fbpx
Opinione

Kalimi i Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike, proces optimal për familjet dhe bizneset

Prof. Ass. Dr. Bashkim Mustafa

Zakonisht gjatë historisë botërore krizat ekonomik janë paraqitur në mënyrë ciklike nëpër vite e vende të ndryshme të botës.

Kryesisht kanë dominuar të ashtuquajturat ‘balone të fryra’ ose ‘flluska’ të çmimit të pasurive, apo siç quhen,  rritje të mëdha artificiale të çmimeve. 

Ka pasur kriza qe janë krijuar nga spekulime në bursa, duke shkaktuar rënie të vlerës drastike të pasurive në treg e sidomos kredive hipotekare e deri te falimentimi i institucioneve financiare. 

Por, kjo e vitit 2020 e shkaktuar nga pandemia globale Covid-19, ka marrë rrjedhë tjetër dhe pasojat e shkaktuara në ekonominë globale janë të paparashikueshme në ekonomi.

Trajtim dhe analizimi i kësaj situate është më se i nevojshëm nga njohësit e çështjeve ekonomike, qeveritë, universitetet, institutet e  komunitetit të biznesit, çdo herë duke marrë për bazë përgjegjësitë sociale. Për të kontribuar në trajtimin dhe për të rekomanduar zgjidhjen e problemeve ekonomike gjatë dhe pas pandemisë Covid-19,   shtetet e gjithë globit janë vënë në mëdyshje edhe në propozimin dhe marrjen e masave adekuate që sadopak të ruajnë fuqinë blerëse e stimulin e kërkesës agregate, duke propozuar masa të ndryshme për t’i ruajtur vendet e punës, të përkrahin bizneset dhe të ruajnë përgjegjësinë sociale.

Shumë shtete, sidomos ato me ekonomi më të dobët, siç janë vendet në zhvillim, janë duke e tejkaluar me shumë vështirësi edhe gjendjen shëndetësore por edhe gjendjen ekonomike.

Republika e Kosovës pa dyshim që është duke u përballur me këtë sfidë edhe shëndetësore edhe ekonomike dhe për muaj të tërë Qeveria nuk arriti të marrë masat në përkrahje të bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi. E kjo pa dyshim që është duke dhënë efektet e veta negative në ekonomi, në humbje të vendeve të punës, në mbyllje të bizneseve në rënie të fuqisë blerëse dhe në pasoja të tjera që do përballemi  viteve të ardhshme.

Si rezultat i mosmarrjes së masave ekonomike nga qeveria në Kosovë, pritjet e rënies ekonomike në këtë vit janë me të larta se sa do të duhej të ishin, që sipas llogaritjeve preliminare mund të shkojë deri në shifra dy shifrore. 

Por ajo që është për t’u vlerësuar me insistim të Partisë Demokratike të Kosovës me propozim të masave më të duhura për ekonominë e bizneset dhe pas shumë përpjekjeve, më në fund kaloi Ligji për rimëkëmbje ekonomike.

Kjo tregon lidership institucional, në kohën kur më së shumti ka nevojë ekonomia dhe qytetarët e shteti i Republikës së Kosovës.

Masat e propozuara janë të duhura dhe optimale për kohën në të cilën gjendet ekonomia e vendit, të cilat do të japin efektet e veta tek bizneset dhe qytetarët për tejkalimin e rënieve të shkaktuara nga kriza ekonomike. Do ta lehtësoj jetën e atyre që pa të drejtë humbën vendet e punës, atyre që në kohën kur më së shumti u duhen të ardhurat për familjet e tyre në krizën shëndetësore dhe ekonomike.

Do t’u mundësojë bizneseve prodhuese që përmes lirimit të TVSH-së të angazhojë paratë e tyre në zgjerim të prodhimit dhe zinxhirit furnizues të lëndës së parë.

Tërheqja e trustit do ta rrisë kërkesën agregate, multiplikatorin monetar, si dhe subvencionimi i saj nën 10000 euro do të jetë mundësi shtesë për kategoritë që kanë të ardhura më të ulëta, duke ju ruajtur bilancin e kursimeve pensionale në kohë e pensionimit.

Sfidë mbetet implementimi i ligjit i cili kërkon punë, përkushtim përgjegjësi dhe menaxhim efikas.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close