Kallëzim Penal për rastin e arbitrashit, të përfshira kompanitë e lidhura me njerëz të PDK-së
Ndërkaq, Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM), e cila akuzohet nga “Fox Marble” për vendime të marra në dëm të kompanisë britanike, ka thënë për Insajderin se asnjë zyrtar i komisionit nuk është ftuar për intervistim nga Prokuroria.
Në një përgjigje me shkrim për gazetën, drejtori i KPMM-së, Ramiz Krasniqi ka deklaruar se marrëveshja që “Fox Marble” pretendon të ketë arritur me “Green Power” nuk është formalizuar asnjëherë ligjërisht.
“Ndërmarrja ‘Fox Marble’ shpk është thirrur në pretendimet se ka marrëveshje me ndërmarrjen ‘Green Power’ sh.p.k, mirëpo kjo marrëveshje asnjëherë nuk është formalizuar nën legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe nuk është dorëzuar ne KPMM”, ka thënë Krasniqi.
Mosmarrëveshja ndërmjet “Green Power” dhe “Fox Marble” ishte bërë shkak që në maj të vitit 2019 të ndaloheshin punimet e kompanisë britanike në guroren e Malishevës, e cila ishte pronë e kompanisë së lidhur me Naim Rrustemin.
Pronësia mbi këtë gurore është kontestuar në KPMM nga “Fox Marble” në korrik të vitit të kaluar, pasi kjo firmë pretendonte se mbante të drejtën e shfrytëzimit të gurores.
Por, KPMM kishte refuzuar ankesën e “Fox Marble” mbi arsyetimin se Naim Rrustemi, i cili deri në muajin maj figuronte edhe drejtor në “Fox Marble Kosova” dhe i njëjti mbante licencën për guroren e Malishevës, kishte dhënë dorëheqje nga licenca që i jepte të drejtë për shfrytëzimin e gurores së Malishevës.
“KPMM me dt. 06.08.2019 ka refuzuar ankesën e parashtruar me nr. 6119 te dt. 24.07.2019 nga ‘Fox Marble Kosova’ sh.p.k”, ka thënë Ramiz Krasniqi. “Ankesa e ndërmarrjes ‘Fox Marble’ drejtohet kundër: ‘Aktvendimi i Mospërputhshmërisë’ të lëshuar nga KPMM me të cilin ndërmarrjes: ‘Green Power’ në pajtim me nenin 9 të Ligjit për Miniera dhe Minerale i është pezulluar Licenca e Shfrytëzimin, për shkak se personi përgjegjës i kësaj kompanie ka dhënë dorëheqje nga kryerja e punëve të personit përgjegjës tek kjo Licencë”.
Insajderi ka kontaktuar me Naim Rrustemin, përfaqësuesin e “Green Power”, për ta pyetur në lidhje me kallëzimin penal të dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit, por ai ka mohuar të jetë në dijeni për këtë denoncim.
“Kurrë nuk paskam dëgju [për këtë kallëzim penal]. Tregom kur ka ndodhur kjo?”, ka thënë Rrustemi. “Nuk paskam dëgjuar unë për këtë punë”.
E, në një deklarim për Insajderin në korrik të vitit të kaluar, Naim Rrustemi kishte thënë se marrëveshja mes Green Power dhe Fox Marble ishte bërë nën presion. Kishte akuzuar Sami Lushtakun se e kishte kërcënuar atë në ditën kur ishte nënshkruar marrëveshja mes tri kompanive.
Që nga ajo kohë Fox Marble ka punuar për të zgjidhur mosmarrëveshjen në lidhje me blerjen e dy kompanive kosovare me agjencitë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht me Komisionin e Pavarur të Minierave dhe Mineraleve (KPMM) dhe Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).
Kompania kishte thënë se ka paraqitur prova të hollësishme tek KPMM se ajo mban të drejtat për shfrytëzimin dhe funksionimin e gurores së saj në Malishevë.
Megjithatë, më 18 korrik të vitit 2019, operacionet e Fox Marble Holdings PLC në guroren e Malishevës u ndërprenë.
Si pasojë e vendimeve të ARBK-së dhe KPMM-së, kompania britanike ka nisur procedura të arbitrazhit kundër Republikës së Kosovës. Baza e kërkesës për dëme është investimi i bërë deri më tani në guroren e Maleshevës dhe humbja e të ardhurave të tjera.
Ndërkaq, ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i kishte thënë Insajderit në korrik të vitit të kaluar se ai nuk ka qenë i përfshirë në marrëveshjen e arritur mes Fox Marble Holdings PLC dhe Green Power Shpk.
“Chris Gilbert më ka thirrur në Gjermani, edhe Etrur Rrustemi – bashkë kanë qenë, edhe më kanë pyetur ‘a pranon me u bë drejtor i Fox Marble?’. Unë kam pasë interes me shku dhe e kam pranu këtë ftesë. Kjo ka qenë ajo që ka ndodhë”, kishte thënë fillimisht Lushtaku, për Insajderin.
Lushtaku ka deklaruar se nuk është takuar asnjëherë me Naim Rrustemin për të biseduar lidhur me çështjen e gurores së Malishevës.
“Nuk është e vërtetë. Unë po të tregoj se.. unë, më kanë thirrur në Gjermani, në Frankfurt, dhe më kanë lutur për ta marrë në drejtim ‘Foxin’. Unë me Naim Rrustemin nuk jam takuar pothuajse asnjëherë, përpos tash që e thirra në telefon”, ka deklaruar ish-kryetari i Skenderajt.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, që tash e disa muaj punon për Fox Marble Holdings, thotë se ai nuk ka vendosur për dërgimin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ndonëse ka paralajmëruar institucionet e Kosovës se kanë penguar investimet e kompanisë britanike.
“Unë i kam paralajmëruar institucionet e Kosovës se kompania angleze ka investuar në Kosovë dhe se ata janë duke i penguar investimet e saj në Kosovë. Kompania është e Fox Marble dhe ajo ka të drejtë; këta e kanë zhvatur ‘Foxin’ – Naim Rrustemi, se tjetër kënd nuk njoh”, kishte deklaruar ai.
“Ata [firma Fox Marble Holdings, v.j] më kanë thirrur dhe më kanë thënë që ne jemi të pafuqishëm në Kosovë, do të thotë ligjet në Kosovë janë në dëm të kompanisë dhe se ata janë të detyruar ta dërgojnë çështjen në Arbitrazh”.
Se Sami Lushtaku nuk ka pasur rol në mosmarrëveshjen që rrezikon t’i humbë shtetit miliona euro, e ka thënë edhe Christopher Gilbert, drejtori ekzekutiv i Fox Marble Holdings PLC.
Në një intervistë të shkurtër me Gazetën Online Insajderi vitin e kaluar, Gilbert deklaroi se Sami Lushtaku është këshilltar i besueshëm i kompanisë Fox Marble në Kosovë.
“Ai është këshilltar i besueshëm, i cili ka rol mbikëqyrës mbi operacionet tona në Kosovë të cilat janë duke vazhduar dhe nuk preken nga kjo mosmarrëveshje [me Green Power Shpk dhe Scoope Shpk, v.j]”, kishte deklaruar Gilbert.
“Fox Marble” nga Kosova është kompania e parë e regjistruar në bursën e Londrës nga viti 2012 dhe operon edhe me ekspertizë të jashtme. Tash, shteti do të duhet ta mbrojë veten përballë Fox Marble Holdings në Arbitrazhin Ndërkombëtar. /GazetaInsajderi