Epilogu

“Jusufi nuk kishte vdekur në vend, operacioni u krye me sukses, dyshimet te mjeku i UDB”

Apostol Duka në vitin 2008 e kishte shkruar një libër, ku përfshihen intervistat e disa personaliteteve të cilët e njohën nga afër Kadri Zekën e vëllezërit Gërvalla. Në atë intervistë, edhe ish ministri i informacionit Xhafer Shatri kishte dhënë tregimin e tij për vrasjen e tre heronjëve; Kadri Zekës, Bardhosh e Jusuf Gërvallës.

Ai në një moment përmend edhe bashkëshorten e Jusuf Gërvallës dhe dyshimet e saj për atentatin ndaj tyre.

“… njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën, duke e qëlluar 6 herë, ndërsa tjetri ka vrarë Kadri Zekën, që ishte në ndenjësen e prapme. Dhe vrasësit janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba. Ndërkaq, vetura ka vazhduar të ecë përpara, gjersa është ndalur në derën e një garazhi përballë. Ndërkohë, një fqinj gjerman, ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Suzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Vrasësit nuk kishin arritur të mbaronin punë deri në vend me të, ndoshta se u alarmuan nga hapja e dritares dhe thirrjet e fqinjit gjerman. Në agoni e sipër (megjithëse Suzana Gërvalla thotë me siguri se i shoqi mbërriti në kohë në spital dhe operacioni aty përfundoi me sukses, por, me sa duket edhe atje UDB-ja kishte parashikuar edhe ndërhyrjen kriminale të një mjeku serb, bashkëpunëtor i saj, ose pjesëtar i ngarkuar me atentatin), Jusufi e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë gjallë dhe i ka treguar se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur. Pastaj i ka lënë porositë e fundit gruas së tij. Pas gjysmë ore, ka ardhur ndihma e shpejtë nga Heilbronni. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, në orën 3.00 të mëngjesit të 18 janarit 1982 edhe Jusuf Gërvalla dha shpirt, por jo pa folur. Ai arriti t’iu thoshte policisë gjermane dhe të shoqes: ” Neve na vrau UDB-ja jugosllave”.

Exit mobile version