë zanate të ndryshme, por që në përgjithësi kjo ndodh rrallë.

“Sipas procedurës ata akomodohen në vende private ose në një komunë të caktuar dhe pastaj është një program tjetër në kuadër të MpB-së që merret me integrimin e tyre në shoqëri. Sipas informatave tona, disa prej tyre, po them 5 ose 6 që janë duke vijuar kurset e duke punu, pra duke u integru në shoqërinë kosovare”, shton ai.

Problemet me azilkërkues, sipas Zariqit, janë të rralla.

Kryetarit i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se Kosova është shembull në krahasim me vendet e rajonit sa i përket trajtimit të azilkërkuesve.

“Nuk kemi vërejtë të shkelen të drejtat e njeriu të personave që e kanë cilësinë e refugjatit apo azilkërkuesit në Kosovë. Procedura e kërkim-azilit është 6 deri në 9 muaj. Çdo gjë bëhet në kuadër të kufijve ligjorë të përcaktuar”, thotë Shala

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë periudhës janar-gusht në Kosovë kanë kërkuar azil 961 persona, 520 prej tyre kanë qenë nga Siria.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close